Ka bërë shumë bujë në mediat sociale një artikull investigativ i gazetës së njohur amerikane ‘Washington Examiner’. Në shkrim theksohet se Edi Rama ka ngritur një narkoshtet në Shqipëri.
Më tej, gazetari Tom Rogan thekson se administrata e Donald Trump nuk duhet të mbyllë sytë për lidhjet e Edi Ramës me kartelet e drogës. Shkrimi është shpërndarë masivisht në rrjetet sociale. Vetë autori, Tom Rogan, një ekspert sigurie me burime të shumta në qarqet e sigurisë, ka postuar disa mesazhe.
“Në minimum, është e qartë që Rama e ka lejuar Shqipërinë të kthehet në një shtet mafioz që ofron strehë të sigurt për disa nga kriminelët më të rrezikshëm ndërkombëtarë dhe burimet e tyre të paligjshme. Në rastin më të keq, njësoj si Maduro në Venezuelë, Rama është boss-i që mundëson këtë veprimtari, duke u pasuruar vetë dhe duke pasuruar aleatët e tij në këmbim të një pjese të fitimeve,” shkruan ai.
Sipas Rogan, Rama është i lidhur me njeriun kyç të kartelit të Sinaloas.
“Luftar Hysa paraqitet si një biznesmen i njollosur padrejtësisht si mafioz. Realiteti, sërish, sipas disa burimeve të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit që i kanë folur Washington Examiner, është se Luftari është një nga pastruesit kryesorë të parave për kartelin e Sinaloas”.
Tag: njeriun
-

Narkoshteti shqiptar/ Gazetari amerikan: Rama i lidhur me njeriun kyç të Sinaloas meksikane
-

Erlind Sulko: Dashuria e zhvesh njeriun
Nga Erlind Sulko
Sa më i zhvilluar të jetë qytetërimi, sa më të ndërlikuara të jenë normat shoqërore të sjelljes, aq edhe më i shtirur dhe i pispillosur është njeriu. Por, në kundërshtim me këto veshje të shumëllojshme, me këto kollare që të mbysin, me këto këpucë që të vrasin, me këto fustane që të ngjeshin, dashuria e zhvesh njeriun. Për të tjerët nuk do e bëje, por për dashurinë e bën: heq turpin, mbathjet edhe sytienat. Sado të hijshme të jenë dantellat, ato janë veç një joshje drejt lakuriqësisë fillestare, drejt prekjes së drejtpërdrejtë të trupit me trupin, drejt qenies së kulluar. Dashuria e zhvesh njeriun në kuptimin tërësor të fjalës: e zbulon trupin dhe shpirtin.
Dashuria zbulon trupin: para aktit dashuror, hidhen tej armët, zgjidhen këpucët, zbërthehet këmisha, hiqen pantallonat. Pak nga pak dashuria e zhvesh njeriun derisa ai mbërrin te thelbi i vetvetes: te lakuriqësia fillestare. Nuk është aspak çudi që njeriu para mëkatit fillestar ishte i zhveshur, pasi bota para mëkatit ishte një dashuri e pakohë. Me ardhjen e mëkatit erdhi koha, ndërgjegja, turpi, veshjet, urrejtja, lakmia dhe vrasja.
Dashuria e kthen trupin te trupi dhe jetën sërish te jeta: e zhvesh njeriun nga veshjet e përkohshme dhe shtirjet, dhe ngul atë te prekja e ëmbël e trupit, te ngjizja e përjetësisë. Bota dhe vdekja të ngasin tërthorazi, por dashuria të prek e të ngjeth drejtpërdrejtë: ti je ballë për ballë tjetrit, në pakohësinë e atij çasti të amshuar.
Dashuria e zhvesh njeriun nga vetja: ti përhumbesh krejtësisht. Nuk përhumbesh te tjetri, pasi edhe tjetri është i përhumbur te ti. Por në atë çast, në atë prekje të trupit me trupin, koha çahet si një fik i pjekur. Dhe ti kënaqesh me përjetësinë e pranisë së kulluar. Nuk e di se ku je, dhe gjithësia lëviz kur ti lëviz dorën. E kaluara dhe e ardhmja bashkohen në prekjen e lakuriqtë të trupit. Dashuria lidh kohën dhe njeriun me qenien e kulluar, me praninë e amshuar.
Dashuria e zhvesh shpirtin, po, po: e zhvesh atë nga dituria, nga ndarjet etnike dhe fisnore. Dashuria e njëmendtë zhduk ndarjet konceptuale: kur ti je përballë tjetrit, ti je përballë vetvetes. Nuk ka më rëndësi se çfarë mendimi ka tjetri për taksimin progresiv apo për kritikën e Humit ndaj arsyetimit induktiv. Ti je zhytur te tjetri si drejt detit. Rëndësi ka prania e kulluar, jo përsiatjet dhe pyetjet. Prandaj dhe Shën Pali me të drejtë shkruan se kush pagëzohet dhe hyn në mbretërinë e dashurisë, për ta: “Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu” (Galatasve 3:28). Të bashkuar në një: kjo është fuqia hyjnore e dashurisë. Atë që dija e ndan, dashuria e bashkon.
Shpesh dashuria për njeriun dhe dashuria për Hyun shfaqen si të kundërta. Dashuria e trupit shfaqet si dashuria e turpit: një kënaqësi e përkoshme, një dashuri vetjake për t’u shijuar vetëm në fshehtësi. Ndërkohë, dashuria e shpirtit si një virtyt krenar dhe publik, si një ideal shoqëror për t’u ndjekur. Por ky përfaqësim ballafaques që e shfaq dashurinë trupore si një fshehtësi të turpshme, në kundërshti të plotë me dashurinë shpirtërore, është menjëmend një nga tundimet më të ndyra të qytetërimit. Pasi një qytetërim që fut dashurinë e trupit në luftë me dashurinë e shpirtit, pjell një jetim skizofren: njerëz që përherë ndihen të huaj brenda vetes.
Dashuria e trupit, si një kafe mëngjesi, të josh me erëmimin e ëmbël drejt dashurisë shpirtërore. Sepse, siç shkruan edhe poeti i madh amerikan, Uitman, në poezinë e tij të mirënjohur “Këndoj trupin drithërues”: dhe nëse trupi s’është shpirti, ç’është shpirti? Përgjigja nuk jepet, pasi përgjigjen e dimë thellë brenda vetes: shpirti pa trupin është një trajtë e zgavërt, një hiçgjë e madhe. Por, po ashtu, edhe trupi pa shpirtin është përmbajtje e rrëmujshme, dëshirë pa qëllim, ecje pa fund: nuk mund të thuash as edhe një përmbajtje, një dëshirë, një ecje, pasi është pikërisht shpirti që e bashkon trupin në një. Me këtë dua të them që dashuria trupore dhe dashuria shpirtërore janë të pandashme nga njëra-tjetra, pasi, siç i mëshon edhe Shën Toma Akuini, shpirti është thjesht trajta e trupit. Në këtë kuptim, dashuria shpirtërore është një pasqyrim i thelluar i dashurisë fizike: siç trupi zhvishet nga rrobat dhe armët para dashurisë së tjetrit, ashtu edhe shpirti zhvishet nga mendimet dhe arsyetimet para dashurisë së Hyut.
Dashuria bashkon dhimbjen dhe kënaqësinë. Nuk është aspak çudi që, si akti dashuror, ashtu edhe lindja lidhin vuajtjen me ngazëllimin, dhimbjen me këndelljen, pasi asgjë e re nuk mund të lindë po nuk vdiq diçka e vjetër. Kështu është shkruar para se të lindte e reja: “Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes…”. Aty ku mbretëron mospërfillja, aty do të lulëzojë vdekja. Por aty ku ka kryqëzime dhe dhimbje, aty do të çelë dashuria.
ObserverKult
Lexo edhe:
KUJTIM M. SHALA: RUGOVA MEDITANS
-

‘Kanë gjetur njeriun perfekt për ta bërë këtë detyrë’, Hoxha: Joni Keta personi i duhur për të drejtuar BKH-në
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar sot emrin e propozuar për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit.
I ftuar në një studio televizive, Hoxha tha se Joni Keta është një individ me karrierë të vetën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Sipas gazetarit, Keta është edhe një njohës i mirë i SPAK-ut, që sipas tij e bën të jetë njëriu i duhur në krye të BKH-së.
“Mua më bëhet qejfi që njeriu që do ta drejtojë Byrën Kombëtare të Hetimit është një person që vjen nga radhët e BKH-së. Unë mendoja që duhet të ishte një person që nuk mund të them kam lobuar, por kam mbështetur dhe kam promovuar pikërisht këtë person, Joni Ketën. Babai i tij është prokuror i vjetër me shumë eksperiencë. Joni vetë ka një karrierë të vetën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Unë aty e kam ndeshur. Për herë të parë unë e kam ndeshur si hetues. Ai njeh njëkohësisht edhe SPAK-un, është njeriu i duhur për ta bërë këtë gjë. Deri në këtë moment unë mendoj që zgjedhja e zotit Joni Keta është një zgjidhje për mua shumë e mirë, mbase perfekte, dhe ai është një njeri që e njeh mirë punën, njeh bashkëpunimin që duhet të jetë midis BKH-së dhe strukturës së Prokurorisë. Unë besoj që kanë gjetur njeriun perfekt për ta bërë këtë detyrë”,-tha Hoxha. -

Agim Baçi: “Letërsia është turp!”
Nga Agim BaçiShkrimtari Liridon Mulaj, ishte shqetësuar se disa nxënës në një shkollë të Korçës ishin shprehur se kishin turp të shkruanin letërsi! Fëmijët që shkruanin i kishin thënë se ndjeheshin të turpëruar përpara shokëve dhe shoqeve të klasës dhe se për shkak se lexonin dhe shkruanin poezi e romane ndjeheshin, jo pak herë të bullizuar nga shokët dhe shoqet e klasës.Por, ne të dy Liridon, dhe shumë nga ata që shkruajnë, duhet edhe të pranojmë se letërsia, pra fuqia e fjalës, ajo që ka ftuar njeriun të mendojë, vëzhgojë, besojë, e më pas edhe ta bindë të gjejë rrugët që të jetë i drejtë, ka qenë “diçka e turpshme” përballë atyre që besojnë se letërsia, dija, kultura në përgjithësi, mund ta ndalojë nga guximi për t’i marrë tjetrit atë që nuk është e tij, që të pushtojë një pronë, që të duartrokasë të fortin, të mbyllë sytë përpara padrejtësisë. Dhe sot, i dashur Liridon, kur në shoqëritë tona, është krijuar bindja se po të jesh i ndershëm dhe i drejtë është e kotë, atëherë edhe letërsia, që ka ftuar Njeriun të bëjë pyetje për veten e botën, është e kotë, madje është turp. E ke parë që sot njerëzit heshtin përballë të keqes? Epo letërsia do u thoshte të mendonin më përtej hundës së tyre, që të mendojnë për të nesërmen, të mendojnë për këtë vend. A nuk qenka letërsia “ky mëkat” që i bën njerëzit të jenë më të matur përballë tjetrit, më pranues ndaj asaj që është ndryshe nga ne, apo që të jenë kundërshtues të së keqes?Por ata që janë të ndershëm sot shihen si “naivë”, si “prapa kohe”. Dhe për këto kuptime, i dashur Liridon, mos fajëso fëmijët. Për atë që nuk e kuptuan si duhet, për pafuqinë për të qenë të ndershëm, për guximin për të qenë i drejtë me veten dhe të tjerët, fajin më të madh e kemi ne, prindërit, që në praninë e tyre nuk arrijmë të jemi as lexues, as mbrojtës të së vërtetës. A e di ti se sa prindër janë sot në dilemë nëse duhet t’i mësojnë fëmijët të jenë të ndershëm, të drejtë? Sepse janë thyer, përkulur përpara të fortit, të padrejtit, vjedhësit, dhe mendojnë se edhe fëmijët do kenë të njëjtin fat.Ndaj, letërsia që e ka këshilluar Njeriun që nga fillimet e saj të gjejë rrugën drejt Vetes, drejt të Shenjtës, drejt Tjetrit, sot është “turp”, sepse kemi humbur pikërisht ato veti që letërsia ka ditur t’i bartë. Edhe kur ka provokuar, sërish letërsia, pra letërsia e mirë, ka mundur ta ruajë Njeriun dhe Njerëzoren. Kështu që letërsia – letërsia që ka ditur ta përshkruajë Njeriun me të gjitha ngjyrat- është thjesht “turpi ynë” që nuk lexuam amanetin e saj për të qëndruar Njeri.
ObserverKult
Lexo edhe:
-

A e bën stresi njeriun më hakmarrës, apo më solidar?
Kur jemi nën stres, veprojmë në mënyrë më bashkëpunuese dhe më bujare. Përballë një padrejtësie, jemi më të prirur të ndihmojmë viktimën sesa të ndëshkojmë autorin e fajit.
Arsyeja është se dëmtimi i të tjerëve kërkon më shumë përpjekje njohëse (kognitive) sesa ndihma ndaj tyre dhe truri, tashmë i ngarkuar nga tensioni, zgjedh rrugën më të lehtë.
Si u vërtetua?
Për të shkaktuar një gjendje stresi, studiuesit e Universitetit Normal të Pekinit bënë që gjysma e pjesëmarrësve në studim, të zhytnin duart në ujë akull të ftohtë për tre minuta.
Më pas, të gjithë u vendosën në rezonancë magnetike funksionale (fMRI) dhe u vunë përballë një situate padrejtësie: një person mbante për vete pjesën më të madhe të parave që duhej t’i ndante me dikë tjetër.
Pjesëmarrësit mund të ndëshkonin personin egoist (duke ia hequr paratë) ose të ndihmonin personin e dëmtuar (duke i dhënë para atij). / bota.al
-

Dritëro Agolli Oratoria e mendimit dhe kushtetuta morale e politikës shqiptare
DRITËRO AGOLLI – ORATORIA E MENDIMIT DHE KUSHTETUTA MORALE E POLITIKËS SHQIPTARE
Nga ILIR ÇUMANI
“10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000” – një refleksion për librin e ri të Dritëro Agollit, i cili vjen si një manifest për etikën, kulturën dhe qytetarinë politike.
Sapo më ra në dorë libri “10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000”, që është një nga botimet e rralla të kësaj fushe, me autor njërin prej personaliteteve më të dashur dhe më qëndror të letrave shqipe dhe kulturës sonë kombëtare, Dritëro Agolli.
Këtë libër ma dhuroi e bija e autorit, njëkohësisht mikesha ime e çmuar dhe e familjes, Elona.
Pas ikjes së të atit në amëshim, gjithmonë e më shumë ajo është kujdesur dhe vazhdon të kujdeset për gjithçka ka shkruar e ka lënë pas kjo mendje e iluminuar e kombit tonë, që ato të shohin dritën e botimit, që asgjë të mos ngelet nëpër sirtarët e errët të harresës, në rrjedhën e kohës që ikën pa u vënë re.
Botimi i këtij libri është një nismë e përbashkët dhe e lavdërueshme e Kuvendit të Shqipërisë, ku është arritur të përmblidhet në një volum mjaft domethënës e gjithë veprimtaria parlamentare e Dritëroit në vitet 1990–2000, përfshirë edhe publicistikën e tij, si analiza, intervista, epigrame dhe poezi të shkruara një pjesë prej tyre edhe në tryezën e deputetit, të gjitha këto në funksion të angazhimit të tij në politikë.Në vetvete, ky botim ka një peshë dhe vlerë të jashtëzakonshme nga të gjitha botimet e tjera që kanë paraardhur në këtë fushë dhe mund të konsiderohet mirëfilli pa asnjë ekuivok si një letërsi politike, falë mjeshtërisë së rrallë oratorike të Agollit.
Çdo fjalë dhe mesazh që ai ka përcjellë në publik përmes këtyre fjalimeve, intervistave, epigrameve e poezive, merr një peshë të rëndësishme si dëshmi historike e kohës dhe të bën të mendosh gjatë, duke reflektuar njëherazi për të gjithë dinamikën e ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, transformimeve ekonomike e sociale kur ato kanë ndodhur.
Në fakt, ka libra që nuk vijnë vetëm për të kujtuar një emër të madh, por për të na rikthyer në themel të vetëdijes sonë kombëtare e morale.
Një i tillë është edhe ky botim, që përmbledh dekadën më të ndritshme të fjalës publike të një prej personaliteteve më të urta e poliedrike, më filozofike e më përfaqësuese të kulturës tonë kombëtare.
Ky libër është më shumë se një përmbledhje oratorie — është një kushtetutë morale e sjelljes politike, një kod etik i mendimit dhe komunikimit publik, një manual që duhet të lexohet nga çdo parlamentar, funksionar i çdo niveli shtetëror, por edhe nga çdo qytetar që beson në forcën e fjalës së drejtë dhe të arsyes njerëzore.
Dritëro Agolli i dha politikës shqiptare një dimension që ajo nuk e kishte njohur më parë: moralin e arsyes dhe arsyen e dashurisë për njeriun.
Në çdo fjalim, debat apo reflektim, ai bëri të kuptohej se pushteti është për t’u shërbyer njerëzve, jo për t’u ngjitur mbi ta.
Fjalët e tij, edhe në momentet më të nxehta të debatit parlamentar, ruanin qetësinë e urtakut dhe dritën e filozofit. Ai fliste me kulturë, respekt, maturi dhe dashuri për vendin, duke treguar se politika nuk ka pse të jetë arenë luftënxitëse e urrejtjes dhe ndasive, por mund të jetë hapësirë bashkëjetese, një auditor i gjerë i mendimit dhe mirëkuptimit.
Në ligjërimin e Dritëroit, parlamenti nuk është thjesht një sallë debati, por tempulli i qytetarisë, ku fjala është e shenjtë dhe duhet të shërbejë për të ndërtuar urën mes politikës dhe popullit. Ai e konsideronte fjalën si përgjegjësi morale, jo si armë për të mundur kundërshtarin.
Në këtë kuptim, Agolli mbetet një model i rrallë i përfaqësimit politik shqiptar, që përmes kulturës, humorit të hollë dhe humanizmit të tij krijoi një formë të re të komunikimit parlamentar — komunikimin që e ngre nivelin e shoqërisë dhe e nderon njeriun.
Në një kohë kur gjuha e urrejtjes dhe e mllefit po zë gjithnjë e më shumë vend në hapësirën publike, fjalimet, intervistat dhe shkrimet e Dritëro Agollit janë një udhërrëfyes për shpëtimin moral të politikës shqiptare.
Ai është shembulli më i gjallë se si kultura mund të humanizojë pushtetin, se si letërsia mund të bëhet busull e mendimit politik dhe se si urtësia mund të zëvendësojë agresivitetin.
Ky libër duhet të lexohet si një kushtetutë e dytë, jo për rregulla dhe ligjet që miratohen, por për shpirtin e rregullit — për të na rikujtuar se një vend demokratik nuk mbahet vetëm nga ligjet, por edhe nga morali i atyre që i bëjnë dhe i zbatojnë ato.Në një Shqipëri që aspiron të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, modeli i Dritëro Agollit duhet të jetë busulla e re orientuese e politikës shqiptare. Ai na kujton se rruga drejt Evropës nuk është thjesht dhe vetëm një proces i gjatë e i vështirë negociatash e dokumentesh, me hapje kapitujsh e grupkapitujsh për t’u anëtarësuar në BE, por një rrugëtim normal kulture, qytetarie dhe sjelljeje që na mëson si të meritojmë plotësisht statusin e qytetarit evropian.
Në fjalimet e tij, Agolli fliste shpesh për njeriun e thjeshtë — për hallet, brengat dhe shqetësimet e tij të përditshme, për ekonominë e brishtë e të çaluar nga krizat politike të ricikluara, shpeshherë të panevojshme, por gjithmonë me kosto të lartë për vendin dhe shoqërinë.
Ai e ngriti zërin për pasigurinë që rëndonte mbi jetën e qytetarëve, për mungesën e ekuilibrit shoqëror, për padrejtësitë e vogla e të mëdha që rëndonin mbi njeriun e zakonshëm.
Në çdo fjalim të tij ndihej nevoja e ngutshme për një paqe të qëndrueshme sociale, për një frymë bashkëjetese që t’i rikthente shoqërisë besimin, mirëkuptimin dhe shpresën — një paqe aq e domosdoshme e aq e dëshiruar nga të gjithë.
Në qendër të fjalës së tij qëndronte gjithmonë njeriu i punës: fshatari dhe bujku që lufton me tokën, punëtori dhe minatori që përballet me vështirësitë e jetesës, studenti që endet mes ëndrrave dhe pasigurive, qytetari i zakonshëm që shpreson në një të ardhme më të mirë, më të drejtë e më të sigurt.
Agolli e dinte më mirë se kushdo se politika e humbet kuptimin dhe qëllimin e vet kur harron njeriun, kur pushteti shndërrohet në qëllim më vete dhe jo në mjet për të përmirësuar jetën tonë të përbashkët.
Ai besonte se demokracia e vërtetë nuk fillon me premtime, por aty ku pushteti përkulet me respekt për jetën, dinjitetin dhe dinamikën shpirtërore të çdo qytetari.
Në këtë kuptim, Dritëroi është më shumë se një shkrimtar apo deputet; ai është një shkollë e mendimit politik dhe moral, që duhet të studiohet në çdo auditor dhe të lexohet në çdo tavolinë qeveritare e parlamentare.
Kultura e tij ishte e rrënjosur në filozofinë e dashurisë, në besimin se njeriu i ndershëm është themeli i çdo institucioni. Ai besonte se pa kulturë, politika është veç retorikë, dhe se pa ndershmëri, ajo është një gënjeshtër kolektive.
Prandaj, fjala e tij duhet të rezonojë në të gjitha kapilarët e kohezionit social — nga Kuvendi te familja, nga shkolla te media, si model sjelljeje dhe frymë për një shoqëri demokratike që kërkon të përparojë me dinjitet.
Në dekadën e tij parlamentare, Dritëro Agolli solli një risi të madhe në historinë e parlamentarizmit shqiptar: rikthimin e kulturës dhe të filozofisë në politikë. Ai nuk e ngriti zërin për të dominuar, por për të shpjeguar; nuk përdori fjalën për të ndarë, por për të ndërtuar ura; nuk kërkoi të triumfonte mbi kundërshtarin, por mbi injorancën, mllefin dhe ligësinë që shpesh e deformojnë dhe e shëmtojnë debatin politik.
Në kohën e tranzicionit, kur shumëkush humbi besimin te fjala dhe politika, Dritëroi mbeti besimtari më fanatik dhe gardiani vetmitar në forcën e fjalës morale. Ai na la një trashëgimi të çmuar, jo thjesht në publicistikë, vargje, tregime apo romane, por edhe në modelin e politikanit që di të mendojë, të dëgjojë dhe të respektojë cilindo.
Ai ishte dhe mbetet filozofi i arsyes dhe urtaku i moralit publik, që i mësoi politikës shqiptare se etika nuk është luks, por nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare.
Libri i ri i Agollit, përpara se të lexohet si letërsi politike, duhet të shihet si një manual për parlamentarët e së sotmes dhe të së ardhmes, një pasqyrë e identitetit moral që duhet të ketë një përfaqësues dinjitoz i popullit.
Nëpërmjet tij, çdo deputet mund të kuptojë se politika nuk është privilegj, por përgjegjësi; se fjala publike nuk është armë, por shërbim; se të përfaqësosh popullin do të thotë të jetosh me ndërgjegje, me kulturë dhe me dashuri për njeriun.
Dritëroi mbetet zëri i arsyes në historinë e tranzicionit shqiptar, njeriu që e shndërroi Kuvendin në shkollë të qytetarisë dhe fjalën në akt moral. Ai është dëshmia e gjallë se kultura dhe politika nuk janë botë të ndara, por dy rrugë që takohen në pikën më të lartë të njeriut — në ndërgjegjen e tij.
Prandaj, ky libër nuk është vetëm për t’u lexuar, por edhe për t’u ndjerë, për t’u përvetësuar dhe për t’u kthyer në udhërrëfyes i një klase politike moderne që mendon me zemër dhe flet me mendje.
I njohur gjatë jetës si “Patriarku” i të majtës, Agolli dha një kontribut të jashtëzakonshëm në reformimin e forcës së tij politike, duke e nxjerrë nga hijet e një të shkuare të dhimbshme të epokës komuniste, dhe e njëjta aureolë që e shoqëroi brenda të majtës e ndriçoi edhe përtej saj, duke i shërbyer kombit si një monument i heshtur i moralit publik, si njeriu që i dha fjalës dinjitet dhe politikës shpirt.Nëse Shqipëria do të ecë me dinjitet drejt Evropës, duhet të marrë me vete amanetin e urtakut të saj të madh: të ndjejë gjithmonë vetveten të varur në pemën e moralit, siç thotë poeti francez Pol Elyar.
Aty ku fjala mban peshën si udhërrëfyese drejt përparimit dhe emancipimit shoqëror, ku njeriu të jetë në fokus, duke mbetur themeli i çdo shteti të drejtë, që e mat zhvillimin me dinjitetin dhe mirëqënien e qytetarëve të vet.
Vetëm kështu mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë, që respekton njeriun dhe trashëgon mençurinë e të urtëve dhe të parëve të saj. -

“E ka bërë demoni Xhorxh Soros”, Berisha kundër projektligjit për barazinë gjinore: Po përmbysni kodet e vendit
sali berisha para kuvendit
TIRANË- Një protestë është duke u mbajtur këtë të enjte në kryeqytet, kundër projektligjit për “Barazinë Ligjore”. Protesta ka nisur pak para nisjes së seancës së sotme plenare në Parlament.
Pak para se të futet në Kuvend për të ndjekur seancën plenare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim para gazetarëve. Ai e konsideroi projektligjin si pjesë e një “doktrine postmarksiste” që, sipas tij, synon të shkatërrojë familjen si qeliza themelore e shoqërisë.
Deklarata e Berishës:
Sjellin në parlament një ligj të doktrinës post-marksiste, doktrinës më çnjerëzore që qarkullon sot në botë, doktrinë që dallon nga ajo e Marksit, sepse ajo bazohej në shkatërrimin e pronës private, kurse kjo shkon edhe më tej në shkatërrimin e familjes si qeliza, si themeli i një shoqërie.
Ky ligj, i bazuar fund e krye në ideologjinë e ekstremit të majtë, përmbys Kushtetutën e vendit.
Përmbys kodet e vendit.
Përmbys trashëgiminë pozitive mijëravjeçcare dhe penalizon, ndëshkon të gjithë ata të cilët duhet të mbrojnë familjen dhe vlerat e saj, binaritetin e saj natyral, biologjik.
Penalizon ligjet, Kushtetutën e vendit, nenet e familjes.
Penalizon dhe përmbys nenet e lirisë së besimit.
Nenet e lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij.
De facto, në emër të përafrimit me direktivat evropiane, që është edhe mashtrimi më i madh, ligji çon me shpejtësi drejt totalitarizmit.
Ky ligj, për shqiptarët, i garantoj se është identik dhe i njëjtë me atë ligj që shpalli Shqipërinë shtet ateist në Kushtetutën më të keqe të vendit, atë të vitit 1974.
Në germë nuk e shpreh këtë ligji, por ligji duke detyruar iudeoligjinë e gjinisë me përkatësi të shumëfishtë, e gjinisë në të gjithë diversitetin e vet, ligji de facto dorëzon përfundimiisht Kuranin, Biblën, Talmudin në duart e censurës dhe të shtetit.
Dhe pas miratimit të këtij ligji, asnjë nga udhëheqësit moralë të besimeve fetare, nuk do mund t’i lexojnë ato ashtu siç janë sepse do konsiderohen se diskriminojnë.
Por ligji ndëshkon prindërit, të cilët do mund të penalizohen në rast se duan që djali i lindur i tyre djalë, këta duan që ai të rritet djalë dhe vajza, vajzë.
Pra në qoftë se ata i çojnë në shkollë me qëllim që t’u respektohet identiteti gjinor, ata do dënohen sepse faktikisht tani e tutje identitetin gjinor nuk do e përcaktojë natyra, biologjia, por do e përcaktojë shkolla dhe shteti me shumësinë e identiteteve gjinore, me diversitetin e tyre.
Të gjitha kodet e vendit bien.
Edhe njëherë, pretendimi se ky është përafrim me BE është mashtrimi më i madh në ëktë ligj, sepse direktivat e BE, që citohen në materialin e këtij ligji, në asnjë rresht, në asnjë frazë nuk bëjnë fjalë për shumësi, për gjini me diversitet të gjërë, nuk bëjnë fjalë për përkatësi gjinore të shumëfishta.
Pra, janë të gjitha mashtrime që bëhen në emër të një ideologjie demoni i së cilës, monstra e së cilës është Xhorxh Sorosi me miliardat e tij.
Ligji, de facto, shënon vendosjen e ekstremit të majtë, pasi pas miratimit të tij zhvlerësohen të gjitha përcaktimet ligjore të mëparshme të Kushtetutës, kodeve dhe triumfon çnjerëzorja, triumfon ajo ideologji, e cila për ët krijuar njeriun e ri, komunizmi njeriun e ri do e krijonte njeriun pa pronë, kurse post-marksisti, njeriun e ri e ka me gjini të shumëfishtë apo me diversitet të gjerë gjinor.
Kjo është një lloj tiranie ideologjike që vendoset mbi këtë popull.
Dhe i garantoj shqiptarët që do vazhdojmë betejën tonë të pandërprerë gjer në anulimin e këtij ligji.
Ky ligj nuk mund kurrë të pranohet me këto qëllime kaq të mbrapshta, kaq çnjerëzore, kaq antishqiptare, kaq antifamiljare. -

Përcjellja e ish kryeministrit/ Xhoana Nano: Sot dita më e errët e jetës…
Me lot në sy dhe zë të dridhur, Xhoana Nano, bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, mbajti një fjalë të ndjerë gjatë ceremonisë së lamtumirës për bashkëshortin e saj, duke e cilësuar ditën e sotme si më të errëtën dhe më të trishtuarën e jetës së saj.
“Të dashur miq dhe dashamirës, i nderuar kryeministër. Dita e sotme është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës. Po ndahem me njeriun që kalova çerek shekulli, me njeriun që më lidhën, përveç dashurisë, shumë ëndrra, shpresa dhe zhgënjime të përbashkëta,” tha ajo me emocion.
Xhoana Nano: Të dashur miq dhe dashamirës, i nderuar kryeministër. Dita e sotme është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës. Po ndahem me njeriun që kalova çerek shekulli, po ndahem me njeriun që më lidhën përveç dashurisë, shumë ëndrra, shpresa dhe zhgënjime të përbashkëta.
Sot është një nga ato ditët që nuk do ta doja ta jetoja kurrë. E tilla është kjo ditë edhe për fëmijët tanë.
Këtu e çerek shekulli më parë unë një vajzë e re, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di. Kisha rënë në dashuri, jo vetëm me Fatosin si njeriu, por kisha rënë në dashuri edhe me vizionin për një Shqipëri ndryshe, të një Shqipërie që lipsej të largohej nga barbaria, hakmarrjeve dhe të fitonte një kurs tjetër, civil modern dhe evropian. Këto do ti gjeja tek Fatosi.
-

Çka mendonte Viktor Hygo për ata që ju bëjnë keq të tjerëve?
“…kur u bëni keq të tjerëve, ju merrni përsipër një farë përgjegjësie. Duke vënë tjetrin në rrezik, ju vini edhe jetën tuaj në rrezik, sepse rrjedha e ngjarjeve mund t’iu përmbysë pa pandehur edhe ju.
Por kjo nuk e ndalon njeriun që është me të vërtetë i keq. Vuajtjet e njerëzve janë gëzim për të. Ai dëfren kur sheh tjetrin që sfilitet.
Vuajtjet e ngazëllejnë pa masë. Atij i këndon zemra kur sheh tortura. Ambicie, lakmi janë fjalë që duan të thonë se dikush flijohet për të kënaqur tjetrin. Sa gjë e trishtuar: edhe vetë shpresa mund të ketë një kuptim të mbrapshtë.
Të kesh mëri dikë, do të thotë t’i duash të keqen. Pse jo të mirën? Mos vallë sepse vullneti ynë priret më shumë nga e keqja?
Një nga detyrat më të rënda për njeriun e drejtë, është të shkulë vazhdimisht nga shpirti i tij një keqdashje që mezi duket. Pothuajse të gjitha dëshirat tona, po t’i këqyrësh hollë përmbajnë diçka që do na vinte turp t’i rrëfenim.
Por keqbërësi i përsosur – dhe në botë ka vërtetë një përsosuri të fëlliqur – ndjek këtë rregull: sa më keq për të tjerët, aq më mirë për mua. Ndërgjegjja e tij është një gufë e errët…”
(Shkëputur nga romani “Njeriu që qesh”)
ObserverKult
Lexo edhe:
GRUA, MOS LEJO ASKËND QË TË SHKARKOJË RRUFETË E ZEMËRIMIT MBI TY!
-

Koha e tregon njeriun e ndershëm, kurse të keqin e njeh për një ditë…
Foto ilustrim
Sofokliu, ishte një dramaturg që jetoi në Greqinë e Lashtë gjatë shekullit V-të Para Krishtit. Ai është një nga 3 shkrimtarët grekë të tragjedisë (dy të tjerët janë Eskili dhe Euripidi), veprat e të cilëve kanë mbijetuar deri në ditët e sotme.
Ai shkroi në total 123 drama, nga të cilat vetëm 7 kanë mbijetuar të plota:”Ajaksi”, “Antigona”, “Gratë e Trakisë”. “Edipi Mbret”, “Elektra”, “Filoktetët” dhe “Edipi në Kolonë”. Si shumë emra të tjerë të lashtë grekë, emri “Sofokli” ka një kuptim të veçantë.
Ai është një kombinim i dy fjalëve greke ‘sophos’ dhe ‘kleos’, që do të thotë përkatësisht “i mençur” dhe “i famshëm”.
Sofokliu ishte një nga 10 komisionerët, të cilëve iu ngarkua detyra e organizimit të rimëkëmbjes së brendshme dhe financiare të qytet-shtetit pas asaj ekspedite katastrofike. Akti i fundit i njohur i Sofokliut, ishte drejtimit i korit gjatë homazheve me rastin e vdekjes së Euripidit.
Ai mendohet se ka vdekur në vitin 406 ose 405 Para Krishtit, jo shumë kohë pas Euripidit.
Në vazhdim ObserverKult ua sjell disa thënie të zgjedhura të Sofokliut:
Të flasësh shumë është një gjë, të flasësh mirë është një tjetër.
Gëzimi më i madh është ai që nuk pritej.
Një fjalë e vetme na çliron nga pesha e dhimbjes- dashuria.
Askush nuk e do lajmëtarin që sjell lajme të këqija.
Nuk ka armik më të madh, se sa këshilla e keqe.
Bota është plot çudira, por çudia më e madhe nga të gjitha, është njeriu.
Hapeni mendjen, para se ta hapni gojën.
Koha e tregon njeriun e ndershëm, kurse të keqin e njeh për një ditë.
Asgjë nuk do të më bëjë të vuajë më shumë, se sa vdekja pa lavdi.E përgatiti: V.K.- ObserverKult
—————————–
LEXO EDHE:
Thënie nga DiCaprio: Vetëm ti mund t’i ndryshosh situatat e tua, mos fajëso asnjë për to