Chiellini e bën “copë-copë” Rafa Leaon: I mungon diçka te koka, nuk vlen gjithë ato para
Gjykimi i Giorgio Chiellini për Rafael Leaon është shumë i ashpër. Një goditje apo shuplakë në dyluftim e sipër do ta kishte lënduar më pak se fjalë të tilla nga ish-mbrojtësi i kombëtares italiane. Mjaftoi një pyetje për të sqaruar se çfarë mendimi ka për sulmuesin e krahut të Milanit.
Ai e përkufizoi portugezin si një “zëvendësues”, që nuk vlen gjithë ato para (170 milionë është vlera e klauzolës që mund të aktivizohet brenda 10 ditëve të para të korrikut), të vendosura si dry në kontratën e tij me klauzolë. “Ju shihni Vinicius dhe Mbappé, pastaj shihni atë dhe e bëni lehtë dallimin…”, – tha me ironi Chiellini.
Deri më tani, në Kampionatin Evropian, portugezi është bërë lajm për kritikat që mori mbi debutimin e tij kundër Republikës Çeke (u zbeh pas një fillimi të mirë) dhe tentativat simuluese që e bënë Daniele ‘Lele’ Adani të turpërohej “live” në TV, duke e kritikuar si qëndrim të papranueshëm. Ndaj Turqisë (ndeshje e fituar nga portugezët 3-0) u ul përsëri në stol pas 45 minutash.
Ai duhej (mund të ishte) një nga yjet e ndritura në Gjermani, por përkundrazi ka përfunduar në prapaskenë. Në krahasim me të, Kvicha Kvaratskhelia është një gjigant në mënyrën se si e tërhoqi “zvarrë” Gjeorgjinë drejt 1/8 finale të Europianit. Analiza e Chiellinit nis nga një konsideratë e parë: bashkëjetesa e pamundur me Cristiano Ronaldon.
“Jota është shumë më funksional në lojën e tij, sepse ata mund të shkëmbejnë pozicione. Leao, nga ana tjetër, gjithmonë bën një prekje shtesë, që e largon atë nga shpejtësia”.
Dhe kur reflektimi bëhet i thellë për Leaon, përcaktimi është i dhimbshëm. Chiellini nuk i kursen asgjë, sikur ta kishte përballë: “I mungojnë numrat dhe potenciali i tij është i pashprehur të paktën tani për tani. Vetëm një gjuajtje në portën kundërshtare gjatë tri ndeshjeve të Europianit për një lojtari të madh, sa gjë e shtrenjtë”.
Po cili është problemi i portugezit të Milanit? Ish-lojtari i Juventusit nuk ka dyshime: “Nuk e di nëse do të jetë në gjendje të bëjë ndonjëherë përmirësim në kokën e tij”.
Pikërisht mentaliteti, që ka të bëjë me kokën e tij, e vendos Leaon në një pozicion rezervë, duke e reduktuar atë në dimensionin e një “zëvendësuesi të mirë” dhe jo një “startues i përhershëm” i një kombëtareje apo një ekipi që ka ambicie për të fituar në Europë:
“Nëse doni të ngrini stekën dhe ta krahasoni atë me lojtarë të nivelit të Vincius e Mbappe, atëherë e kupton diferencën e madhe. Më së shumti, Leao mund të jetë pjesë e një ekipi që fiton, por jo të jetë lidershipi i një trofeu ekipor. Këto janë dy gjëra të ndryshme”.
Burimi