Vritet modelja transgjinore, ndërsa parlamenti miratoi ligjin ‘anti-LGBTQ+’

Një modele e njohur transgjinore gjeorgjiane është vrarë, thanë zyrtarët lokalë, një ditë pasi qeveria miratoi legjislacionin që do të vendosë kufizime gjithëpërfshirëse për të drejtat e LGBTQ+ në vend.
Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se Kesaria Abramidze, 37 vjeçe, besohet të jetë vrarë me thikë në banesën e saj në periferi të Tbilisi të mërkurën. Mediat gjeorgjiane më vonë raportuan se një burrë ishte arrestuar në lidhje me krimin.
Abramidze ishte një nga figurat e para trans publike të vendit. Vdekja e saj, vjen pas legjislacionit të diskutueshëm mbi “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”, që do t’i lejojë zyrtarët të nxjerrin jashtë ligjit ngjarjet e Krenarisë dhe të censurojnë filmat dhe librat.
Ligji, i cili u miratua nga parlamenti gjeorgjian të martën në leximin e tij të tretë dhe të fundit, përfshin ndalimin e martesave të të njëjtit seks dhe trajtimet që konfirmojnë gjininë. Pritet të jetë një tjetër pike mosmarrëveshjeje midis Gjeorgjisë dhe BE-së, ndërsa vendi kërkon të bashkohet me bllokun.
Kritikët argumentojnë se projektligji, i prezantuar fillimisht nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane në verë, pasqyron ligjet e miratuara në Rusinë fqinje, ku autoritetet kanë zbatuar një sërë masash represive anti-LGBTQ+ gjatë dekadës së fundit.
Megjithëse motivi pas vrasjes së Abramidze mbetet i paqartë, vdekja e saj solli reagime të shpejta nga shoqëria civile gjeorgjiane, si pjesë e një fushate shtetërore kundër pakicave në vend.
Nën partinë Ëndrra Gjeorgjiane, e cila ka marrë një qëndrim gjithnjë e më anti-liberal , vendi ka parë një rritje të dhunës kundër personave LGBTQ+.
Vitin e kaluar, qindra kundërshtarë të të drejtave të homoseksualëve sulmuan një festival LGBTQ+ në Tbilisi, duke e detyruar eventin të anulohej. Këtë vit, dhjetëra mijëra njerëz marshuan në kryeqytet për të promovuar “vlerat tradicionale familjare”, në një ngjarje ku mori pjesë partia në pushtet dhe kisha ortodokse thellësisht konservatore dhe me ndikim.
“Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis përdorimit të gjuhës së urrejtjes në politikë dhe krimeve të urrejtjes,” tha Qendra e Drejtësisë Sociale, një grup i të drejtave të njeriut me bazë në Tbilisi, në deklaratën e saj, pas vrasjes së transgjinores.
Të mërkurën, Josep Borrell, kryediplomati i BE-së, i bëri thirrje qeverisë gjeorgjiane të tërheqë ligjin e “vlerave familjare”, duke paralajmëruar se do të dëmtonte shanset e Gjeorgjisë për t’u bashkuar me bllokun.
Pas vdekjes së Abramidze, Michael Roth, kryetar i partisë Socialdemokrate i komitetit të punëve të jashtme të Bundestagut në Gjermani, i bëri jehonë kësaj thirrjeje. “Ata që mbjellin urrejtje do të korrin dhunë. Kesaria Abramidze u vra vetëm një ditë, pasi parlamenti gjeorgjian miratoi ligjin anti-LGBTI”, shkroi Roth në X.
Prezantimi i ligjit vjen vetëm pesë javë përpara zgjedhjeve parlamentare që shumë e shohin si një test për Gjeorgjinë, dikur një nga shtetet më properëndimore ish-sovjetike, tani do të zhvendoset drejt Rusisë./ The Guardian.
Burimi