Ukraina: Sanksionet ndaj Iranit për furnizimin me raketa të Rusisë s’mjaftojnë

Një zyrtar presidencial ukrainas tha të martën se Perëndimi duhet t’i përgjigjet dorëzimit të raketave nga Irani në Rusi, duke lejuar Kievin të kryejë sulme më thellë në territorin rus.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se Rusia kishte marrë tashmë raketa nga Republika Islamike, 2-1/2 vjet pas luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë. Ai tha se priste që Moska do të përdorte armë të tilla në javët e ardhshme.
Si përgjigje, SHBA do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit më vonë të martën, tha Blinken në një konferencë shtypi në Londër.
Ndërsa i përshkruan sanksionet kundër Iranit për dërgesat e raketave si një “hap pozitiv”, zyrtari i lartë presidencial ukrainas, Andriy Yermak tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.
“Ne gjithashtu kemi nevojë për autorizim për të përdorur armë perëndimore kundër objektivave ushtarakë në territorin rus, sigurimin e raketave me rreze më të gjatë veprimi dhe përmirësimin e sistemeve tona të mbrojtjes ajrore”, tha Yermak në platformën e mediave sociale X.
Kremlini nuk kishte komentuar ende mbi deklaratat e Blinken, por tha të hënën se po zhvillonte dialogun me Iranin në të gjitha fushat. Teherani ka mohuar furnizimin me raketa të Moskës.
Deri më tani, mbështetja ushtarake iraniane për Moskën ka qenë e kufizuar, kryesisht në dronët sulmues pa pilot Shahed, të cilët mbajnë një pjesë të eksplozivëve dhe janë më të lehtë për t’u rrëzuar sepse janë më të ngadalta se raketat balistike.
Reuters raportoi në gusht se Rusia priste dërgimin e qindra raketave balistike të tipit Fath- 360.
Kjo përkoi me inkursionin e befasishëm të Ukrainës në rajonin perëndimor rus të Kurskut, për të cilin Kiev tha se ishte pjesë e një lëvizjeje më të gjerë për t’i dhënë një fund të drejtë luftës. Ndërkohë forcat ruse vazhdojnë të avancojnë gradualisht drejt qendrës strategjike logjistike të Pokrovsk, në lindje të Ukrainës.
Aleatët perëndimorë të Ukrainës thanë se transferimi i raketave iraniane në Rusi do të sinjalizonte një përshkallëzim të konsiderueshëm të konfliktit.
Qeveritë e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë do të punojnë drejt vendosjes së sanksioneve ndaj Iran Air si përgjigje, sipas ministrisë së jashtme gjermane./ Reuters.
Burimi