SHBA miraton shitjen e pjesëve për avionët luftarakë F-16 dhe sistemet e radarëve në Tajvan

SHBA miraton shitjen e pjesëve për avionët luftarakë F-16 dhe sistemet e radarëve në Tajvan

Qeveria amerikane njoftoi dje se kishte miratuar shitjen e mundshme të pjesëve për avionët luftarakë me shumë funksione F-16 dhe sistemet e radarëve për ta, me vlerë rreth 320 milionë dollarë.

Kontrata parashikon që këto pajisje do të vijnë nga stoqet ekzistuese të forcave të armatosura amerikane, sqaroi në një deklaratë agjencia federale përgjegjëse për shitjet e armëve amerikane në vendet e huaja, DSCA (Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes).

“Shitja e propozuar u shërben interesave kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-së pasi mbështet përpjekjet e Tajvanit për të modernizuar forcat e tij të armatosura dhe për të ruajtur një aftësi të besueshme mbrojtëse”, tha agjencia në një deklaratë.

Shitja do të rrisë aftësinë e ushtrisë së Tajvanit për të kundërshtuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme duke ruajtur gatishmërinë operacionale të flotës së saj F-16.

Kina dhe Tajvani kanë bashkëjetuar që nga viti 1949 me qeveri të veçanta. Megjithatë, Pekini e konsideron ishullin një pjesë integrale të territorit të tij dhe nuk e ka përjashtuar kurrë përdorimin e forcës për ta ribashkuar atë me kontinentin. SHBA, edhe pse nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin diplomatikisht, është mbështetësi i saj kryesor ndërkombëtarisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht.

Në shitje përfshihen si pjesë këmbimi për luftarakët ashtu edhe radarë të tipit AESA, shumë më të avancuar. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi nga ana e saj se pret që shitja të vazhdojë brenda muajit. Muajin e kaluar, Uashingtoni njoftoi shitjen e mundshme të pajisjeve ushtarake me vlerë 2 miliardë dollarë në ishull, duke përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore të testuar nga lufta në Ukrainë.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente