Mickoski kërkon durim për procesin e integrimit në BE
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, pret që pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, dhe pas takimeve të tij me përfaqësues ndërkombëtarë, të bëhen analiza të hollësishme për zhbllokimi e procesit të integrimit të shtetit në Bashkimin Evropian (BE).
Mickoski, gjatë një ngjarjeje në Komunën e Gazi Babës, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një shkolle fillore të re, bëri thirrje për durim, duke theksuar se “vendimet e nxituara në shumicën e rasteve nuk janë zgjidhja e duhur”.
“Çdo gjë është në lëvizje. Po udhëtoj këtë fundjavë në Austri, do të jem pjesë e një ngjarjeje në Salzburg, më pas do të kem takime me përfaqësues të lartë të Qeverisë dhe shoqërisë austriake, presidentin, ministrin e Jashtëm. Më pas vjen presidentja e Komisionit Evropian, pastaj kemi një takim të Komunitetit Politik Evropian në Budapest më 7 nëntor, kështu që le të bëjmë një analizë për të parë se si do të funksionojë e gjithë kjo. Nëse arrijmë ta përmbushim qëllimin në këtë mënyrë, nuk do të ngutem për të marrë vendime”, deklaroi të premten Mickoski duke nënvizuar se diktatet për të nuk janë zgjidhje.
“Diktatet, për të qenë i qartë, nuk i pranoj. Për këtë proces është e nevojshme edhe mirëkuptimi nga BE-ja, e cila presim të tregojë të njëjtën besim në të ardhmen evropiane të rajonit tonë, siç është edhe besimi ynë”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të vizitojë Shkupin më 24 tetor, si pjesë e turneut të saj në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Gjatë kësaj vizite, siç njofton Komisioni Evropian, Von der Leyen do të fokusohet kryesisht në ndihmën që Bashkimi Evropian po u ofron vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Qeveria ka propozuar që edhe nëse i bënë ato, të jenë me zbatim të prolonguar, një ide kjo që është përjashtuar nga Bashkimi Evropian.
Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Mikhail Rokas, të shtunën, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, MIA, deklaroi se anëtarësimi në BE nuk ka alternativë dhe se zgjerimi mbetet politika më e suksesshme e Unionit. Ai shprehu mirëkuptim për propozimin e Qeverisë për zbatimin e vonuar të ndryshimeve kushtetuese, por rikujtoi se aderimi në BE është një proces që kërkon unanimitetin e të 27 vendeve anëtare.
“Zgjerimi është proces i bazuar në unanimitet, të gjithë jemi në dijeni të këtij propozimi të Qeverisë. Është mendimi im modest se vështirë se do të pranohet, siç e shpjegova më parë ka një qëndrim të BE-së nga 27 vendet anëtare në këtë drejtim. Vendimi për ndryshimet kushtetuese është një vendim sovran i Qeverisë, dhe është shumë i rëndësishëm, ne kemi respekt të madh për mënyrën se si Qeveria dëshiron të ecë përpara dhe zgjidhjet që dëshiron të arrijë, por procesi është mjaft i qartë, dhe mund të jetë i menjëhershëm dhe mund të ndodhë shumë shpejt dhe ajo që mund të përsëris është angazhimi i plotë për aderim drejt BE-së, i cili përfshin Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
Përderisa Qeveria është e mendimit se ka hapësirë për përmirësim të pozitave të Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane, lideri i partisë opozitare maqedonase të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), Venko Filipçe e ka akuzuar atë për bllokim të procesit.
“Nuk po shohim asgjë konkrete, kurrfarë përpjekjeje për përmirësimin e pozicionit tonë negociator. Përkundrazi, po shohim vetëm përkeqësimin e gjendjes, përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe, së pari me Greqinë, e më pas edhe me Bullgarinë dhe, për fat të keq, vendimi që ne të ndahemi në rrugën drejt BE-së nga Shqipëria, për shkak se, ashiqare, te ne nuk shikojnë kurrfarë përparimi në BE”, ka deklaruar Filipçe.
Edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë, Ali Ahmeti, gjatë një takimi të shtunën me ambasadorin e ri të Bullgarisë në Shkup, Zheljazko Radukov, ka bërë fajtore “Qeverinë me legjitimitet monoetnik” për bllokimin e procesit të anëtarësimit në familjen evropiane.
“Korniza negociuese e miratuar nga Bashkimi Evropian është e qartë dhe duhet të zbatohet për ta vijuar rrugëtimin tonë drejt Brukselit. Komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut është realitet dhe duhet të përfshihet në Kushtetutë, ndërsa nga kjo nuk humbet asgjë askush, përkundrazi, fitojnë të gjithë. Prioritet i BDI-së është pikërisht vazhdimi i rrugëtimit evropian, prandaj dhe ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin menjëherë, sepse qytetarët presin të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian”, tha BDI-ja përmes një njoftimi./ REL/
Burimi