
Po planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve në SHBA, FBI arreston një afgan
FBI-ja ka arrestuar një afgan, i cili po planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve që synonte turma të mëdha në Shtetet e Bashkuara, tha të martën Departamenti i Drejtësisë.
Autoritetet thanë se i dyshuari ishte frymëzuar nga grupi terrorist Shteti Islamik.
Afgani 27-vjeçar, Nasir Ahmad Tawhedi nga qyteti i Oklahomës u tha hetuesve pas arrestimit të tij të hënën se ai kishte planifikuar sulmin e tij të përkonte me ditën e zgjedhjeve muajin e ardhshëm dhe se ai dhe një bashkëpunëtor i mitur do të vdisnin si dëshmorë, sipas dokumenteve të akuzës.
Nasir Ahmad Tawhedi, i cili hyri në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021 me një vizë të veçantë imigrimi, kishte ndërmarrë hapa në javët e fundit për të çuar përpara planet e tij të sulmit, duke përfshirë porositjen e pushkëve AK-47, shitjen e pasurive të familjes së tij dhe blerjen e biletave për gruan dhe fëmijën e tij për udhëtim drejt Afganistanit.
“Terrorizmi vazhdon të jetë përparësi kryesore e FBI-së dhe ne do të përdorim çdo burim për të mbrojtur popullin amerikan”, tha përmes një deklarate drejtori i FBI-së, Christopher Wray.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, pas arrestimit Nasir Ahmad Tauhedi u tha hetuesve se kishte planifikuar një sulm në ditën e zgjedhjeve, që do të kishte në shënjestër grupe të mëdha njerëzish.
Ndaj Nasir Ahmad Tauhedit u ngritën akuza për komplot dhe përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai kishte një avokat mbrojtës, që mund të fliste në emër të tij./ VOA
Burimi