Armand Duka: “Organizimin me Serbinë unë e shoh vetëm si event sportiv”

Armand Duka: “Organizimin me Serbinë unë e shoh vetëm si event sportiv”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke folur për emisionin “AS” në Radio Televizionin e Kosovës, ka shpjeguar kandidimin për organizimin e UEFA EURO U21 2027 së bashku me Federatën Serbe të Futbollit, duke nënvizuar se është vetëm një event sportiv dhe nga ky organizim Shqipëria përfiton shumë.
Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA në Tiranë në shtatorin e vitit 2025 ishte një çështje tjetër që Presidenti Duka foli në emisionin sportiv “AS”, duke e konsideruar një ngjarje shumë të rëndësishme që do ta vendosë Shqipërinë në hartën e Evropës.
Gjithashtu, kreu i Federatës u ndal edhe te performanca e Kombëtares në Nations League dhe shtoi se dy ndeshjet e radhës në muajin tetor në transfertë janë kyçe për renditjen përfundimtare.
“Ne kemi aplikuar për të organizuar Kampionatin Europian U-21 2027 në Shqipëri. Kemi aplikuar si Federatë e vetme dhe pastaj duke parë dhe aplikuesit kemi bashkuar kandidaturën bashkë me Federatën Serbe të futbollit për të organizuar Kampionatin Europian. Arsyet unë i kam sqaruar edhe më parë se pse kemi bashkëpunuar me një Federatë tjetër, për shkak të mungesës së infrastrukturës për të mbuluar të gjithë Europianin. Serbia ishte shteti më i mundshëm që mund t’i plotësonte këto kritere, pasi në garë ishin vetëm katër federata, ajo Shqiptare, Serbe, Turke dhe e Belgjikës.
Për ne është një ngjarje e madhe sportive. Organizimi i Kampionatit Europain U-21 që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Benefitet për Shqipërinë janë të shumta. Infrastruktura e vendit merr një zhvillim të madh, padyshim edhe nga Kampionati Europian U-17 që do të zhvillohet në vendin tonë në vitin 2025. Unë e shoh vetëm si një event sportiv”.
Burimi