Matt Gaetz njofton largimin nga Dhoma e Përfaqësuesve, nuk do të marrë as mandatin e kryeprokurorit

Matt Gaetz njofton largimin nga Dhoma e Përfaqësuesve, nuk do të marrë as mandatin e kryeprokurorit

Ish ligjvënësi Matt Gaetz tha të premten se nuk do të marrë mandatin për Kongresin e ri që mblidhet në 3 janar 2025.

Njoftimi erdhi një ditë pasi ai u tërhoq si i emëruar i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm, mes dyshimeve për abuzim seksual dhe përdorim të paligjshëm droge.

“Do të vazhdoj të luftoj, por nga një pozitë e re. Nuk kam ndërmend të jem anëtar i legjislaturës së 119 të Kongresit”, tha zoti Gaetz.

Gaetz u tërhoq të enjten nga emërimi mes dyshimeve për marrëdhënie intime me një vajzë minorene 17 vjeçare dhe për përdorim të paligjshëm droge. Ai i ka hedhur poshtë akuzat për shkelje.

Ai dha dorëheqjen si ligjvënës i Floridës në Dhomën e Përfaqësuesve pasi Trump e përzgjodhi atë javën e kaluar për postin e prokurorit të përgjithshëm.

Të mërkurën në mbrëmje, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Etikën nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish ligjvënësin Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual.

Ai është i pari i emëruar në nivel kabineti që tërhiqet, ndërsa ka pikëpyetje për sjelljen në të kaluarën të disa prej të emëruarve të tjerë që priten të jenë pjesë e administratës së ardhshme republikane.

Një tjetër i emëruar për të drejtuar Pentagonin, ish ushtarak dhe gazetar i rrjetit televiziv Fox Neës, ka ngjallur debate lidhur me dyshimet për abuzim seksual.

Pas tërheqjes së Gaetz, Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi ish kryeprokuroren e Floridës, Pam Bondi, për detyrën e Prokurores së Përgjithshme.

Sipas rrjetit CNN, Gaetz e vlerësoi emërimin e saj dhe pohoi se ai ishte viktimë e një fushate të Uashingtonit për ta “njollosur” figurën e tij.

“Unë do të luftoj për Presidentin Trump. Do të bëj gjithçka që më kërkon, siç kam bërë gjithmonë”, tha zoti Gaetz në intervistë. “Por besoj se tetë vjet janë kohë e mjaftueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”. VOA 
Burimi