‘Njëri kërkon ashpërsimin e ligjeve, tjetri premton heqjen e kufizimeve’, VOA: Harris dhe Trump me qasje të ndryshme mbi shitjet e armëve

‘Njëri kërkon ashpërsimin e ligjeve, tjetri premton heqjen e kufizimeve’, VOA: Harris dhe Trump me qasje të ndryshme mbi shitjet e armëve

Sulmi me armë në një shkollë të mesme në shtetin e Xhorxhias të mërkurën solli sërish në qendër të vëmendjes numrin e lartë të vrasjeve me armë në Shtetet e Bashkuara krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara në botë, sipas ekspertëve të shëndetësisë. Nënpresidentja Kamala Harris kërkon ashpërsimin e ligjeve të armëmbajtjes. Ndërsa, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, rivali i saj republikan Donald Trump, ka premtuar heqjen e kufizimeve për armëmbajtjen.
Sulmi me armë në shkollën e mesme në Winder të Xhorxhias të mërkurën la disa të vrarë dhe të plagosur. Nënpresidentja dhe kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris reflektoi mbi incidentin gjatë një tubimi fushate në Nju Hempshër.
“Ne duhet t’i japim fund kësaj epidemie të dhunës me armë në vendin tonë njëherë e përgjithmonë. Këto incidente nuk duhet të ndodhin”, tha ajo.
Dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara mori një vëmendje të madhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate këtë vit.
Nënpresidentja Harris parashtroi përparësitë e saj për këtë çështje që në fillim të fushatës së saj.
“Ne do të miratojmë ligje për kontrollin e së kaluarës të blerësve të armëve dhe do të ndalojmë shitjen e armëve sulmuese”, tha ajo.
Nënpresidentja Harris thotë se ajo kërkon marrjen e masave praktike për sigurinë e armëve dhe “jo ndalimin e armëmbajtjes”.
Presidentja e qendrës Brady për parandalimin e dhunës nga armët, Kris Brown, beson se zonja Harris do ta bëjë këtë.
“Kandidatja Harris ka qenë shumë e qartë se dhuna me armë, vrasësi numër një i fëmijëve amerikanë, është një problem që kërkon një qasje në shumë nivele për t’u zgjidhur. Ne kemi nevojë për një politikë më të mirë”, tha ajo.
Ish-presidenti Donald Trump reagoi ndaj sulmit me armë në Xhorxhia me një postim në platformën e tij në rrjetet sociale “Truth”. Ai shprehu mbështetjen e tij për viktimat dhe e quajti sulmuesin një “përbindësh të sëmurë dhe të çmendur”.
Konservatorët shpesh mbrojnë të drejtën e armëmbajtjes, por Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane këtë vit nuk i dha përparësi kësaj çështjeje. Kuvendi Kombëtar i Republikanëve u zhvillua në korrik, vetëm dy ditë pas atentatit ndaj kandidatit të tyre presidencial Donald Trump. Kjo nuk e ndryshoi qëndrimin e tij për çështjen e armëmbajtjes.
“Nuk mund t’i heqim armët, sepse njerëzit kanë nevojë për mbrojtje”, tha ai.
Zoti Trump mbështeste të drejtën e armëmbajtjes kur ishte president dhe ka premtuar të heqë kufizimet e miratuara nga administrata e Presidentit Biden.
Grupet që mbështesin të drejtat e armëmbajtjes thonë se nëse amerikanët që janë pro armëmbajtjes votojnë në masë në zgjedhjet e nëntorit, ata mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në shtetet e lëkundura.
“Kjo do ndihmojë për të rimarrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë në mënyrë që të kemi një degë ekzekutive të qeverisë që nuk prek të drejtat e armëmbajtjes, dhe për të fituar garat për anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, duke forcuar të drejtat e armëmbajtjes në Kongres”, thotë Alan Gottlieb nga Fondacioni Amendamenti i Dytë.
Megjithatë, zoti Gottlieb thekson se të drejtat e armëmbajtjes nuk kanë qenë historikisht më të rëndësishme se ekonomia apo emigracioni për votuesit.
Burimi