Turqia heton vrasjen e aktivistes turko-amerikane në Bregun Perëndimor
Turqia njoftoi të enjten hetimin e saj për vdekjen e një aktivisteje turko-amerikane, e cila u qëllua dhe u vra nga forcat izraelite javën e kaluar, ndërsa protestonte ndaj vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministri i drejtësisë i Turqisë thotë se vendi i tij po heton vdekjen e një aktivisteje turko-amerikane që u qëllua dhe u vra nga forcat izraelite javën e kaluar, ndërsa protestonte ndaj vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Aktivistja 26-vjeçare nga Seattle po merrte pjesë në një demonstratë kundër vendbanimeve në territorin palestinez, kur u qëllua për vdekje të premten e kaluar. Izraeli po heton vrasjen e Aysenur Ezgi Eygi dhe ushtria e tij më vonë tha se ajo ka të ngjarë të ishte qëlluar “indirekt dhe pa dashje” nga ushtarët.
Ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunc tha të enjten se zyra e kryeprokurorit të Ankarasë po drejtonte hetimin turk. Ai u bëri thirrje gjithashtu agjencive të OKB-së, përfshirë Raportuesin Special për ekzekutimet jashtëgjyqësore, të shkurtuara ose arbitrare, të hetojnë.
Tunc tha se Turqia do të paraqesë gjetjet e saj në një gjykatë të OKB-së, që mbikëqyr një çështje gjenocidi kundër Izraelit të ngritur nga Afrika e Jugut për luftën në Gaza.
“Ne do të ndërmarrim çdo hap gjyqësor për vajzën tonë martire, Aysenur,” tha Tunc.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme turke tha se trupi i Eygi-t ka të ngjarë të sillet në Turqi të premten. Varrimi i saj është planifikuar të bëhet në qytetin bregdetar të Egjeut, Didim, në Turqinë perëndimore, në përputhje me dëshirat e familjes së saj./ AP.
Burimi