Psikologët paralajmërojnë: Rrjetet sociale krijojnë varësi të rrezikshme si alkooli dhe droga
Dhjetëra raste të vetëlëndimeve të fëmijëve nga të ashtuquajturat sfida në TikTok, kanë ndodhur vetëm këtë vit.
Prindërit janë nën ethe. Fëmijët, në anën tjetër, kureshtarë për të zbuluar çfarë ka brenda platformës.
Psikologët ngrenë alarmin se varësia ndaj rrjeteve sociale është e njëjtë sikurse ajo me alkoolin dhe me drogat.
Shtetet duket se nuk e kanë gjetur një zgjidhje ideale që rehaton të gjitha palët.
Dhjetëra prej tyre akuzojnë platformën se ka lidhje direkte me shtetin e Kinës, andaj kanë shqetësime të mëdha për privatësinë.
Për çfarë sfidash bëhet fjalë?
Të llojllojshme dhe që marrin hov njëra pas tjetrës. Nisur nga konsumimi i substancave të ndryshme – që i ka kushtuar me jetë një vajze të re në Shtetet e Bashkuara muaj më parë – e deri te lojërat fizike që rezultojnë me fraktura apo lëndime tjera të gjymtyrëve e të kokës.
Mënyra e funksionimit të kësaj platforme kineze të videove të shkurtra – e lançuar më 2016 dhe e zotëruar nga kompania kineze, ByteDance – është, gjithashtu, problematike.
Për dallim prej algoritmeve të rrjeteve tjera sociale, algoritmi i TikTok-ut i jep më shumë prioritet përmbajtjes, varësisht prej preferencave të përdoruesve dhe kërkimit të përmbajtjes, sesa numrit të ndjekësve që ka një llogari.
Pra, edhe nëse është e re dhe ka pak ndjekës, një llogari në TikTok mund të bëhet virale.
Sipas një analize të agjencisë Pikasa Analytics, që bën monitorimin e përmbajtjes së mediave në Ballkan, postimet e personave “të panjohur” po bëhen më të popullarizuara, sesa ato të figurave me ndikim.
Sipas sociologëve kur prindërit provojnë që fëmijëve të tyre t’ua largojnë telefonin, qoftë edhe për disa orë, vihet re se ata kalojnë në shpërthime të inateve, në reagime shumë agresive, që tregon vartësinë prej tyre.
Burimi