Giroud nuk e dramatizon: Pika ndaj Holandës nuk është aq keq, kualifikimin e kemi në duart tona

Giroud nuk e dramatizon: Pika ndaj Holandës nuk është aq keq, kualifikimin e kemi në duart tona

22 Qershor 2024

11:26

Alfred Lleshi

Një barazim që i lë shije të hidhur në gojë Francës. Pas suksesit ndaj Austrisë në ndeshjen e parë, kombëtarja e Deschamps nuk shkoi përtej barazimit 0-0 ndaj Holandës në xhiron e dytë të Grupit D të “Euro2024”.
Një barazim pa gola që i vendos të dyja skuadrat në vendin e parë, me nga 4 pikë, një pikë përpara Austrisë, që mundi dje Poloninë. Kualifikimi për në 1/8 finale është në balancë, edhe nëse “plaçka” e grumbulluar deri më tani nga “Les Bleus” dhe portokallinjtë mund të jetë e kënaqshme për t’u kualifikuar edhe përmes vendit të tretë.
Në fund të ndeshjes, sulmuesi i Francës, Olivier Giroud, foli për kanalet zyrtare të UEFA-s: “Mendoj se e dominuam ndeshjen, në kuptimin që krijuam më shumë raste. Jemi pak të frustruar sepse donim tri pikët, por në fund të fundit barazimi nuk është aq i keq.
Fatin e kualifikimit e kemi ende në duart tona. Duhet të jemi më të pamëshirshëm në zonën kundërshtare, pikërisht aty mund ta bëjmë diferencën. Ne ishim pak të pafat, por na mungonte pak edhe efikasiteti. Pastaj, portieri i Holandës bëri mjaft mirë”.
Burimi