Tërbim në Rusi për përshkallëzimin serioz të luftës me Ukrainën
Vendimi i presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë brenda Rusisë me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja ka shkaktuar një reagim të furishëm në Rusi.
“Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden… ka marrë një nga vendimet më provokuese, të pallogaritura të administratës së tij, që rrezikon pasoja katastrofike”, thuhet në faqen e internetit të gazetës qeveritare ruse Rossiyskaya Gazeta të hënën në mëngjes.
Deputeti rus Leonid Slutsky, kreu i Partisë Liberal-Demokratike pro-Kremlinit, u shpreh se vendimi “do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një përshkallëzim serioz, duke kërcënuar me pasoja të rënda”.
Senatori rus Vladimir Dzhabarov e cilësoi vendimin e Biden si “një hap të paprecedentë drejt Luftës së Tretë Botërore”.
Zemërimi në reagimet e zyrtarëve dhe politikanëve rus ishin të menjëhershme, por nuk ishin një surprizë.
Komsomolskaya Pravda, tabloidi pro-Kremlinit, e quajti atë “një përshkallëzim të parashikueshëm”.
Por nga të gjitha reagimet, mungon ai i udhëheqësit kryesor, liderit të Kremlinit, Vladimir Putin. Ky i fundit siç duket deri tani, ka zgjedhur të heshtë
Ndërkohë ditën e sotme, zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se “nëse një vendim i tillë është marrë, do të thotë një spirale e re tensioni dhe një situatë krejtësisht e re në lidhje me përfshirjen e SHBA në këtë konflikt”. Peskov akuzoi administratën Biden se i ka hedhur benzinë zjarrit dhe ka vazhduar të nxisë tensionin rreth këtij konflikti.
Udhëheqësit perëndimorë do të argumentonin se është Rusia ajo që po “shton benzinë zjarrit” duke vendosur trupa të Koresë së Veriut në zonën e luftës për të luftuar përkrah forcave ruse dhe duke vazhduar të sulmojë Ukrainën.
Në muajt e fundit, Kremlini ia ka bërë të qartë mesazhin Perëndimit: Mos e bëni këtë, mos hiqni kufizimet në përdorimin e armëve tuaja me rreze të gjatë, mos lejoni që Kievi të godasë thellë në territorin rus me këto raketa.
Ndonëse nuk ka reaguar deri tani, në shtator, presidenti Putin paralajmëroi se nëse kjo do të lejohej të ndodhte, Moska do ta konsideronte atë si pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s në luftën e Ukrainës.
“Kjo do të thotë se vendet e NATO-s… po luftojnë me Rusinë,” u shpreh ai asokohe. Një muaj më pas, udhëheqësi i Kremlinit njoftoi ndryshimet në doktrinën bërthamore ruse, dokumenti që përcakton parakushtet nën të cilat Moska mund të vendosë të përdorë një armë bërthamore. Kjo u interpretua gjerësisht si një tjetër aluzion për Amerikën dhe Evropën për të mos lejuar Ukrainën të godasë territorin rus me raketa me rreze të gjatë.
Të hamendësosh lëvizjet e ardhshme të Vladimir Putin nuk është kurrë e lehtë. Por ai ka lënë vend shpesh për aludime. Në qershor, në një takim me krerët e agjencive ndërkombëtare të lajmeve, Putin u pyet: Si do të reagonte Rusia nëse Ukrainës do t’i jepej mundësia të godiste objektivat në territorin rus me armë të furnizuara nga Evropa?
“Së pari, ne, sigurisht, do të përmirësojmë sistemet tona të mbrojtjes ajrore. Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre. Së dyti, ne besojmë se nëse dikush mendon se është e mundur të furnizohen me armë të tilla në një zonë lufte për të goditur territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse nuk mund të furnizojmë armët tona të së njëjtës klasë në ato rajone anembanë botës ku ata do të synojnë objektet e ndjeshme të vendeve që po ia bëjnë këtë Rusisë?”u përgjigj Presidenti Putin.
Me fjalë të tjera, armatosja e kundërshtarëve perëndimorë për të goditur objektivat perëndimore jashtë vendit është diçka që Moska e ka pritur herët apo vonë.
Në një intervistë të BBC me Aleksandër Lukashenkon, liderin e Bjellorusisë, aleati i ngushtë i Putinit dukej se konfirmoi se Kremlini ka menduar në këtë drejtim. Lukashenko tha se kishte diskutuar këtë temë në një takim të fundit me zyrtarë perëndimorë.
“Unë i paralajmërova ata. ‘Djema, kini kujdes me ato raketa me rreze të gjatë’, Rebelët Houthi mund të vijnë te Putini dhe të kërkojnë sisteme të armëve bregdetare që mund të kryejnë sulme të tmerrshme mbi anijet. Dhe nëse ai hakmerret ndaj jush për furnizimin e armëve me rreze të gjatë për [Presidentin] Zelensky duke furnizuar Houthis me sistemin raketor Bastion? Çfarë ndodh nëse goditet një aeroplanmbajtëse? Një britanike apo amerikane. Çfarë atëherë?”, është shpreur Lukashenko.
Por disa nga reagimet e mediave në Rusi u dukën si të krijuara për të minimizuar gjërat.
“Forcat e armatosura ruse kishin përgjuar tashmë raketat ATACMS gjatë sulmeve në bregun e Krimesë”, tha një ekspert ushtarak për gazetën Izvestia, e cila vazhdoi të sugjeronte se presidenti i zgjedhur Donald Trump mund të “rishikonte” vendimin.
Kjo është, për ta thënë më qartë, një situatë e pazakontë. Pas dy muajsh, Presidenti Biden do të jetë jashtë detyrës dhe Donald Trump do të jetë në Shtëpinë e Bardhë.
Kremlini e di se Presidenti i zgjedhur Trump ka qenë shumë më skeptik se Presidenti Biden për ndihmën ushtarake për Ukrainën. A do të jetë ky një faktor në llogaritjet e Vladimir Putin ndërsa ai formulon përgjigjen e Rusisë?
Burimi