Tuci e njeh mjaft mirë Çekinë: E ëndërroj golin me kombëtaren, por rëndësi ka fitorja

Tuci e njeh mjaft mirë Çekinë: E ëndërroj golin me kombëtaren, por rëndësi ka fitorja

Kombëtarja kuqezi vazhdon përgatitjet për dy kualifikueset e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Çekisë më 16 nëntor dhe Ukrainës më 19 nëntor. Në konferencë për shtyp, ditën e sotme kanë dalë dy lojtarë, Indrit Tuci dhe Ylber Ramadani. I pari e njeh më mirë kundërshtarin e radhës, sepse luan në Çeki, ndaj fjalët e tij sikur marrin më tepër vlerë:
“Nuk kam presion, por i pres me shumë me qejf këto dy ndeshje, pasi është hera ime e parë që do të luaj në ‘Arena Kombëtare’, në stadiumin e mbushur plot. E marr më shumë si motivim këtë fakt, jo presion. Unë jam gjithmonë i gatshëm për të dhënë më të mirën. I njoh mirë çekët, të cilët kanë një stil loje me topa të gjatë dhe fizikisht janë të fortë.
Duhet t’i mbulojmë sa më mirë, t’i neutralizojmë që në organizim, dhe t’i kënaqim tifozët tanë. Besoj se jam gati të luaj, ngaqë i kam bërë gjithë kontrollet mjekësore. Këtu jemi për kombëtaren dhe duhet të japim gjithçka.
Sulmi ynë nuk po funksionon si duhet? Nuk mund ta them këtë, edhe pse kemi shënuar 3 gola në 4 ndeshje. Mos harroni se kemi 6 pikë, aq sa kanë dy skuadra të tjera. Të gjithë duam të shënojmë gol, por me rëndësi është t’ia dalim me sukses si ekip, ndaj po stërvitemi mjaft mirë.
Kam ardhur në kombëtare për të dhënë më të mirën, këtu është krejt ndryshe nga klubi. Në aq minuta sa mund të kesh aktivizim, duhet të japësh maksimumin. Luaj në një ekip me qendërmbrojtësin e Çekisë, por u dëmtua. Më vjen mirë që s’do të luajë kundër nesh.
Çdo ditë e mendoj golin dhe si mund ta shënoj, por mbi të gjitha dua të ndihmoj kombëtaren. Shpresoj shumë që ta shënoj edhe golin. Nuk ka rëndësi nëse shënoj unë apo dikush tjetër, vetëm të fitojmë. Edhe Ramadani po të shënonte do të isha dyfish i lumtur”.
Burimi