Një vit pas sulmit të Hamasit në Izrael, të afërmit vazhdojnë të vajtojnë për të dashurit e tyre

Një vit pas sulmit të Hamasit në Izrael, të afërmit vazhdojnë të vajtojnë për të dashurit e tyre

I gjithë populli i Izraelit i ka ndjerë pasojat e luftës që filloi një vit më parë. Shumë vetë kanë humbur të dashurit; të tjerëve iu shkatërruan shtëpitë dhe komunitetet gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Për Talma Atzilin, koha u ndal më 7 tetor 2023. Djali i saj Aviv, u vra ndërsa luftonte me qindra militantë të armatosur të Hamasit, të cilët sulmuan kibucin e tij Nir Oz, më pak se një kilometër larg kufirit të Gazës. Eshtrat e Avivit mbahen ende në Gazë, kështu që për të është ngritur një varr i përkohshëm në kibuc.
“Plagët e komunitetit tonë janë ende të hapura. Është e vështirë si nga pikëpamja e sigurisë, ashtu edhe në aspektin e forcës emocionale që të kthehesh në një vend që ka përjetuar aq shumë humbje. Më pëlqente shumë të ecja zbathur, si brenda kibucit ashtu edhe në fusha. Por tani kam një ndjesi sikur toka është e mbushur me gjak dhe nuk mund të vazhdoj të eci zbathur”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Një e katërta e banorëve të Nir Ozit u vranë ose u morën peng dhe më shumë se gjysma e shtëpive u shkatërruan. Në Kibucin Be’eri aty pranë, më shumë se 100 banorë u vranë, mes tyre Hagi Avni, baba i pesë fëmijëve dhe anëtar i Forcës së Sigurisë në Be’eri. Vajza e tij nëntëvjeçare, Eliel, shkruan emrin e tij në murin e dhomës së saj të dikurshme.
“Më mungon babi im. Doja t’i thoja lamtumirë shtëpisë sime para se ta shkatërrojnë dhe ta rindërtojnë”, thotë ajo.
Por shumë banorë të Beerit dhe komuniteteve të tjera pranë kufitare Gazës nuk besojnë se do të kthehen përsëri.
“Pyetja është – si të mund të jetojmë këtu me një lloj marrëveshjeje, si me Egjiptin dhe Jordaninë. Është e pamundur të vazhdosh të jetosh kështu pranë rrezikut gjatë gjithë kohës. Nuk e pranoj që pranë meje të ketë luftë pa fund.”
Një vit më pas, familjet e pengjeve ende organizojnë protesta masive duke kërkuar që qeveria izraelite të kthejë rreth 100 pengjet e mbetura. Avichai Brodutch nga Kibuci Kfar Aza filloi lëvizjen e protestave disa ditë pasi gruaja dhe tre fëmijët e tij u morën peng më 7 tetor.
Familja e tij u lirua pas një marrëveshjeje për pengjet në nëntor, por duke folur pranë rrënojave të kibucit të tij, Brodutch thotë se shoqëria izraelite ende e ndjen traumën.
“Si komb ne duhet ta kujtojmë këtë, si pjesë e historisë së hebrenjve që duhet mbajtur mend. Por personalisht, nëse më pyet mua, do të doja të jetoja jetën time, të shikoja përpara, të jetoja në paqe, pasi ne vuajtëm aq shumë. Mendoj se kemi një mundësi të mirë për ta bërë këtë tani, të dyja palët kanë vuajtur kaq shumë.”
Por një vit më pas, një armëpushim në Gazë dhe lirimi i pengjeve duken shumë larg. Për ata në Izrael që u mungojnë të dashurit dhe komunitetet e tyre të humbura, 7 tetori 2023 nuk ka fund./VOA 
Burimi