I dashur Sylvinho! Ultimatumi ynë nuk janë fitoret, por mentaliteti

I dashur Sylvinho! Ultimatumi ynë nuk janë fitoret, por mentaliteti

Skuadra e kombëtares sonë të futbollit sot është më cilësore se kurrë. A ka shqiptar që e mohon këtë fjali? Lojtarët tanë janë protagonistë në skuadra të rëndësishme europiane dhe ky është një sukses i vërtetë ndërkombëtar.
Merita i shkon Federatës Shqiptare të Futbollit për punën e saj, por edhe një fakti historik dhe të padiskutueshëm: shqiptarët po gëzojnë frytet e sakrificës së brezit të parë të emigrantëve, të cilët rritën dhe edukuan fëmijët e tyre (brezi i dytë) në vende me mundësi dhe barazi.
Sot ne shijojmë klasin dhe cilësinë e lojtarëve si Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bajrami, Broja e shumë emrave të tjerë, sepse prindërit e tyre guxuan në vitet ’90 dhe i dhanë formën një kombëtareje 95% diasporë.
Duke qenë se Shqipëria nuk është më e izoluar, udhëtojmë kudo nëpër botë dhe po krijojmë një “brand ndërkombëtar” (për mirë dhe nganjëherë edhe për keq, patjetër), erdhi dita që t’i japim vetes një kënaqësi të re: vetëvlerësimin.
Shqiptarët, vit pas viti, po shkëputen nga merimangat e inferioritetit dhe po përqafojnë një mentalitet të ri, mentalitetin fitues. Brezi i dytë i shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, sot ndihet po aq i aftë dhe i hapur sa bashkëmoshatarët në botë.
Pikërisht ky kapërcim në mentalitet ka ndikuar që trajneri i kombëtares sonë, Sylvinho, të përjetojë një presion më të madh se paraardhësit e tij. Gazetarët tanë në podkastin VERSUS nuk kanë asgjë personale me trajnerin. Përkundrazi, ata mendojnë se Shqipëria ka një trajner të denjë.
Askush nuk e mohon dot përvojën e tij. Flasin faktet dhe ne nuk i shtrembërojmë dot.
Sidoqoftë, ajo që Sylvinho urojmë që të kuptojë është se parulla “Shqiponja ka uri” nuk ishte një rastësi. Ka ardhur koha që shqiptarët kërkojnë më shumë.
Kritikat tona për trajnerin nuk janë në rrafshin tekniko-taktik, por në rrafshin psikologjik. Ne nuk kërkojmë që Shqipëria të fitojë të gjitha ndeshjet, por të zbresë në fushë me mentalitet fitues, për të fituar. Kjo kërkesë sot është legjitime.
Kombëtarja shqiptare ka lojtarë të denjë. Kombëtarja shqiptare ka kushte të përafërta pune me skuadrat e huaja. Kombëtarja shqiptare ka një trajner dinjitoz. Legjionarët kuqezi po luajnë në ligat më kryesore të Europës dhe janë rritur me mentalitet europian.
Duke thënë të gjitha këto, është e udhës të kërkojmë më shumë. Sylvinho, mos u keqkupto! Ne jemi me ty. Ne jemi me djemtë tanë. Ne ju mbështesim. Duam thjesht më shumë guxim! CV-ja dhe statistikat e një trajneri nuk mund të vlejnë më shumë se një kombëtare. Besojmë te puna jote, por (ende jo) te mentaliteti yt.
Burimi