Arrestohen babë e bir, shantazhuan familjen Schumacher se do të publikonin të dhëna për gjendjen e pilotit
Një baba dhe djali i tij qëndrojnë pas tentativës së fundit për shantazh ndaj familjes së ish-kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, i cili u plagos rëndë në një aksident me ski në vitin 2013. Kjo u raportua nga zyra e prokurorisë gjermane në Wuppertal, e cila po heton rastin.
Më parë prokuroria kishte njoftuar vetëm se po hetonte “një rast shantazhi ndaj një personi të famshëm”. Kryeprokurori Wolf-Tilman Baumert shtoi se disa urdhër-arreste janë ekzekutuar në lidhje me akuzat, siç raporton “Der Spiegel”. Sipas prokurorisë, dy burra të moshës 53 dhe 30 vjeç nga Wuppertal u përpoqën të shantazhonin familjen e 7 herë kampionit të botës.
Të dy pretendonin se posedonin dosje, publikimi i të cilave nuk do të ishte në interes të familjes. Në këmbim do të kishin kërkuar një shumë prej miliona eurosh, përndryshe të dhënat do të publikoheshin në “darknet”. Sipas Prokurorisë, autorët e dyshuar të tentativës së shantazhit i kanë dërguar dosje individuale familjes Schumacher për të nënvizuar seriozitetin e kërcënimit të tyre.
Gjurmueshmëria teknike e këtyre dosjeve çoi më pas në dyshimin e babait dhe djalit të tij. Dy të dyshuarit kryesorë u arrestuan më 19 qershor në parkingun e një supermarketi në Gross-Gerau, Hesse, dhe aktualisht ndodhen në paraburgim. “Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë një gjobë ose dënim me burg deri në pesë vjet“, tha kryeprokurori.
Kjo nuk është hera e parë që familja Schumacher vihet në shënjestër të kriminelëve. Në vitin 2017, Gjykata e Rrethit Reutlingen dënoi një 25-vjeçar me 21 muaj dënim me kusht për tentativë shantazhi. Burri i kishte kërkuar gruas së Schumacher 900 mijë euro, nën kërcënimin se mund t’i ndodhte diçka fëmijëve të tij. Muajin e kaluar, familja e Schumacher fitoi një veprim ligjor kundër një botuesi reviste që publikoi një intervistë të krijuar me Michael Schumacher.
Burimi