Legjenda e boksit kërkon të shpëtojë sportin nga përjashtimi olimpik, zgjidhet në krye të World Boxing dhe nis negociatat me IOC
Legjenda e boksit, kazaku Gennady Golovkin (i njohur edhe me nofkën GGG, triple G), ka marrë së fundi një rol drejtues në World Boxing. Kjo është një organizatë e re e sportit të dorezave, që shpreson të fitojë njohjen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe të shpëtojë sportin olimpik.
Golovkin, 42 vjec dhe ish-kampion bote në disa pesha, një ikonë e këtij sporti, është emëruar si kryetar i një komisionit të ri olimpik. Ai mban edhe postin e presidentit të Komitetit Olimpik të Kazakistanit dhe në karrierë ka një rekord prej 42 fitoresh, dy humbjesh dhe një barazim.
Roli i tij është të menaxhojë marrëdhëniet e Boksit Botëror (World Boxing) me IOC dhe të mbikëqyrë rrugën për të siguruar që boksi të rikthehet në programin sportiv për Lojërat Olimpike “LA 2028”. Për momentin, ky sport është i përjashtuar nga Olimpiada e ardhshme në Los Anxhelos.
Golovkin, fitues i medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike të vitit 2004, është një figurë kryesore në sport, me ndikim të madh. Është një hap i madh përpara për Boksin Botëror që të ketë mbështetjen e tij. Por, si një organizatë, World Boxing duhet të përmbushë kriteret e IOC për një federatë ndërkombëtare.
E krijuar në prill 2023, Boksi Botëror aktualisht ka 44 federata kombëtare si anëtare dhe mbajti takimin e parë zyrtar me IOC në maj 2024. Golovkin mund të luajë një rol vendimtar në sjelljen e më shumë federatave kombëtare si anëtarë.
Gennadiy Golovkin tha: “Për mua personalisht, si dhe për të gjithë botën sportive, është e rëndësishme të ruhet boksi si një sport olimpik dhe ky do të jetë prioriteti im kryesor. Unë gjithashtu synoj të punoj ngushtë me IOC për çështjet e boksit, përkushtimit ndaj vlerave olimpike të ndershmërisë, drejtësisë dhe transparencës”.
“Kam besim se përvoja ime si atlet profesionist do të ndihmojë në ndërtimin e punës sistematike brenda Boksit Botëror dhe me përpjekje të përbashkëta do të jemi në gjendje t’i japim boksit një shtysë të re në zhvillimin e tij, por ka ende shumë për të bërë”, tha Golovkin.
Burimi