Mijëra marokenë marshuan kundër sulmeve të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit
Në qytetin Kazablanka në perëndim të Marokut, mijëra persona mbajtën marshim për të dënuar sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe Libanit, raporton Anadolu.
Marokenët, të cilët dolën në rrugë për të mbështetur Palestinën me thirrjen e Frontit Maroken për Mbështetjen e Palestinës, mbushën rrugët kryesore të qytetit.
Demonstruesit reaguan dhe kërkuan ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Libanit dhe Palestinës.
Në demonstratën e mbajtur me titullin “Ndaloni sulmet barbare sioniste kundër popullit të Palestinës dhe Libanit”, morën pjesë edhe aktivistë të të drejtave të njeriut dhe politikanë.
Pjesëmarrësit, krahas flamujve palestinezë dhe libanezë, mbajtën edhe fotografi të krerëve të Byrosë Politike të Hamasit, Yahya Sinwar dhe Ismail Haniyeh si dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hasan Nasrallah.
Protestuesit brohoritën me parulla në mbështetje të popullit palestinez dhe rezistencës palestineze në Gaza.
– Pas 7 tetorit, pushtimi i Gazës nga Izraeli
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat al-Kassam, nisën sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, me arsyetimin e “përgjigjes ndaj shkeljeve të vazhdueshme kundër palestinezëve dhe vlerave të shenjta, veçanërisht xhamisë Al-Aksa”.
Izraeli njoftoi se në sulmet e 7 tetorit humbën jetën 1.200 izraelitë, ndërsa 5.132 të tjerë u plagosën.
Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 42.603 palestinezë, përfshirë rreth 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra, ndërsa 99.795 të tjerë u plagosën.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile, duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.
Ushtria izraelite ka njoftuar se 749 ushtarë të saj janë vrarë, prej të cilëve 356 gjatë procesit të pushtimit tokësor që nga 7 tetori, kur nisën sulmet e tyre në Rripin e Gazës.
Në “pauzën humanitare” 4 ditore të arritur më 24 nëntor 2023 dhe e cila më vonë u zgjat edhe për 3 ditë të tjera, u liruan reciprokisht 81 të pengje izraelite dhe 240 palestineze. Nga ana tjetër, Izraeli vazhdoi të arrestonte dhe burgoste mijëra palestinezë.
Që nga 7 tetori 2023, të paktën 759 palestinezë janë vrarë, përfshirë 165 fëmijë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpojnë tokat palestineze./ Anadollu Agency.
Burimi