Sulmet izraelite në Gaza vrasin 15 persona

Sulmet izraelite në Gaza vrasin 15 persona

Ekipet e shpëtimit thanë se të paktën 12 persona u vranë pas një sulmi izraelit në një shtëpi në zonën Jabalia në veri të Gazës gjatë ditës së sotme.

Ata thanë se fati i të paktën 10 personave nuk dihet ende ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë.

Sipas të njëjtave burime, një person tjetër ka mbetur i vrarë nga bombardimet nga mjetet e blinduara në një zonë aty pranë.

Në lagjen Shabra të qytetit të Gazës, agjencia palestineze e mbrojtjes civile tha se një sulm ajror izraelit shënjestroi një nga grupet e tij gjatë një operacioni shpëtimi, duke vrarë të paktën një anëtar dhe duke plagosur tre të tjerë.

Kjo vdekje e çoi në 87 numrin e pjesëtarëve të mbrojtjes civile të vrarë që nga 7 tetori 2023, sipas të njëjtit burim.

Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga pala izraelite për këto dy incidente.

Në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, mjekët thanë se një burrë u vra dhe u plagosën disa njerëz të tjerë nga një sulm ajror izraelit në pjesën lindore të qytetit.

Banorët në Xhaballia, Beit Lahia dhe Beit Hanun, ku ushtria izraelite ka vepruar nga fillimi i muajit të kaluar, thanë se forcat izraelite rrënuan dhjetëra shtëpi në tri zonat, duke shtuar frikën se Izraeli po kërkon ta spastrojë këtë pjesë nga banorët për ta krijuar një zonë sigurie, diçka që Izraeli e mohon.

Izraeli ka thënë se ka dërguar forca në dy qytetet dhe kampin e refugjatëve për t’i luftuar militantët e Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Synimi, sipas Izraelit, është frenimi i sulmeve të tyre dhe parandalimi i rigrupimit të tyre.

Ushtria izraelite tha se ka vrarë qindra prej tyre që nga 5 tetori.

Krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik pretendojnë se kanë vrarë shumë ushtarë izraelitë gjatë të njëjtës periudhë.

Hussam Abu Safiya, drejtori i Spitalit Kamal Adwan, një nga tre institucionet mjekësore që funksionojnë me vështirësi në veri të enklavës, tha se spitali u sulmua nga ushtria izraelite të martën.

Gjatë një vizite në Rripin e Gazës të martën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Hamasi nuk do ta qeverisë enklavën palestineze pasi lufta të ketë përfunduar dhe se Izraeli i ka shkatërruar aftësitë ushtarake të grupit islamik.
Burimi