Neritan Ceka për menaxhimin e huaj të Parkut të Butrintit: Ky është një aeroplan pa motor!
Në emisionin “Odeon,” arkeologu i njohur Neritan Ceka ngriti zërin mbi një problem thelbësor: dorëzimin e menaxhimit të trashëgimisë sonë arkeologjike në duart e të huajve. Fokusi i tij kryesor ishte Parku Arkeologjik i Butrintit, një pasuri unike shqiptare, të cilën ai e përshkroi si një qytet epirot dhe vendas, e jo si “greko-romak” siç është shpallur nga të huajt. Duke shpalosur të vërtetën historike, Ceka theksoi: “Butrinti nuk është koloni greke, është një qytet vendas, epirot, dhe epirotët nuk janë grekë.” Ai shpjegoi se Butrinti ka një histori të gjatë, që nga periudha helene, romake, deri te koha e Ali Pashë Tepelenës, dhe kjo diversitet kulturor e bën atë një qytet mesdhetar me rrënjë të thella shqiptare. Sipas tij, përshkrimi i Butrintit si “greko-romak” nga anglezët që hartuan planin e menaxhimit, është jo vetëm një gabim historik, por edhe një nënvlerësim i rëndësisë së tij kombëtare. Një tjetër kritikë e rëndë ishte ndaj procesit të hartimit të këtij plani, ku, siç tha Ceka, specialistët shqiptarë u injoruan tërësisht.
“Në bibliografi nuk përmendej asnjë arkeolog shqiptar, ndërsa figuron pastruesja e muzeut dhe kopshtari i Butrintit.” Ky fakt, sipas tij, është një skandal që tregon mungesën e respektit dhe seriozitetit të të huajve për ekspertizën shqiptare. Ceka ishte i ashpër ndaj mentalitetit që i trajton të huajt si të pagabueshëm:
“Ne i marrim të huajt sikur vijnë nga kozmosi, por ata janë tregtarë, ta shesin sapunin për djathë.” Për të, dorëzimi i një plani të tillë në duart e të huajve, pa përfshirë ekspertët shqiptarë, është një “aeroplan pa motor”, një projekt që është i destinuar të dështojë. I pyetur nga gazetarja Egla Xhemalaj, arkeologu shprehu zhgënjimin e tij të thellë për faktin se, ndërsa vendi ka të paktën dhjetë arkeologë të kualifikuar që punojnë në Butrint, këta u lanë jashtë procesit të menaxhimit dhe promovimit të parkut. Ai ngriti një pyetje thelbësore: si mund të menaxhojnë të huajt një trashëgimi kulturore që nuk e kuptojnë dhe për të cilën kanë njohuri të kufizuara? Sipas Cekës të huajt nuk mund të jenë kujdestarët e historisë shqiptare. Kjo është një detyrë që duhet të përmbushet nga vetë shqiptarët, duke ndërtuar plane të mirëfillta dhe duke respektuar ekspertizën vendase. Përfshirja e arkeologëve shqiptarë nuk është vetëm një e drejtë, por një domosdoshmëri për të ruajtur identitetin historik dhe kulturor të Butrintit dhe të gjithë trashëgimisë sonë.
Burimi