“Ende nuk e kemi një partner për tango”, u shpreh kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, duke folur për bisedimet e mundshme me Republikën e Bullgarisë për përparimin e Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane. Por, sa e gatshme është Sofja për të vallëzuar tango me Shkupin në një situatë kur përballet me probleme të brendshme – protesta masive dhe presion për dorëheqjen e Qeverisë?
Vetëm situata në Bullgari mund të çojë në atë që pala maqedonase të mos ketë me kë të bisedojë, tha profesori universitar Vasko Naumovski, i cili ka qenë ambasador në Uashington dhe ish-zëvendëskryeministër për Integrime Evropiane.
Ai theksoi se deri tani ka pasur iniciativa nga pala maqedonase për rritjen e besimit dhe mbajtjen e disa takimeve në nivel të lartë, por ato nuk janë pranuar.
“Tani mbetet e hapur pyetja nëse në muajt e ardhshëm Bullgaria do të ketë një skenë politike të qëndrueshme dhe do të jetë një partnere stabile me të cilën mund të hyjmë në bisedime të thella. Nëse skena politike atje vazhdon të destabilizohet, ne nuk do të kishim me kë të biem dakord, ose ajo që do të biem dakord nuk do të mbijetonte në Bullgari për një kohë më të gjatë”, tha Naumovski për Radio Evropa e Lirë (REL).
Më 1 dhjetor, Bullgaria u përball me disa nga protestat më të mëdha që nga vitet 1990, të nxitura nga buxheti që e propozoi Qeveria. Ekzekutivi e tërhoqi propozimin, por protestuesit kërkuan dorëheqjen e tij, kërkesë që u mbështet edhe nga presidenti Rumen Radev. Përveç planeve buxhetore, një nga faktorët që shkaktoi zemërim te qytetarët që dolën në rrugë dhe sheshe, siç thanë vetë ata, ishte korrupsioni.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka rëndësi pasi autoritetet maqedonase kërkojnë garanci se pas ndonjë ndryshimi kushtetues nuk do të ketë kushte të reja për integrimin evropian të vendit. Me ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut duhet të përfshijë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës. Kjo është një detyrë që vendi e mori në vitin 2022, pasi dy vjet më parë Bullgaria kishte vendosur veto për fillimin e negociatave të Shkupit me Bashkimin Evropian.
Ambasadorja gjermane konsideron se ekziston vullnet politik
Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis dy vendeve, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shkup, Petra Dreksler, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vlerësoi se “në të kaluarën e afërt mund të dallohen shembuj të mirë” se si ato mund të forcohen.
Si shembull, ajo përmend marrëveshjen për Korridorin 8, të cilën në nëntor e nënshkruan zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, dhe ministri bullgar për Zhvillim Rajonal, Grozdan Karadzhov.
Marrëveshja ka të bëjë me ndërtimin e një tuneli të përbashkët kufitar për nevojat e transportit hekurudhor.
“Ky është një investim nga i cili do të përfitojë e gjithë Evropa, kur të kompletohet rrjeti ynë evropian hekurudhor. Është diçka nga e cila do të përfitojnë fuqishëm të dyja vendet, do të forcojë ekonomitë tona, diçka që mund të nxisë edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas mendimit tim, padyshim që ekziston interes dhe vullnet politik për përparim, dhe këtë Gjermania e mbështet plotësisht, ashtu si edhe Bashkimi Evropian”, tha Dreksler, në intervistën për Shërbimin maqedonas të REL-it.
Aktivitetet në dy fronte
Por, si mund të vazhdohet më tej, duke marrë parasysh situatën aktuale në Bullgari?
Sipas Naumovskit, aktivitetet nga pala maqedonase duhet të vazhdojnë me paraqitjen e qëndrimeve të saj para institucioneve të BE-së, dhe me këtë të pritet që “institucionet evropiane ose shtetet anëtare të nisin që ta nxisin Bullgarinë që të heqë dorë nga e drejta e vetos”.
“Paralelisht me këtë, duhet të vazhdojnë edhe nismat për një qasje dypalëshe drejt zgjidhjes së këtij problemi me institucionet përkatëse në Bullgari. Përmes këtyre dy proceseve paralele, mund të shpresojmë se mund të bëjmë një hap përpara gjatë vitit të ardhshëm”, tha Naumovski.
Ndërsa mbetet e hapur pyetja se çfarë dhe nëse do të ndryshojë diçka në periudhën e ardhshme, pala bullgare deri tani ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se Maqedonia e Veriut është ajo që duhet të përmbushë detyrimet e saj.
Presidenti bullgar, Rumen Radev, deklaroi ditë më parë se me përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, Maqedonia e Veriut do të përshpejtojë ndjeshëm procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shpresoj që fqinjët tanë jugperëndimorë ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur për të hapur dyert për negociata për anëtarësim të plotë”, deklaroi Radev gjatë pritjes për përfaqësuesit e organizatave të bullgarëve nga Maqedonia e Veriut.
Mickoski: Nuk kemi informacione nga pala bullgare
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një bisedimi me gazetarët më 4 dhjetor, përsëriti qëndrimet e tij se nëse Maqedonia e Veriut bënë ndryshime kushtetuese, kjo mund të rezultojë me kërkesa të reja, prandaj nevojiten garanci.
“Ndryshimet kushtetuese janë vetëm fillimi. Edhe sikur nesër t’i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë, pyetja mbetet vetëm nëse për tre, gjashtë apo nëntë muaj do të ketë një kusht të ri”, tha Mickoski.
Ai theksoi se ka pasur nisma nga “disa vende me ndikim” në BE për takime me Bullgarinë në nivel të lartë, por shtoi se deri tani nuk ka informacione nga pala bullgare për gatishmërinë për bisedime.
Mickoski theksoi se është dilemë se si eventualisht Sofja do të donte të zhvilloheshin bisedimet. Nga njëra anë, u shpreh ai, Bullgaria pretendon se “kjo nuk është më një çështje dypalëshe” dhe se logjike është të bisedohet me Brukselin.
“Këtu pala bullgare thotë se mund ta zgjidhim vetë. Le të vendosin… Nëse është dypalëshe, jemi të gatshëm të bisedojmë me ta. Nëse jo, atëherë të bisedojmë me Brukselin”, tha Mickoski për gazetarët.
Ndërkaq, opozita ka kritika për këtë çështje. Lidhja Socialdemokrate (LSDM) e ka akuzuar Qeverinë se me qëllim po pengon rrugën evropiane, se nuk dëshiron reforma dhe nuk lejon funksionimin e shtetit ligjor.
Qeveria do të dëgjojë mesazhet për ndryshimet kushtetuese nga Brukseli
Ndërkohë, Këshilli i Evropës po përgatitet të miratojë konkluzionet për zgjerimin. Parashikohet që kjo të ndodhë më 16 dhjetor, periudhë kur kryeministri Mickoski dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë maqedonase do të jenë në Bruksel, ku do të mbahet edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Sipas draft-konkluzioneve, të cilat i ka parë më herët Radio Evropa e Lirë, Këshilli parashikon t’i bëjë një thirrje tjetër Maqedonisë së Veriut për të përmbushur detyrimet dhe për të kryer ndryshimet kushtetuese.
Sipas këtyre draft-konkluzioneve, Këshilli “konfirmon gatishmërinë e tij për të thirrur edhe një konferencë ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme apo vendime politike shtesë”.
Aty thuhet po ashtu se “Këshilli është i gatshëm të hapë grup-kapitullin e parë negociues sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Këto konkluzione bazohen në raportet e Komisionit Evropian të publikuara në nëntor lidhur me progresin e vendeve aspiruese për anëtarësim.
Tag: mickoski
-

Analiza: A mund të “vallëzojnë tango” Shkupi dhe Sofja?
-

‘Tragjedia në Koçan’, Mickoski: Procesi gjyqësor duhet të zhvillohet pa ndikim politik
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se procesi gjyqësor për rastin e zjarrit në disko-klubin “Puls” në Koçan duhet të zhvillohet pa asnjë ndikim politik. Megjithatë, ai paralajmëroi se ka parti të caktuara politike që po mundohen ta keqpërdorin dhimbjen e atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Personalisht mendoj se duhet të jetë kështu, nuk mund të jetë ndryshe. Por ka disa parti politike që, fatkeqësisht, mbi këtë rast dhe mbi dhimbjen e njerëzve që humbën më të dashurit e tyre, përpiqen të ndërtojnë karrierë politike. Prandaj nuk mund të themi se nuk ka ndikim politik, sepse disa politikanë dhe disa parti po mundohen ta keqpërdorin këtë tragjedi”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se ato parti vazhdimisht dërgojnë mesazhe politike, ndërsa ai, ndryshe nga ata, ka zgjedhur të heshtë dhe t’i lërë prokurorinë dhe gjykatat ta kryejnë punën e tyre.
“Duam një gjykim të drejtë, një proces që qartë do të identifikojë kush është fajtor, kush nuk është fajtor, e kështu me radhë”, tha Mickoski.
I pyetur për përfshirjen e ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë të akuzuar në rastin “Puls”, ai tha se do të përmbahet nga komentet për të mos u bërë pjesë, siç e quajti, “e atij ‘talogu’ politik që përpiqet të përfitojë me nekrofili”.
“Dhe nuk do të komentoj që të mos krijoj presion shtesë. Thjesht dua t’i inkurajoj të gjithë ata që janë pjesë e hetimit dhe e procesit që të akuzojnë sipas ligjit, dhe i lus të gjithë ata që kanë çfarëdo roli në këtë proces të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen”, theksoi Mickoski.
Sa i përket informacioneve se deri në fund të javës mund të ketë të pandehur të rinj, kryeministri u përgjigj se çdo koment i tij do të interpretohej si presion politik. “Çfarë kisha për të thënë, e thashë. Edhe një herë – i inkurajoj”, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se e mbështet vendimin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit për themelimin e një komisioni hetimor dhe mbikëqyrës për të gjitha tragjeditë e ndodhura gjatë viteve të fundit. “Absolutisht të gjithë fajtorët duhet të përballen me drejtësinë”, nënvizoi ai. Qytetarët, shtoi Mickoski, duhet të shohin se kush ka abuzuar, kush ka gabuar dhe kush mban përgjegjësi.
“Po e ndjek shumë me vëmendje debatin publik këto ditë. Nga opozita vijnë mesazhe kaotike. Për shembull, kryetari i LSDM-së nga njëra anë akuzon se gjyqësori dhe prokuroria janë nën presion politik nga kjo Qeveri që unë drejtoj, dhe tani, kur rasti është në prokurori dhe nisin procedurat në gjykatë, ai thotë ‘jo, ta zhvendosim debatin në Parlament’. Ata nuk e bëjnë këtë për të ecur deri në fund me procesin, sepse nuk kanë as mjete dhe as kredibilitet. Ata e bëjnë vetëm për ta politizuar çështjen, dhe kjo është forma më e ulët e politikës – një politikë nekrofile që e ndjek ai dhe partitë tjera të vogla”, tha Mickoski.
Nëse themi se gjyqtarët janë të pavarur, vazhdoi ai, atëherë logjikisht ky rast duhet të jetë në gjykatë. Mickoski shtoi se opozita po vepron me hipokrizi, duke thënë nga njëra anë se ka prokurorë dhe gjyqtarë cilësorë, ndërsa nga ana tjetër kërkon debat hetimor, pasi nuk u beson atyre./TV21
-

Maqedonia e Veriut sfidë Shqipërisë: Jemi shumë përpara Tiranës në rrugën drejt BE-së, ata janë pas nesh dhe Serbisë
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, duke komentuar raportin e progresit të Komisionit Evropian për vendin e tij, ka deklaruar se ka më tepër arritje se Shqipëria.
Mickoski tha se nuk pajtohet me deklaratën e disa komisionerëve evropianë se Shqipëria është përpara Maqedonisë në rrugën drejt BE-së.
Ai shtoi se tani, pas zgjedhjeve lokale, qeveria do të përqendrohet në reformat në gjyqësor.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur pas raportit, sepse nuk ka konstatuar regres në ecurinë e reformave.
Duhet pranuar se ka ngecje në disa fusha, dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor dhe në Prokurori.
Gjithsesi, ne jemi para Shqipërisë në arritje e reforma. Do të ishte më mirë nëse do të bënim ndryshimet kushtetuese, dhe pastaj nuk do të kishim një ‘veto’.
Mali i Zi është i pari, Maqedonia dhe Serbia në vendin e dytë, dhe pastaj vjen Shqipëria”, tha Mickoski. -

“Ngecje në përparim për negociatat”/ Mickoski e “lexon” ndryshe raportin e KE: Jemi para Shqipërisë
“Progres i kufizuar në fushën e drejtësisë, ngecje e theksuar në luftën kundër korrupsionit dhe mosrealizimi i ndryshimit të kushtetutës”-ishin disa nga kritikat në raportin e KE-së për Maqedoninë e Veriut, por që kryeministri i Hrisijan Mickoski i lexon ndryshe.
Në raport theksohej se Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në negociatat brenda këtij viti në union, ndërsa Mickoski shprehet se nëse realizohen ndryshimet kushtetuese, “do të jemi më të mirët, kampionët dhe do të marrim veto të re”.
Përveç ndryshimeve kushtetuese, Mickoski thotë se është jashtëzakonisht i kënaqur me vërejtjet në Raport sepse, siç thotë ai, vendi nuk po shkon prapa.
“Ka ngecje në disa fusha, të gjithë e dimë se cilat janë, që është sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Vazhdoj të them se nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor dhe në Prokurori. Tani, pas zgjedhjeve, do të merremi me këtë temë shumë më seriozisht. Në të gjitha fushat e tjera, ka pasur përparim të vogël ose të rëndësishëm, kështu që në përgjithësi mund ta vlerësoj Raportin si të mirë”, thotë Mickoski.
Sipas tij, vendi është shumë përpara Shqipërisë në tetë fusha, megjithëse, siç thotë ai, disa nga komisionerët evropianë bëjnë deklarata të tilla.
“Kur analizohet situata dhe gatishmëria e vendeve – vlerësimi objektiv është se Mali i Zi është i pari, në vendin e dytë jemi ne dhe Serbia, dhe pastaj vijnë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova. Por ne duhet të punojmë dhe do të punojmë. Unë jam absolutisht i përqendruar në reforma, kjo qeveri është reformiste dhe jam i inkurajuar nga mesazhet për reformat në fushën e ekonomisë, luftën kundër pastrimit të parave, futjen e një sistemi të përbashkët pagesash, doganat, roaming-un e lirë. Do të zbatohet në një mënyrë të tillë që ka shumë gjëra për t’u lavdëruar dhe kjo më inkurajon”, shtoi kryeministri. -

Mickoski pret fitore historike të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar sot lidhur me zhvillimet në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Ai shprehu optimizëm të plotë dhe parashikoi një fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin e saj.
“Bazuar në informacionin që kemi aktualisht në dispozicion, mund të them se dita e zgjedhjeve po kalon në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, siç pritej, dhe në përputhje me sjelljen e qytetarëve maqedonas. Pres që të përfundojë në të njëjtën mënyrë dhe që rezultatet të shënojnë një tjetër fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin,” tha Mickoski për mediat, pas votimit në qendrën e votimit në komunën Karposh.
Kryeministri votoi sot në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke theksuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të qetë dhe demokratik për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. -

Mickoski ngre alarmin: Kriza demografike kërcënon sistemin e pensioneve në Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut , Hristjan Mickoski, ka shprehur shqetësim të thellë për perspektivat demografike të vendit, duke paralajmëruar se brenda dy dekadave të ardhshme, popullsia mund të tkurret nën 1 milion, duke çuar në rrëzimin e sistemeve të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.
Duke prezantuar programin pesëvjeçar të bashkëpunimit të qeverisë me Fondin e Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Mickoski theksoi se vendi po përjeton një krizë të zgjatur demografike, e cila ka zgjatur për më shumë se 70 vjet, me numrin e lindjeve në rënie të vazhdueshme.
“Në vitin 1950, në vend kishte mbi 50,000 të porsalindur. Në vitin 2024, kemi vetëm rreth 16,000. Kjo rënie është për shkak të dy arsyeve kryesore: emigrimit të të rinjve dhe shkallës së ulët të lindjeve”, theksoi Kryetari Mickoski. Ai theksoi se qeveria e tij është plotësisht e vetëdijshme për seriozitetin e situatës dhe tashmë po punon në fusha të ndryshme, të tilla si krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e pagave dhe rritja e mundësive për të rinjtë.Edhe pse, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, popullsia e vendit ishte pak mbi 1.8 milion banorë, Mickowski vuri në dukje se numri aktual sot nuk i kalon 1.5 milion. Me më shumë se 700,000 punëtorë dhe rreth 350,000 pensionistë, pamja e ardhshme është shqetësuese.“Brenda 20 vjetësh, kam frikë se do të jemi një vend me më pak se një milion banorë. Atëherë, do të kemi një punëtor për çdo pensionist. Kjo do të thotë kolapsi i fondeve të pensioneve dhe fondeve shëndetësore”, tha ai.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u krye në shtator 2021 dhe sipas të dhënave të tij, popullsia e vendit arrin në 1,836,713 banorë, duke shënuar një rënie prej rreth 10% krahasuar me regjistrimin e mëparshëm në vitin 2002, që është një tjetër shenjë e presionit të fortë demografik me të cilin po përballet vendi. -

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut/ Mickoski: Fushata nuk duhet të jetë “teatër i premtimeve boshe”
Kryeministri maqedonas dhe kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, në prag të nisjes së fushatës lokale në Maqedoninë e Veriut tha se kandidatët e forcës së tij politike nuk duhet të mashtrojnë qytetarët.
Ai u bëri thirrje kandidatëve të tij, që të mos e kthejnë fushatën në një “teatër të premtimeve boshe”.
Mickoski: Në thelb, ata presin diçka edhe më të thellë, dinjitet dhe njerëzim. Fushata nuk duhet të jetë teatër i premtimeve boshe, duhet të jetë një urë midis së vërtetës dhe shpresës, për të treguar qëllim të sinqertë, e jo për të errësuar me iluzione. Është moment i bindjes, por moment pasqyrimi. Atje mund të shihni si popullin ashtu edhe personin që kandidohet, por edhe sinqeritetin e tyre të ndërsjellë. Pritjet janë gjithmonë të larta. Populli pret një jetë më të mirë, siguri, drejtësi dhe perspektivë. Por në thelb, ai pret diçka edhe më të thellë: dinjitet dhe humanizëm, të mos mashtrohet, të mos trajtohet si mjet, por si qëllim, për mirëqenien e të cilit duhet të punohet me përgjegjësi dhe qëndrimi im në politikë ka qenë gjithmonë i ndershëm ndaj gjërave”,
Mickoski theksoi se korrupsioni është një taksë mbi të varfrit dhe sipas tij, VMRO-DPMNE duhet ta zhdukë atë.
Mickoski: Së pari, lufta kundër korrupsionit. Nuk ka përparim pa ndershmëri. Nuk ka drejtësi pa përgjegjësi. Korrupsioni është një taksë mbi të varfrit, dhe ne duhet ta zhdukim atë. Ose do të ketë drejtësi dhe rend, ose nuk do të ketë shtet! Ose politikanë të korruptuar, mafiozë ose Maqedoni! Ne do të jemi në ballë të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj! Dhe do ta shihni këtë! Së dyti, standardi i jetesës së qytetarëve. Detyra jonë është të krijojmë kushte për një jetë dinjitoze, paga më të larta, një jetë të mirë për pensionistët, çmime të qëndrueshme, mbështetje për familjet. Në kushte të problemeve serioze ekonomike, inflacion që vështirë edhe në botë të qetësohet, kemi përgjegjësi dhe detyrim të miratojmë masa dhe hapa që do t’u sjellin dobi qytetarëve dhe do të rrisin dhe përmirësojnë standardin e tyre të jetesës. -

Përgjime politike në Maqedoni? Mickoski: Shërbimet sekrete punonin për qeverinë, më përgjonin…
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka pretenduar se gjatë mandatit të tij si udhëheqës i opozitës kryesore, nga viti 2019 deri në vitin 2024, ai është monitoruar sistematikisht nga shërbimet sekrete të vendit. Ai tha se shërbimet sekrete kanë monitoruar gjithashtu biznesmenë dhe gazetarë të ndryshëm gjatë kësaj periudhe.
“Është fakt që, ndërsa ishim në opozitë, si Agjencia e Inteligjencës [AR] ashtu edhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare [ANB] ishin të përfshira plotësisht me partinë më të madhe opozitare në atë kohë dhe me mua”, tha Mickoski.
Kreu i shërbimit sekret të vendit (Shërbimi i Sigurisë Kombëtare), Bojan Hristovski, deklaroi se ish-kreu i Shërbimit, Viktor Dimovski, dhe një grup bashkëpunëtorësh të tij të ngushtë kishin urdhëruar mbikëqyrjen e Hristijan Mickoskit, si dhe të një numri gazetarësh dhe biznesmenësh, të cilët i konsideronin “të rrezikshëm” për qeveritë e asaj periudhe (qeveritë socialdemokrate të Zoran Zaevit dhe Dimitar Kovačevskit).
Hristovski shtoi se Shërbimi i Sigurisë Kombëtare tashmë i ka dërguar Prokurorisë së vendit tre raporte me prova që konfirmojnë akuzat për mbikëqyrje. Prokuroria njoftoi nisjen e një hetimi paraprak për të hetuar akuzat për mbikëqyrje të Mickoskit, gazetarëve dhe biznesmenëve.
Megjithatë, si Mickoski ashtu edhe Hristovski shmangën dhënien e detajeve ose provave për të verifikuar pretendimet e tyre, duke sqaruar se dokumentet përkatëse janë të klasifikuara dhe nuk mund të bëhen publike.
Nga ana e tij, ish-kreu i Shërbimit të Sigurisë Kombëtare, Viktor Dimovski, i mohoi kategorikisht akuzat, duke deklaruar se shërbimet sekrete nuk e kishin monitoruar Hristijan Mickoskin gjatë periudhës në fjalë. Ai madje i bëri thirrje menaxhmentit aktual të Shërbimit që të vazhdojë me deklasifikimin e dokumenteve përkatëse, nëse ka prova të tilla.
Nga ana e tij, kreu i Partisë Social Demokratike (SDSM) në opozitë, Venko Filipce, shprehu shqetësim se akuzat mund të çojnë në një “gjueti shtrigash” dhe bëri thirrje për deklasifikimin e dokumenteve në mënyrë që të sqarohet situata dhe të shmanget tensioni i mëtejshëm politik.
Hristian Mickoski është kreu i partisë VMRO-DPMNE, e cila është partia kryesore konservatore në Maqedoninë e Veriut. Që nga viti 2017, ai ka udhëhequr opozitën në vend, duke kritikuar shpesh qeverinë e Zoran Zaev dhe Social Demokratëve (SDSM). Ai mori detyrën si Kryeministër i vendit në qershor 2024.
Maqedonia e Veriut ka një histori “të pasur” të mbikëqyrjes së paligjshme. Skandali më i madh i tillë u zbulua në vitin 2015 nga udhëheqësi i atëhershëm i opozitës kryesore të vendit, Zoran Zaev, i cili paraqiti publikisht prova për muaj të tërë që vërtetonin se qeveria e atëhershme e VMRO-së me kryeministrin Nikola Gruevski kishte monitoruar afërsisht 20,000 njerëz për vite me radhë, përfshirë politikanë, biznesmenë, gjyqtarë, diplomatë të huaj, etj. Zbulimet e Zaevit ishin një shkas për zhvillime dhe protesta masive antiqeveritare, të cilat, dy vjet më vonë, në vitin 2017, çuan në rënien e regjimit të Nikola Gruevskit.
-

Ndizet “lufta” në RMV, BDI akuzon kryeministrin për shpifje, Mickoski paralajmëron ndryshime në qeveri
Një përplasje e fortë politike ka shpërthyer mes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, pas deklaratave të këtij të fundit se BDI dhe LSDM po përgatisin një “plan të fshehtë” për të rrëzuar procesin zgjedhor.
Në një reagim të ashpër, BDI i cilësoi deklaratat e Mickoskit si “shpifje të pastra”, “tentativë e dështuar për të fshehur krizën e legjitimitetit të qeverisë” dhe “deklarata të rrezikshme që nxisin përplasje etnike”.
Partia shqiptare akuzoi Mickoskin se po krijon “armiq imagjinarë” për të shmangur përgjegjësinë për shkelje të Kushtetutës, diskriminim ndaj shqiptarëve dhe instrumentalizimin e institucioneve shtetërore si KSHZ-ja dhe Gjykata Kushtetuese.
BDI theksoi se zgjedhjet e tetorit do të shërbejnë si një “referendum” ku qytetarët do të ndëshkojnë “politikën e frikës dhe manipulimit”, duke shtuar se as shqiptarët dhe as maqedonasit nuk meritojnë të udhëhiqen nga “skenarë të rremë”. Partia paralajmëroi se nuk do të qëndrojë indiferente ndaj shkeljes së Marrëveshjes së Ohrit.
Mickoski paralajmëron ndryshime pas zgjedhjeve
Deklaratat e Mickoskit erdhën gjatë një fjalimi në panairin e kryetarëve të komunave të VMRO-DPMNE. Ai akuzoi LSDM-në dhe BDI-në se, përmes “inflacionit të kandidaturave të pavarura dhe listave fantome”, po synojnë qëllimisht ta rrëzojnë procesin zgjedhor dhe “ta turbullojnë pamjen e qartë të disfatës së tyre historike”.
Ai tha se zgjedhjet lokale nuk do të shërbejnë si “dera për hyrjen e BDI-së në qeveri”. Mickoski shtoi se pas zgjedhjeve të tetorit do të ketë një riorganizim të Qeverisë me “njerëz të rinj” për të “përforcuar kapacitetet” dhe për të ecur “më guximshëm” në rrugën e ndryshimeve. -

Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, kryeministri i RMV Mickoski dënon aktin: E papranueshme, do të hetojmë rastin
Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, kryeministri i RMV Mickoski dënon aktin: E papranueshme, do të hetojmë rastinGjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan thirrje me përmbajtje nacionaliste dhe ksenofobike ndaj shqiptarëve, duke shkaktuar reagime të forta nga politikanët vendas dhe rajonalë.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, dën…