OBSH: 15% e antibiotikëve blihen në farmaci pa recetën e mjekut
Një studim i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësie që mbuloi edhe Shqipërinë konsideroi përdorimin pa kriter të antibiotikëve, që krijojnë Rezistencën antimikrobike (AMR) si një nga 10 kërcënimet kryesore për shëndetin e njeriut.
Një anketë me 525 persona në Shqipëri referoi se 51 për qind e tyre kishin përdorur antibiotik vitin e fundit para anketës, një përqindje mbi mesataren e grupit të vendeve jo anëtare te BE të përfshira në studim. Nga personat që kishin përdorur antibiotik 15 për qind i kishin blerë në farmaci pa recetën e mjekut, ndërsa 1 për qind kanë marrë antibiotike referuar recetave të mëparshme.
Nga të gjithë të anketuarit në 14 vende mbi 60% e pjesëmarrësve ishin më pak se 40 vjeç. Dyzet për qind e pjesëmarrësve pohuan se u përballën me vështirësi në pagesën e faturën për blerjen e antibiotikëve dhe 20% të tjerë hasnin vështirësi në pagesën e faturave shumicën e kohës.
Arsyet më të shpeshta të raportuara të përdorimit të antibiotikëve ishin simptomat e ftohjes, dhimbjet e fytit, kolla dhe simptoma të ngjashme me gripin. Infeksionet e traktit urinar dhe pneumonia ishte raste më të rralla.
OBSH vlerësoi se përdorimi pa kriter i antibiotikëve është ndër kërcënimet kryesore globale për njerëzimin sot.
Rezistenca ndaj përdorimit të antibiotikëve në Rajonin Europian të OBSH-së u shoqërua me mbi gjysmë milioni vdekje në 2019, ekuivalente për barrën shëndetësore të gripit, tuberkulozit dhe HIV/AIDS-it.
Kostoja vjetore e vlerësuar që i atribuohet përdorimit pa kriter të antibiotikëve që krijojnë rezistencë në luftën ndaj viruseve në Bashkimin Evropian (BE) është 1.5 miliardë euro në kosto të kujdesit shëndetësor dhe humbje të produktivitetit, përllogarit OBSH.
Rezistenca antimikrobike (AMR) është një fenomen natyror, megjithatë, zhvillimi dhe përhapja e tij përshpejtohet nga sjellja njerëzore, duke përfshirë përdorimin e papërshtatshëm të antimikrobikëve nëpër sektorë dhe mjedise të ndryshme. Edhe pse shtamet multirezistentë të patogjenëve janë në rritje në mjediset spitalore duhet një reduktim i përgjithshëm i përdorimit të antibiotikëve në komunitet, këshillon OBSH.
Antimikrobikët, duke përfshirë antibiotikët, antiviralët, antimykotikët dhe antiparazitikët janë ilaçe që përdoren për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjet infektive te njerëzit, kafshët dhe bimët.
Rezistenca antimikrobike (AMR) ndodh kur bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët nuk reagojnë më ndaj ilaçeve antimikrobiale. Si rezultat i rezistencës ndaj ilaçeve, antibiotikët dhe ilaçet e tjera antimikrobiale bëhen joefektive dhe infeksionet bëhen të vështira ose të pamundura për t’u trajtuar, duke rritur rrezikun e përhapjes e sëmundjeve të rënda, paaftësi dhe vdekje.
Burimi