Po shesin shpirtin për klikime! Mos bini në kurthin e 2-3 sharlatanëve! Shqipëri e Kosovë jemi një
Ata nuk e meritojnë t’ua përmendësh emrin. Ata nuk e meritojnë t’i ftosh në studio. Ata shesin fytyrën dhe shpirtin për ca klikime më shumë. Ata kanë nxjerrë veten në vitrinë. Janë gati të pranojnë të gjitha reagimet e mundshme, me kusht që të jenë aty: në portale dhe televizione.
Javët e fundit, dy personazhe nga Kosova kanë folur kundër Shqipërisë, dikush për kulturën dhe ekonominë, dikush për sportin. Ky nuk është thjesht gabim, por mëkat. Këto deklarata sjellin probleme të mëvonshme dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Vitet e fundit, Shqipëria dhe Kosova po ndahen. Pak apo shumë, nuk e dimë, por po ndodh një ndarje e mirëfilltë. Futbolli tashmë na ka ndarë në dy dhoma: përfaqësuesja e Shqipërisë dhe përfaqësuesja e Kosovës. Kështu na erdhi jeta. Nuk e zgjodhëm, por tashmë kemi dy skuadra futbolli.
Telesport u bën një thirrje të sinqertë të gjithë ndjekësve tanë, nga Shqipëria, Kosova dhe të gjitha vendet e tjera ku shqiptarët banojnë e punojnë: Mos bini në kurthin e 2-3 sharlatanëve! Ata jetojnë me klikime, kurse ne të tjerët me djersën e ballit. Ata mbjellin telashe dhe ndasi, por nuk janë shumica. Janë një pakicë e vogël.
Shqiptarë, jemi 1! Koha për bashkim nuk ka ardhur sot, por ka qenë gjithmonë. Nëse ndahemi, jemi të dobët. Shqipëria dhe Kosova janë një. Duhet dashuri dhe patriotizëm. Le ta fillojmë në familjet tona: të mbjellim dashuri në zemrat e fëmijëve, t’i ndjekim të dyja skuadrat tona dhe t’i mbështesim.
Nuk ka “ne” dhe “ata”. Nuk ka “këtej” dhe “andej”. Ka vetëm një tokë dhe një komb: Shqipëri. Kush tenton të dalë jashtë këtyre parimeve, nuk meriton vëmendje. Përkundrazi, duhet të distancohemi. (R.G.)
Burimi