Strakosha jep kushtrimin kuqezi: Na presin dy “finale”, ndaj Çekisë dhe Ukrainës
Me “largimin” e Etrit Berishës, porta kuqezi është në duart e tij. Të paktën deri tani ka luajtur titullar. Tashmë, Thomas Strakosha duket se do të ketë rivalitetin e Sherrit, i cili debutoi në Serie A si titullar, duke luajtur në barazimin 3-3 ndaj Milanit. Megjithatë, në fokus të tij janë dy sfidat e nëntorit, të fundit kualifikuese të Ligës së Kombeve për kuqezinjtë. Pikërisht në këtë drejtim është përqendruar edhe konferenca e sotme për shtyp e Strakoshës.
Si e vlerësoni Çekinë?
Besoj se në Çeki ndoshta kemi luajtur ndeshjen më të keqe në dy vitet e fundit. Nuk u futëm në fushë siç duhet. Pësuam gol në minutat e para. Nuk luajtëm mirë në 20 minutat e para. Pra vetëm më mirë duhet të bëjmë, se më keq jo. Duhet të përqendrohemi më shumë, të futemi mirë në fushë që në minutat e para. Kemi dy finale në shtëpi, kemi publikun tonë. Mendoj se të gjithë bashkë do t’ia dalim, duhet të përgatitemi sa më mirë. Kemi mungesa apo jo, do të japim maksimumin dhe do t’ia dalim.
Çfarë duhet të bëjmë ndaj Çekisë për të fituar?
Duhet të jemi të përqendruar, pasi në ndeshjen e fundit ndaj saj nuk ishim. Ekipi është me më shumë eksperiencë. Vijmë nga një Europian i mirë. Kemi dy finale në shtëpi, duam të fitojmë bashkë me tifozët tanë. Duhet të japim maksimumin, të luajmë me zemër, të luftojmë për çdo top.
Stadiumi “sold out”?
Për çdo futbollist është motivim kur e ka stadiumin plot. Kjo na jep zemër për të luajtur mirë. Është diçka shumë e bukur për ne dhe çdo shqiptar.
A i trembeni sulmuesit Chory të Çekisë?
Ne nuk e shikojmë çdo lojtar ndryshe, luajmë si ekip dhe mbrojmë e sulmojmë bashkë. Kemi pësuar dy gola nga ai, duhet të kishim bërë më mirë. Tani duhet të japim maksimumin të gjithë bashkë. Do të jemi të përqendruar në shtëpi, të mbrojmë dhe sulmojmë mirë.
Konkurrenca në portë…
Duhet të pyesni trajnerin për portierët, bëj maksimumin për vete. Konkurrenca është e mirë për ne dhe për lojtarët, pasi ka pasur vite që nuk e kishim.
Si ju duket Alen Sherri?
Kam komplimente dhe urime për Alen Sherrin, shpresoj të mund të jetë titullar te Cagliari. E kam ndjekur që kur ishim bashkë te kombëtarja U-21, e ka merituar shansin. Këshilla nuk mund t’i jap, pasi ka nivel dhe aftësi shumë të mira Duhet ta shijojë sa më shumë dhe të japë maksimumin.
A e konsideroni ndeshje më të vështirë ndaj Çekisë?
Besoj se ndeshja e parë është më e rrezikshme, ‘finalja’ e parë është me Çekinë. Është ndeshje që duhet marrë me shumë seriozitet, të shohim se si do të dalim.
A ju mungon Etrit Berisha?
Më mungon, pasi lojtarët më të vjetër japin gjithmonë eksperiencë. Kush nuk thirret, na mungon. Etritin e njoh prej 12 vitesh dhe na mungon si lojtar e si njeri.
Burimi