Reuters: Ekipi i Trump-it po konsideron bisedime direkte me Korenë e Veriut
Ekipi i presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, po konsideron bisedime të drejtpërdrejta me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për të ulur rrezikun e një konflikti të mundshëm të armatosur, raportoi Reuters të martën, duke cituar burime.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut akuzoi këtë muaj SHBA-në për nxitje tensioni dhe provokimesh, duke pretenduar se Uashingtoni po rrit rrezikun e një lufte bërthamore.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, qëllimi fillestar do të ishte rivendosja e një angazhimi bazë dhe thyerja e akullit me Kim, megjithatë, nuk janë marrë vendime përfundimtare nga presidenti i zgjedhur.
Javën e kaluar, Trump emëroi ish-zyrtarin e Departamentit të Shtetit, Alex Wong, i cili kishte mbikëqyrur strategjinë ndaj Koresë së Veriut gjatë administratës së tij të parë, si zëvendëskëshilltar për sigurinë kombëtare.
Në fillim të mandatit të tij të parë, Trump e talli Kim duke e quajtur “Njeriu i vogël i raketave” dhe e kërcënoi me “zjarr dhe zemërim” nëse Koreja e Veriut vazhdonte testet bërthamore. Të dy liderët shkëmbyen fyerje dhe letra që Trump-i i quajti “të bukura”, ku Kim e quajti Trump “plak i çmendur.”
Midis viteve 2018 dhe 2019, ata u takuan tri herë, në Singapor, Hanoi dhe në Zonën e Çmilitarizuar të Koresë (DMZ) që ndan gadishullin midis Veriut dhe Jugut. Takimi historik në DMZ shënoi herën e parë që një president amerikan në detyrë kishte shkelur në Korenë e Veriut.
Trump i përshkroi bisedimet e tyre si rënie “në dashuri,” edhe pse negociatat nuk arritën të siguronin një marrëveshje për denuklearizim apo lehtësim sanksionesh.
Megjithatë, angazhimi diplomatik midis Trump-it dhe Kimit mundësoi një zbutje të shkurtër në Gadishullin Korean, që që atëherë është zëvendësuar me një periudhë armiqësie midis Veriut dhe Jugut.
Raporti theksoi se Kim ka injoruar përpjekjet katërvjeçare të presidentit në largim të SHBA, Joe Biden, për të nisur bisedime pa kushte paraprake.
Gjatë administratës Biden, Uashingtoni dhe Seuli kanë rifilluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Pheniani i konsideron këto stërvitje një kërcënim të madh për sigurinë, duke argumentuar se ato mund të përdoren për të maskuar përgatitjet për një pushtim.
Në një ekspozitë të mbrojtjes në Phenian javën e kaluar, Kim akuzoi Uashingtonin se po abuzon me fuqinë e tij duke pretenduar një sferë ndikimi që përfshin gjithë botën dhe se po përdor kërcënime ushtarake kundër kombeve kundërshtuese, duke përfshirë Korenë e Veriut.
“Ne kemi eksploruar tashmë çdo rrugë të mundshme në negociatat me SHBA-në,” deklaroi Kim, duke shtuar se politika “agresive dhe armiqësore” e Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut nuk do të ndryshojë kurrë.
Trump tha gjatë fushatës së tij se ai “i mungon” Kimit dhe nënkuptoi se Korea e Veriut nuk do të “bënte prapësira” kur ai të kthehej në detyrë.
Mediat shtetërore të Koresë së Veriut u përgjigjën gjatë verës duke komentuar se udhëheqësve të vendit “nuk u intereson” kush merr pushtetin në SHBA. Raportet sinjalizuan se politika bërthamore e Kimit do të vazhdojë. / Reuters – Syri.net
Burimi