Përfshirja e CIA-s në një komplot të dyshuar për vrasjen e Maduros?/ Reagon DASH
Departamenti Amerikan i Shtetit hodhi poshtë akuzat për përfshirje të CIA-s në një komplot të dyshuar për vrasjen e Nicolas Maduro-s, pasi zyrtarët venezuelas njoftuan arrestimin e tre amerikanëve, dy spanjollëve dhe një çeku, të shtunën.
Pretendimet për një komplot kundër Maduros, presidentit të Venezuelës, rizgjedhja e fundit e të cilit po kontestohet, u bënë në televizionin shtetëror nga Diosdado Cabello, ministri i brendshëm.
Cabello tha se shtetasit e huaj, përfshirë një anëtar të marinës amerikane, ishin pjesë e një komploti të udhëhequr nga CIA për të rrëzuar qeverinë venezueliane dhe për të vrarë disa anëtarë të udhëheqjes së saj.
Në programin televiziv, Cabello tregoi imazhe të armëve që ai tha se ishin konfiskuar nga disa nga komplotistët e dyshuar.
Departamenti amerikan i Shtetit të shtunën vonë konfirmoi ndalimin e një anëtari ushtarak amerikan dhe tha se ishte në dijeni të “raporteve të pakonfirmuara të dy shtetasve të tjerë amerikanë të arrestuar në Venezuelë”.
“Çdo pretendim për përfshirjen e SHBA në një komplot për të përmbysur Maduro është kategorikisht i rremë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje demokratike të krizës politike në Venezuelë”.
Pretendimet vijnë dy ditë pasi thesari i SHBA vendosi sanksione ndaj 16 aleatëve të Maduros , të akuzuar nga qeveria amerikane për pengim të votimit gjatë zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të 28 korrikut në Venezuelë dhe për shkelje të të drejtave të njeriut.
Gjatë javës së kaluar, parlamenti spanjoll njohu kandidatin e opozitës Edmundo Gonzalez si fitues të zgjedhjeve, duke zemëruar aleatët e Maduros, të cilët i kërkuan qeverisë venezueliane të pezullojë marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike me Spanjën.
Tensionet midis qeverisë së Venezuelës dhe SHBA-së janë rritur gjithashtu pas zgjedhjeve, rezultati i të cilave shkaktoi protesta brenda Venezuelës, në të cilat u arrestuan qindra aktivistë të opozitës.
Burimi