Më 26 gusht 1910 lindi Gonxhe Bojaxhi – Nënë Tereza

Më 26 gusht 1910 lindi Gonxhe Bojaxhi – Nënë Tereza

Më 26 gusht të vitit 1910 lindi në Shkup, Gonxhe Bojaxhiu (1910-1997).
Në nëntor të vitit 1928, kur ishte në moshën 18-vjeçare, ajo hyri në kongregacionin “Motrat e Loretos” në Irlandë, ku mori emrin Mari Tereza, për nder të Shën Terezës, kujton sot Muzeu Historik Kombëtar.
Më 6 janar të vitit 1929, Mari Tereza shkoi si misionare në Kalkuta të Indisë. Atje filloi të jepte mësim në kolegjin e vajzave “St. Mary”, ndërsa në vitin 1944 u emërua drejtoreshë. Më 17 gusht 1948, ajo veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe pasi përfundoi një kurs mjekësie pranë Motrave Misionare në Patna, u kthye përsëri në Kalkutë. Në vitin 1960 motrat e Nënë Terezës qenë përhapur në të gjithë Indinë. Ndërsa në harkun kohor ndërmjet viteve 1980-1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni nëpër vendet e kampit socialist, duke përfshirë Republikat e ish Bashkimit Sovjetik, në Kubë, Shqipëri etj.
Për punën bamirëse, asaj i janë akorduar shumë çmime, duke filluar që nga çmimi indian “Padmashri” në vitin 1962 dhe deri te çmimi Nobel për paqen në vitin 1979.
Në vitin 1997, Nënë Tereza kishte rreth 4000 motra, të cilat kryenin misionin në 610 shtëpi bamirësie në 123 vende të botës. Tërë jetën e saj ua kushtoi të varfërve dhe njerëzve në nevojë, derisa u nda nga jeta më 5 shtator të vitit 1997.
Pa kaluar as dy vjet nga vdekja e shenjtores, Papa Gjon Pali II lejoi të fillonte procedura e kanonizimit. Kështu, më 20 dhjetor të vitit 2002 u miratua dekreti për mrekullitë e shenjtores. Data e zhvillimit të ceremonisë së beatifikimit të Nënë Terezës u vendos që të ishte 19 tetori i vitit 2003. Ky vendim i Papës Gjon Pali II erdhi menjëherë pas miratimit nga Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit.
Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës, në Sheshin e Shën Pjetrit ndodheshin rreth 500 mijë njerëz, midis tyre edhe shumë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Amerika, etj. Ndërsa më 4 shtator 2016, Nënë Tereza u shpall Shën Tereza e Kalkutës, në një ceremoni madhështore fetare në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ceremonia u drejtua nga Papa Françesku, u cili bëri edhe shpalljen e shenjtërimit para dhjetëra mijë pelegrinëve që mbushnin sheshin qendror të Selisë së Shenjtë.
 
Burimi