Maqedonci: Rregullorja e FSK-së e lejon që një ushtar të kryej punë dytësore

Maqedonci: Rregullorja e FSK-së e lejon që një ushtar të kryej punë dytësore

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për televizionin 7 të hënën, duke folur rreth zhvillimeve të fundit, ka thënë se “nuk ka informacione” që ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) punojnë pas orarit të punës në fusha të ndryshme, duke përmendur një rregullore që lejon pjesëtarët e FSK-së të kryejnë punë dytësore.
“Një rregullore lejon pjesëtarët e FSK-së të kryejnë punë dytësore që nuk lidhen me punë të sigurisë”, ka thënë Maqedonci kur është pyetur rreth pretendimeve të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, i cili ka deklaruar të hënën se ushtarët e FSK-së detyrohen të punojnë taksistë apo kamerierë pas orarit të punës.
Maqedonci ka folur edhe për blerjen e sistemeve të reja të armatimeve për FSK-në, përkatësisht për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes. Ai ka theksuar se për blerjen e sistemeve të reja, autoritetet kosovare të mbrojtes gjithmonë e kërkojnë aprovimin e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për të mos e cenuar partneritetin.
“Zgjedhje e parë për sisteme të armatimit janë SHBA-të. Kërkesa e parë për një sistem adresohet tek SHBA-ja dhe normalisht, në bashkëpunim dhe koordnim me SHBA-të, ne kalojmë në blerje nga vendet e tjera, pra nëqoftëse këto blerje nuk e cënojnë aspektin strategjik”, ka deklaruar ai në këtë intervistë që vjen pas zhvillimeve në FSK.
Duke folur rreth thirrjeve të opozitës për dorëheqje pas krizës në furnizmimin me ushqim për FSK-në, ai ka deklaruar: “Unë kur marrë një detyrë nuk e mendoj dorëheqjen, mund të shkarkohem, por dorëzohem vetëm i vdekur. Dorëheqje nuk jap para asnjë sfide. Kjo është sfidë e parashikuar, përderisa është e parashikuar është e menaxhueshme”.
Burimi