Menopauza e bën artritin reumatoid më të dhimbshëm

Kalimi i menopauzës e bën artritin reumatoid më të dhimbshëm, sugjeron një studim. Sondazhi kombëtar zbuloi se katër nga pesë gra, raportuan se artriti i tyre u përkeqësua gjatë menopauzës. Për një të dhjetën, simptomat u bënë ‘shumë më keq’.

Studiuesit pyetën 779 gra me artrit reumatoid që ishin ose në menopauzë ose pas menopauzës. 

Studimi, i botuar në revistën Musculoskeletal Care në fillim të këtij muaji, zbuloi gjithashtu se terapia e zëvendësimit të hormoneve (HRT), nuk ishte efektive për të ndihmuar në uljen e simptomave.

Gati gjysma e grave që përfunduan sondazhin ishin në HRT, por vetëm një e treta thanë se ilaçi ua kishte reduktuar dhimbjen, në një shkallë ‘të moderuar ose domethënëse’.

Duke prekur më shumë se gjysmë milioni njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, artriti reumatoid është një sëmundje kronike që shkakton ënjtje, dhimbje dhe ngurtësi në nyje, sepse sistemi imunitar gabimisht sulmon qelizat e shëndetshme të trupit.

Ndërsa ka trajtime për simptomat, nuk ka shërim.

Pothuajse 93 për qind e grave raportuan se nuk kishin asnjë diskutim mjekësor për menopauzën me një mjek dhe shumica mendonin se specialistët e artritit, kishin nevojë për trajnim më të mirë se si t’i trajtonin ato.

Ekspertët besojnë se rënia e niveleve të estrogjenit gjatë menopauses, është fajtore për përkeqësimin e simptomave.

Në një përmbledhje të botuar në BMC Rheumatology në fillim të këtij viti, autorët thanë se nivelet e estrogjenit luajnë një ‘rol vendimtar’ në këtë gjendje. 

Studime të tjera kanë treguar se gratë që përjetojnë menopauzë të hershme, kanë gati tre herë më shumë gjasa të zhvillojnë artrit reumatoid.

Autorët e studimit shkruajnë se: ‘Pacientët mendojnë se anëtarët e ekipit të reumatologjisë duhet të kenë më shumë trajnime dhe të diskutojnë më shumë për menopauzën.’/ Daily Mail.
Burimi