Rama dhe Kurti njëzëri: Djemtë kuqezinj na bënë krenarë me paraqitjen në Europian

Rama dhe Kurti njëzëri: Djemtë kuqezinj na bënë krenarë me paraqitjen në Europian

Edi Rama dhe Albin Kurti i kanë përshëndetur kuqezinjtë për paraqitjen në “Euro 2024”. Pavarësisht se e mbyllën të fundit në grup, me vetëm një pikë (falë barazimit 2-2) ndaj Kroacisë, ata meritojnë përgëzime. Të luash në “grupin e vdekjes”, sikurse u konsiderua nga të gjithë ai B, ku bënim pjesë ne, përkrah Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, dhe të mos pësosh goleada është njëlloj suksesi për kombëtaren tonë. Vlerësim maksimal për tifiozërinë kuqezi, që i mahniti të gjithë.

Kryeministri i Shqipërisë ka komentuar pas humbjes minimale ndaj Spanjës: “FALEMINDERIT! Nga goli më i shpejtë i Europianëve deri në sekondën e fundit të këtij Europiani, Kombëtarja Kuqezi e kreu misionin e saj të pamundur duke luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj dhe me mbështetjen fantastike të dallgës kuqezi të Lojtarit të 12-të.Sot skuadra jonë e re dhe me një potencial shumë premtues largohet nga ky Europian me kokën lart, për t’u rikthyer në fushë më tej me një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mungonte krejtësisht përballë tre nga fuqive më të mëdha të futbollit që u përballën me një Shqipëri të vogël, por me dinjitet të pamohueshëm nga askush”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar përmes rrjeteve sociale: “Në fushën e blertë u duk sikur jemi pjesëmarrës të rregullt, e jashtë saj dhe në shkallët e stadiumeve sikur ishim vendas. Ishte vetëm pjesëmarrja e dytë në një Kampionat Evropian. Në fund, humbëm përballë Spanjës, tri herë kampione e Evropës dhe një herë kampione e Botës, dhe Italisë, dy herë kampione e Evropës e kampione në fuqi dhe katër herë kampione e Botës. Ndërkaq me Kroacinë, nënkampione e Botës në vitin 2018, barazuam në ndjeshjen më të bukur të turneut deri më tani. Ky grup lojtarësh na bëri krenarë. E ardhmja është premtuese. Pritjet që kishim janë vetëm dëshmia më e fortë për standardin që kemi vënë”.
Burimi