Golashënuesi më i shpejtë i Kampionatit Europian kushton vetëm 3 milionë euro

Golashënuesi më i shpejtë i Kampionatit Europian kushton vetëm 3 milionë euro

Gazeta spanjolle “AS” i ka kushtuar një shkrim Nedim Bajramit, sulmuesit tonë të kombëtares, i cili hyri në historinë e Kampionatit Europian si shënuesi më i shpejtë, pas vetëm 23 sekondash lojë. Kjo ndodhi më 15 qershor, në Dortmund, në ndeshjen Shqipëri-Itali 1-2:
“I lindur në Zvicër nga prindër emigrantë shqiptarë, Nedim Bajrami (Zyrich, 1999) kishte përfaqësuar kombëtaren e Zvicrës në të gjitha kategoritë e të rinjve dhe madje ishte anëtar i rëndësishëm i ekipit U-21 helvet kur e thirri Edoardo Reja, atëherë trajner i Shqipërisë. Ndryshimi i fanellës ndodhi në vitin 2021.
Në parim, FIFA e refuzoi ‘konvertimin’, me pretendimin se futbollisti nuk kishte marrë në kohë pasaportën shqiptare. Por në gusht 2021, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ra dakord me kalimin e mesfushorit-sulmues te kuqezinjtë. Ditë më vonë, më 9 shtator, ai debutoi dhe e nisi me fitore në Tiranë (1-0) ndaj Hungarisë.
Që atëherë, Bajrami ka luajtur 25 ndeshje për kombëtaren e tij, duke shënuar 5 gola. Asnjë aq i famshëm, as i shpejtë për të shënuar një gol në Europian sa ai. Bajrami shënoi kundër Italisë kur kishin kaluar vetëm 23 sekonda lojë. Ky është goli më i shpejtë në historinë e Europianit, përpara atij të shënuar nga rusi Dmitry Kirichenko në “Euro 2004”.
“Nuk e kuptova që isha goli më i shpejtë deri në përfundimin e ndeshjes dhe nuk më interesonte shumë, sepse kishim humbur. Por po, është një krenari. Kirichenko besonte se rekordi i tij do të thyhej nga një ekip tjetër më i mirë? Epo, Shqipëria është shumë e madhe. Herën tjetër do të shënoj edhe më shpejt”, – bën shaka mesfushori teksa flet me “As” në kampin e Kamenit.
Pas dy sezoneve madhështore në Serie A, ku mbërriti në vitin 2019 nga Grasshopper Zurich, disa probleme fizike kanë bërë që Nedimi të luajë më pak këtë vit. Nuk ka ndihmuar dot që Sassuolo, e cila e bleu atë nga Empoli në këmbim të 6 milionë eurove, të bjerë në Serie B.
Bajrami është bërë mik i mirë me Ivan Balliun, anësorin katalanas të Rayo, që po luan në këtë Europian të Shqipërisë. “Ivan është një djalë i mrekullueshëm, po më mëson spanjisht”, – thotë ai. Dhe ia ‘shkel syrin’ La Liga-s: “Është një kampionat që më pëlqen shumë.
Real Madrid, Barcelona, ​​Seville, Valencia… Sigurisht që do të doja të luaja atje një ditë”. Le ta kenë parasysh drejtorët sportivë: klauzola e tij e përfundimit, pas rënies së Sassuolo në Serie B, është bërë vetëm 3 milionë euro”.
Burimi