Macroni sërish thërret për ndalim të dërgimit të armëve që mund të përdoren në Gaza e Liban

Macroni sërish thërret për ndalim të dërgimit të armëve që mund të përdoren në Gaza e Liban

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka ripërsëritur të premten thirrjen e tij për t’i dhënë fund eksporteve të armëve në Rripin e Gazës dhe Liban, duke shtuar se ky është mjeti i vetëm në dispozicion për t’i dhënë fund dy konflikteve.
“Kjo nuk është në asnjë mënyrë një thirrje për të çarmatosur Izraelin, por një thirrje për të ndaluar çdo destabilizim në këtë pjesë të botës”, ka deklaruar Macroni në një konferencë për shtyp në Qipro në fund të një takimi të Med9, raporton Reuters.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi filloi të lëshonte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas në fillimin e luftës në Gaza, që nisi si pasojë e një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor, e gjatë të cilit u vranë 1,200 njerëzit në pak orë.
Konflikti është intensifikuar javët e fundit, teksa Izraeli po bombardon Libanin jugor, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Bekaa, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore në zonat e Libanit jugor. Hezbollahu nga ana e tij ka lëshuar raketa më thellë në Izrael.
“Ne kemi përsëritur nevojën për një armëpushim dhe ky armëpushim është thelbësor si në Gaza ashtu edhe në Liban. Është e nevojshme tani si për pengjet tona ashtu edhe për popullatën civile që janë viktima të dhunës dhe për të shmangur kontaminimin rajonal”, është shprehur Macroni.
“Kjo është arsyeja pse Franca ka bërë thirrje për t’i dhënë fund eksportit të armëve të përdorura në këto teatro lufte. Të gjithë e dimë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund”, ka shtuar presidenti francez.
Të shtunën e kaluar, Macroni kishte deklaruar se dërgesat e armëve të përdorura në konfliktin në Gaza duhet të ndalen si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të gjetur një zgjidhje politike, gjë që bëri që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu të reagonte të nesërmen duke thënë se vendosja e kufizimeve ndaj Izraelit thjesht do t’i shërbejë Iranit dhe përfaqësuesve të tij.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente