Gazetari zbulon skandalin te Kosova, Ademi iu tha futbollistëve: Jua thyej këmbët, jua prish karrierën

Gazetari zbulon skandalin te Kosova, Ademi iu tha futbollistëve: Jua thyej këmbët, jua prish karrierën

Nga “ferri” në “parajsë”. Kështu duket rrugëtimi i këtij shtatori për kombëtaren e Kosovës. Fillimisht humbja 3-0 në shtëpi ndaj Rumanisë, pastaj përjashtimi nga grumbullimi i tre “senatorëve” dardanë, Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija.
Për ta u tha nga burime jo zyrtare se kishin thyer rregullat e kombëtares, duke dalë natën në disko apo lokale nate. FFK njoftoi vendimin përkatës me këtë rast, pa dhënë detaje mbi shkakun e një “tërmeti” të tillë para ndeshjes me Qipron:
“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’ i bashkohet, portieri që ka qenë në listen e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita”.
Si “melhem” për kaosin e krijuar, sidomos në mediat kosovare mbi këtë vendim, shërbeu dje fitorja e pastër 4-0 në Qipro. Një triumf që i ka qetësuar disi ujërat në kampin dardan, megjithatë duket e vështirë që të shuhet “zjarri” i ndezur nga përjashtimi i tre lojtarëve të sipërcituar.
Përmes rrjeteve sociale, gazetari i njohur sportiv në Prishtinë, Arlind Sadiku, i ka shtuar një përmasë tjetër konfliktit tashmë evident mes FFK dhe lojtarëve të përjashtuar: “Skandaloze! Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke iu thënë: Jua thyej këmbët, jua prish karrierën!”
Mbetet të shihet se qëndron e vërteta e kësaj historie, që i ktheu kualifikueset e shtatorit në Ligën e Kombeve në njëlloj “uragani” të vërtetë për kombëtaren e Kosovës. Megjithatë, fitorja e thellë ndaj Qipros tregoi se fryma e grupit vlen më shumë se gjithçka në futboll.
Kombëtarja e Kosovës ka nevojë për “ushtarë”, sepse “gjeneral” ka trajnerin Franco Foda, i marrë nga jashtë (Gjermania) për t’i europianizuar sadopak dardanët, sigurisht edhe për të vendosur rregulla të rrepta në grumbullim e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me kombëtaren. Në emër të profesionalizmit, jo të tekave të askujt.
Burimi