Revanshi me Fury mund t’i kushtojë shtrenjtë Usyk, rrezikon të humbasë një nga titujt kampionë

Revanshi me Fury mund t’i kushtojë shtrenjtë Usyk, rrezikon të humbasë një nga titujt kampionë

Gëzimi për mbajtjen e të gjithë titujve kampionë bote në peshën e rëndë mund të zgjasë shumë pak për ukrainasin Oleksandr Usyk. Boksieri mposhti me vendim shumice britanikun Tyson Fury, duke i marrë titullin e kategorisë WBC, ndërkohë që vetë mbante titujt WBA, WBO e IBF.
Pikërisht këtë të fundit, titullin e kategorisë IBF, boksieri ukrainas rrezikon ta humbasë në rast se do të zhvillojë revanshin ndaj Fury. Oleksandr Usyk kishte bërë një marrëveshje me IBF që të shtynte përkohësisht sfidën me Filip Hrgovic, i mandatuar nga kjo kompani.
Në rast se konfirmohet revanshi atëherë Usyk duhet të lërë vakant titullin e IBF. Kjo do të thotë se sfida mes Hrgovic dhe Daniel Dubois, më 1 qershor, mund të jetë për titullin e këtij Divizioni.
Frank Warren, i cili promovon Fury dhe Dubois, tha për “Sky Sports”: “Usyk ka bërë diçka që askush tjetër nuk e ka bërë. Ai ka bashkuar katër rripat. Gjithsesi, jam shumë i sigurt se ata tituj do të copëtohen pas kësaj. Dhe pastaj do të ndodhë përsëri ribashkimi i tyre”.
“Jemi në një kohë ku ka shumë boksierë të mirë dhe shumë duele të mira për t’u bërë. Ne kemi revanshin Usyk-Fury. Më pas, fituesi i revanshit mund të duelojë me Anthony Joshua dhe më pas janë shumë të rinj që po afirmohen. Sfida mes Hrgovic dhe Dubois është gjithashtu e fortë”, tha Warren.
Burimi