
Tirana bën ligjin në kampionatin e femrave, Flamurtari mposht rivalët e Partizanit
Janë luajtur takimet e javës së 14-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për femra. Në “Asllan Rusi”, ekipi i Flamurtarit fitoi 71-59 ndaj Partizanit dhe tashmë qëndron i vetëm në vendin e dytë.
Mikeshat nga Vlora vulosën fitoren që në periodën e parë, kur u shkëputën 20-9 dhe më pas administruan avantazhin deri në fund. Thomas me 20 pikë e Johnson me 18 u dalluan për vlonjatet, duke i bërë të pavlefshme 24 pikët e Mgbeike për Partizanin.
Studenti rikthehet te fitorja në kampionat, pasi mundi thellë 91-51 Elbasanin në “Asllan Rusi”. Ndeshje në sens unik, ku për vendaset u dallua Bokrina me 27 pikë, ndërsa 26 pikët e Sali për mikeshat mbetën për statistikë.
Në Shkodër, skuadra e Tiranës fitoi pa probleme 60-32 ndaj Vllaznisë, me shumë mungesa pas largimit të disa lojtareve. Kjo e bëri edhe më të lehtë fitoren e skuadrës bardheblu, që vazhdon të kryesojë e vetme renditjen.
Kategoria e Parë-Femra, java e 14-të
Studenti – Elbasani, 91-51
Vllaznia – Tirana, 32-60
Partizani – Flamurtari, 59-71
Teuta (pushim)
Renditja: Tirana 21 pikë, Flamurtari 19 pikë, Partizani 18 pikë, Vllaznia 14 pikë, Teuta 13 pikë, Studenti 13 pikë, Elbasani 10 pikë.
Burimi