Mbyllet këtu Europiani i kuqezinjve tanë, të fundit në grup me një pikë

Mbyllet këtu Europiani i kuqezinjve tanë, të fundit në grup me një pikë

Kampionati Europian 2024 përfundon këtu për kuqezinjtë tanë. Nuk ia dolëm dot ndaj Spanjës të marrim as barazimin, jo më fitoren që na kualifikonte në 1/8 finale. Megjithatë, largohemi me kokën lart për dy ndeshjet e zhvilluara ndaj Kroacisë dhe Spanjës.
Pengu i madh është vetëm ndeshja e parë me Italinë, kur bëmë paraqitje të mefshtë. Sonte, ndaj Spanjës, që luajti me formacionin e dytë, por të gjithë yje, kombëtarja jonë dha gjithçka. Sidomos në pjesën e dytë i shpenzoi të gjitha energjitë, por përtej mundësive nuk mund të shkohet.

E mbyllim me vetëm një pikë, falë barazimit 2-2 ndaj Kroacisë, por duke lënë gjurmë pozitive. Sidomos tifozët tanë kuqezinj kanë qenë bukuria e stadiumeve ku ka luajtur kombëtarja jonë, e qyteteve si Dortmund, Hamburg dhe Dyseldorf, ku kanë dominuar me organizimin dhe festën e tyre.
Ndeshja tjetër e grupit tonë, ajo mes Italisë dhe Kroacië u mbyll me barazimin 1-1. Modric shpërdori një penallti për kroatët, por e shleu një minutë më vonë me gol (55′), ndërsa axurrët barazuan me M. Zaccagni në 90+8’. Kësisoji, Spanja kualifikohet në 1/8 finale si më e mira e grupit, me 9 pikë të plota, e ndjekur nga Italia me 4 pikë. Klasifikimi i grupit B kompletohet me Kroacinë e vendit të tretë, me 2 pikë, dhe Shqipëria me vetëm një pikë.
NDESHJA – Tashmë e kualifikuar si kokë grupi (falë fitoreve ndaj Kroacisë dhe Italisë), Spanja mbërriti në Dyseldorf me mundësinë për të kursyer forcat e saj dhe bërë rotacion total (10 lojtarë) në kuadër të 1/8 finale të “Euro 2024”. Çështje krejtësisht tjetër për Shqipërinë, praktikisht e detyruar të fitonte për të vazhduar të shpresonte.
Trajneri Sylvinho mbështetet te lojtarët e tij më të mirë, ndërsa De la Fuente vendos t’u japë vëmendje atyre që deri më tani kishin kaluar më shumë kohë në stol sesa në fushë. Fillimi i ndeshjes ishte shumë i ekuilibruar, “shqiponjat” e nisën më agresive në top, ndërsa spanjollët presin, duke menaxhuar “sferën”.
Mundësia e parë u regjistrua nga Merino, por goditja e tij me kokë u bllokua nga një Strakosha i vëmendshëm. Në fakt ishte preludi i golit. Një pasim perfekt i Dani Olmo për Ferran Torres, i cili godet shtyllën e largët me këmbën e majtë dhe e zhbllokon rezultatin në minutën e 13-të. Sa herë që rrit ritmin, Spanja bëhet e rrezikshme. Dani Olmo ishte ndër më aktivët.
Në fund të pjesës së parë, Asllani realizon goditjen e parë të Shqipërisë në portë. Një goditje e shkëlqyer me këmbën e djathtë e mesfushorit të Interit, i cili megjithatë merr përgjigje të shkëlqyer nga Raya. Pjesa e dytë nis me një veprim të mrekullueshme nga Joselu. Sulmuesi i Real Madridit prek këndin e sipërm të portës së Strakoshës.
Ndeshja është qartazi në duart e “Furisë së Kuqe”, ndaj Sylvinho aktivizon Brojën në vend të manajt. Qendërsulmuesi i Chelsea shfaqet menjëherë, duke detyruar Raya të bëjë një ndërhyrje vendimtare. Morata dhe Yamal hyjnë në fushë në çerekorëshin e fundit të ndeshjes dhe Spanja gjen “jetë të re”.
Sulmuesi i Atletico Madridit provon me kokë, por humbet objektivin. Ka ende kohë për një tjetër tentativë të Brojës, së cilës Raya i përgjigjet sërish me siguri. Edhe Asllani tenton nga distanca, por fati nuk është me të dhe as kuqezinjtë.
Burimi