Paul Whelan i bën thirrje SHBA-së t’i rrisë përpjekjet për ta nxjerrë prej burgut rus
Ish-marinsi amerikan, Paul Whelan, i cili është duke dënuar me 16 vjet burgim në Rusi, nën akuzat që ai dhe Qeveria amerikane i konsiderojnë të motivuara politikisht, i ka kërkuar administratës së presidentit amerikan, Joe Biden që të rrisë presionin ndaj Rusisë për ta liruar atë dhe gazetarin e të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, Evan Gershkovich.
Whelan, 54-vjeçar, është arrestuar në Moskë në dhjetorin e vitit 2018, nën akuzat për spiunazh, ndërsa në maj të vitit 2020 është dënuar me 16 vjet burgim.
Shtetet e Bashkuara e patën quajtur këtë proces gjyqësor si “tallje me drejtësinë”.
Teksa ka shënuar 2.000 ditë në burgun rus, Whelan ka thënë për transmetuesin amerikan CNN, përmes telefonit se, Qeveria amerikane duhet të marrë më shumë hapa për të garantuar lirimin e tij dhe të Gershkovichit.
“SHBA-ja duhet të bëjë diçka, të mbushë qendrën e burgimit Guantanamo me zyrtarë rusë, t’i arrestojë spiunët rusë – të bëjë diçka që e nxit Kremlinin të ndalet dhe të thotë që tani është koha që ta kthejmë Evanin dhe Paulin, t’i kthejmë njerëzit tanë dhe aq”, ka thënë Whelan për CNN-in.
Gershkovich është bërë gazetari i parë amerikan që është arrestuar nën akuzat për spiunim në Rusi, prej Luftës së Ftohtë.
Ai është ndaluar në mars të vitit 2023 dhe është akuzuar për tentim të sigurimit të sekreteve ushtarake.
Ai dhe gazeta ku ka punuar Gershkovich, hedhin poshtë të gjitha akuzat dhe i konsiderojnë të motivuara politikisht.
Gershkovich, i cili njëjtë si Whelan është shpallur prej Qeverisë amerikane si “i ndaluar gabimisht” do të përballet me proces gjyqësor që nis më 26 qershor.
Aktualisht, ai është vetëm njëri prej gazetarëve amerikanë që po mbahen prej autoriteteve ruse.
Tjetra është Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë, e ka shtetësi ruso-amerikane.
Kurmasheva, 47-vjeçare, është arrestuar në Kazan, në tetor, dhe është akuzuar që ka dështuar të regjistrohet si “agjente e huaj”, siç e parasheh një ligj që besohet se shfrytëzohet prej autoriteteve ruse për të heshtur gazetarët, shoqërinë civilë dhe të tjerët.
Ajo më pas është akuzuar edhe për përhapje të informacionit të rremë për ushtrinë ruse dhe rrezikon të përballet me 10 vjet burgim, nëse dënohet.
Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane kanë thënë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj për Radion Evropa e Lirë në Pragë.
Për dallim prej Whelanit dhe Gershkovichit, Kurmasheva nuk është shpallur ende “e ndaluar gabimisht”.
Një përcaktim i tillë mundëson rritjen e vëmendjes për rastin e saj dhe i mundëson administratës Biden që të bëjë më shumë përpjekje për të garantuar lirimin e saj./REL
Burimi