Shpagimi i Ismajlit: Nuk u aktivizova fare në Europian, por jap gjithçka për kombëtaren

Shpagimi i Ismajlit: Nuk u aktivizova fare në Europian, por jap gjithçka për kombëtaren

Me siguri, mund të konsiderohet njeriu i ndeshjes, i fitores së kuqezinjve tanë ndaj Ukrainës. I pakalueshëm në mbrojtje, autori i golit të barazimit 1-1, çfarë mund të bënte më shumë Ardian Ismajli… Edhe pse nuk luajti asnjë minutë në finalet e “Euro 2024”, ai nuk shfryu asnjëherë, por uli kokën dhe priti rastin.
Mungesa e Gjimshitit, por edhe e Ajetit, i krijuan hapësirë atij të startonte ndaj ukrainasve në Pragë. Bashkë me Kumbullën ishin “postblloku” e prapavijës sonë, meritorë në suksesin e parë historik ndaj Ukrainës dhe marrjen e tri pikëve të para në Ligën e Kombeve. Duke folur pas ndeshjes, Ismajli nënvizoi mes të tjerash:
“Kemi besuar se kemi mundësi të fitonim, është grupi i njëjtë nga Europiani. E kemi dominuar Ukrainën, kishim mundësi të shënonim 3-4 gola. E merituam plotësisht triumfin. Në 15 minutat e fundit ishte normale të tërhiqej skuadra, sepse duhej të mbronim rezultatin dhe ia dolëm. Krenar që e nisëm këtë kompeticion me 3 pikë.
Unë jam profesionist, është e vërtetë që nuk kam pasur minuta në Europian, por e pranova zgjedhjen e trajnerit me sportivitet. Gjithmonë kam dhënë maksimumin si në klub, edhe në kombëtare. Do ta bëj deri në fund këtë gjë. Mentalisht kam qenë jo fort mirë, por e rëndësishme është që pushuam, u rikthyem te skuadrat tona.
Gjithashtu, u rikthyem si profesionistë të vërtetë edhe në kombëtare. Isha pranë golit të dytë, por më të rëndësishme ishin spastrimet në mbrojtje. Kur kaluam në avantazhin 2-1, Ukraina na sulmoi shumë. M’u desh të bëja shumë ndërhyrje”.
Burimi