Sulm me bombë në një stacion treni në Pakistan, humbin jetën 24 persona

Sulm me bombë në një stacion treni në Pakistan, humbin jetën 24 persona

Të paktën 24 janë vrarë dhe më shumë se 40 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një bombe në një stacion treni në jugperëndim të Pakistanit të shtunën, njoftuan policia dhe zyrtarët.

Pakistani është duke u përballur me një rritje të sulmeve nga militantët etnikë separatistë në provincën Baluçistan në jug dhe me sulme nga militantët islamistë në veriperëndim.

Inspektori i përgjithshëm i policisë në Baluçistan, Mouzzam Jah Ansari, tha se 24 njerëz kanë humbur jetën deri tani si pasojë e shpërthimit në stacionin hekurudhor, i cili është zakonisht i dendur në fillim të ditës.

“Në shënjestër të sulmit ishte personeli i ushtrisë nga Shkolla e Këmbësorisë”, tha ai, duke shtuar se shumica e të plagosurve janë në gjendje të rëndë.

Ushtria Çlirimtare e Baluçistanit (BLA), një grup militant separatist, mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë dërguar agjencisë së lajmeve Reuters.

BLA-ja kërkon pavarësimin e Baluçistanit, një provincë me rreth 15 milionë banorë që kufizohet me Afganistanin në veri dhe Iranin në perëndim. BLA-ja është grupi më i madh ndër disa grupe kryengritëse etnike që luftojnë kundër Qeverisë, duke thënë se ajo ia shfrytëzon padrejtësisht kësaj province burimet e pasura të gazit dhe mineraleve.

Mbikëqyrësi i lartë i operacioneve policore, Muhammad Baloch, tha se shpërthimi duket të jetë një bombë vetëvrasëse dhe se hetimet janë duke vazhduar për të mësuar më shumë.

“Shpërthimi ndodhi brenda stacionit të trenit kur treni i shpejt ishte gati për t’u nisur drejt Peshavarinit”, tha Baloch.

Në gusht, të paktën 73 njerëz u vranë në provincën Baluçistan, pasi militantët separatistë sulmuan stacione policore, linja hekurudhore dhe autostrada.

Sulmet e gushtit ishin më të përhapurat ndër vite nga militantët që luftojnë në një kryengritje dekadeshe për shkëputjen e provincës jugperëndimore të pasur me burime. Kjo provincë është vendi i projekteve të mëdha të udhëhequra nga Kina, si një port dhe një minierë ari dhe bakri./REL
Burimi