Sylvinho euforik: Fitore e çmuar, e cila na mungonte qysh ndaj Çekisë
Ka festuar me lojtarët kuqezinj, duke i përqafuar ata njëri pas tjetrit. Ka shkuar te tribuna, ku ishin vendosur tifozët shqiptarë, për ta ndarë fitoren ndaj Ukrainës edhe me ta. Sylvinho kishte gjithë të drejtën e botës për të qenë i lumtur, madje edhe euforik pas asaj që ndodhi sonte në Pragë.
Fitorja e parë historike e jona ndaj Ukrainës erdhi pikërisht nën drejtimin e tij, çka vlen edhe 3 pikë të çmuara që në startin e edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Duke folur pas fitores 2-1, Sylvinho u shpreh mes të tjerash:
“Është një fitore shumë e rëndësishme. Kujtoj se fitorja e fundit zyrtare ishte ndaj Çekisë, para shumë kohësh. Është e vërtetë që grupi ishte i vështirë në Europian, ndërsa kjo fitore na rrit optimizmin. Kemi bërë shumë mirë ndaj Ukrainës dhe e merituam fitoren. Të arrish të përmbysësh një ndeshje është probabilitet shumë i vogël, sidomos në këto nivele.
Kundërshtari ishte shumë teknik, vërtet i fortë fizikisht. Ne bëmë një ndeshje të mirë, nuk humbëm toruan. Ndoshta pasi pësuam golin për 5 minuta ishim keq. Sa i përket të ardhmes në këtë kompeticion, kjo fitore ishte kyçe për të ecur përpara. Mos harrojmë se Gjeorgjia dhe Çekia janë shumë të forta.
Ndryshime me Gjeorgjinë? Të shohim, është ende situatë e nxehtë, sapo kemi mbaruar një ndeshje të vështirë, me shpenzim fizik të rëndësishëm. Nesër, stërvitjen do ta kryejmë këtu, pastaj do të kthehemi në darkë në Tiranë. Të shohim se si janë lojtarët, ka pak kohë nga ndeshja e parë në të dytën. Duhet t’i mbikqyrim lojtarët deri në fund për të kuptuar nëse duhen bërë zëvendësime ndaj Gjeorgjisë dhe sa të tilla.
Kapiteni Gjimshiti mori një dëmtim të vogël muskulor, kishim probleme edhe me ndonjë tjetër, por ky është futbolli. Iu besoj të gjithëve, kemi 35 lojtarë në listë pritje. Iu kam thënë se ky kompeticion është i rëndësishëm. Çdo ndeshje është mundësi që të bësh diçka të rëndësishme për tifozët, lojtarët e kanë kuptuar këtë.
Bajrami është një lojtar që mund të bëjë gjithçka. Ai mund të luajë si trekuartist, si “mexala hybrid”, si anësor, siç bëri sot. Është përmirësuar shumë edhe në lojë pa top. Jemi shumë të kënaqur me të. Është një talent”.
Burimi