Trazirat në Veri, ekspertët: Kërcënimi nga Serbia duhet të trajtohet me seriozitet

Trazirat në Veri, ekspertët: Kërcënimi nga Serbia duhet të trajtohet me seriozitet

Çdo kërcënim që vjen nga Serbia duhet të trajtohet me seriozitet. Kështu vlerësojnë ekspertët e sigurisë në Kosovë të cilët thonë se për sa kohë që Serbia do ta ketë Kosovën pjesë të kushtetutës së saj, siguria e saj do të jetë përherë e cënueshme.
Ushtrimi i dhunës ndaj zyrtarëve, institucioneve dhe mediave, janë të pa shpresa, ka deklaruar anëtari i komisionit të sigurisë së VV-së, Arbër Rexha.
“Kam vërejtur disa tendenca për disa miniprotesta të vogla, që ju kanë bërë dhe juve dhe zyrtarëve përmes formave të ndryshme. Këto i konsideroj komplet legjitime. Ata kanë të drejtën të protestojnë sepse janë qytetarë të këtij vendi dhe mund të mos jenë të kënaqur me çështje të caktuara. Mirëpo mendoj se ka vdekur koha kur këto grupe kriminale mund ta shantazhojnë Republikën e Kosovës”, tha Rexha për A2 CNN.
Nënkryetari i komisionit të sigurisë Rashit Qala e vlerëson si të dobishme vendosjen e elementëve statikë prej betoni në disa zona në kufi me Serbinë.
“Mendoj se sado që dukjen të vrazhda, kur flasim për çështjet e luftimit të kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe parandalimin e disa veprave të tjera në aspektin e sigurisë, ato janë të dobishme. Përkohësisht ato janë të dobishme dhe të arsyeshme”, tha Qala.
Sipas ish-zëvëndësministrit të Brendshëm Selam Shkodra, grupet kriminale kanë ndryshuar strategji në veri, duke kaluar në mënyrë tjetër të të vepruarit. 
“Shihet qartë se nga një pasje totale e kontrollit që këto struktura kanë qenë në komunat veriore, tashmë e kanë humbur kontrollin. Të njëjtat, kanë kaluar në mënyrë tjetër të veprimit duke kryer akte të dhunshme, akte terrori”, tha Shkodra.
Gjatë vitit të fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë ngjarjesh të dhunshme. Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçanërisht gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato të Republika e Kosovës.
Burimi