Qeveria e Kosovës e ndihmon Bosnjën me 200 mijë euro pas përmbytjeve

Qeveria e Kosovës e ndihmon Bosnjën me 200 mijë euro pas përmbytjeve

Qeveria e Kosovës njoftoi se do ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën me 200.000 euro, pas përmbytjeve vdekjeprurëse që goditën vendin e rajonit në fillim të këtij muaji.
Ajo tha se e mori këtë vendim gjatë një mbledhjeje elektronike të premten vonë.
Ditë më parë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i kishte kërkuar kabinetit të kryeministrit Albin Kurti ta ndante këtë shumë parash për ta mbështetur vendin e Ballkanit. Së paku 22 njerëz humbën jetën në Bosnje e Hercegovinë si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjes së dheut pas reshjeve të mëdha të shiut që nisën më 4 tetor.
Në fillim të kësaj jave, Qendra Kulturore Boshnjake në qytetin jugor të Kosovës, Prizren, filloi një aksion për mbledhjen e ndihmave për banorët e prekur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Bosnje e Hercegovinë.
Iniciatorja e kësaj nisme me moton “Bosnje, boshnjakët e Prizrenit janë me ty” është një nga përfaqësueset politike të komunitetit boshnjak në Kosovë, Emilija Rexhepi, e cila është gjithashtu zëvendëskryeministre e Kosovës.
Për shkak të situatës së rënduar, Bosnjës i kanë dalë në ndihmë shtete të Bashkimit Evropian, por edhe shtete fqinje./rel
Burimi