Dumfries i dërgon mesazh të qartë Interit nga grumbullimi me kombëtaren për rinovimin
Denzel Dumfries dëshiron të qëndrojë tek Inter dhe është i hapur për rinovimin e kontratës së tij, e cila skadon më 2025. I pyetur nga “Corriere dello Sport” në fund të ndeshjes mes Holandës së tij dhe Francës, anësori i djathtë përsëriti synimin për të mos u larguar nga klubi zikaltër, pavarësisht thashethemeve që ndjekin njëri-tjetrin në çdo sesion merkatoje.
“Ka pasur vonesa për të gjithë, duke qenë se kemi ndërruar pronarë, por dua të rinovoj, – tha ai. – Interi është shtëpia ime, ndihem sikur jam në familje. Kemi folur për këtë para Kampionatit Europian, do ta bëjmë sërish kur të kthehem”.
Franca rrezikoi shumë ndaj Holandës, por në fund arriti një barazim që i kënaqi pak a shumë të gjithë. Xavi Simons e gjeti golin, por u anulua nga gjyqtari Taylor për shkak të një pozicioni jashtë loje, që u konsiderua aktiv, i Denzel Dumfries, i cili pengoi Mike Maignan. Një vendim i pakuptueshëm në sytë e holandezëve.
“Është turp. Isha afër portierit, por jo në rrugën e gjuajtjes. Nuk isha pengesë për portierin e Francës, – shpjegoi mbrojtësi holandez i Interit. – Arbitrit iu deshën tri minuta për të marrë një vendim, kjo tregon se ishte i dyshimtë. Unë u përpoqa t’i shpjegoja me qetësi arbitrit se nuk isha as përballë portierit dhe as në rrugën e goditjes, por ai ishte i bindur se isha shumë afër Maignan”.
Pavarësisht gjithçkaje, Dumfries është i kënaqur me këtë rezultat ndaj nënkampionëve në fuqi të botës: “Ne i dimë cilësitë tona, nuk është surprizë. E mbajtëm mirë linjën, patëm disa raste. Sidoqoftë, jo gjithmonë bëmë zgjedhjen e duhur në pasimin e fundit”.
Holanda është tashmë në vendin e parë në grupin D me 4 pikë dhe e sheh veten një hap larg kualifikimit në 1/8 finale. Të martën do të përballet me Austrinë, e cila ka 3 pikë, ndërsa Franca, po me 4 pikë sa holandezët, do të përballet me Poloninë tashmë të eliminuar.
Burimi