Macron ka mbaruar tashmë. A mund të ndalohet Le Pen?

Pasi basti i tij i zgjedhjeve të parakohshme dështoi, Emmanuel Macron përballet me një zgjedhje të hidhur e të dhimbshme: të tërheqë kandidatët e tij para raundit të dytë të 7 korrikut në përpjekje për të ndaluar të djathtën ekstreme, ose të përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga lëvizja e tij dikur dominuese përpara se ajo të vdesë.
Për liderin 46-vjeçar të Francës, zgjedhjet parlamentare të raundit të parë të së dielës ishin një poshtërim po aq personal sa ngritja e tij mahnitëse në presidencë si një i huaj me fytyrë të freskët shtatë vjet më parë.
Ai thirri votimin e parakohshëm, pas një disfate katastrofike nga e djathta ekstreme në zgjedhjet evropiane të qershorit, me një synim në mendje: të ndalonte tejkalimin e Francës në ekstremet e saj. Ai arriti të kundërtën.

Ekonomia e dytë më e madhe e Europës dhe e vetmja fuqi e armatosur bërthamore e BE-së tani është më afër se kurrë krijimit të një qeverie të ekstremit të djathtë për herë të parë, pasi Fronti Nacional (RN) i Marine Le Pen mori një epërsi dramatike në fazën e parë të votimit.
Nëse votimi i raundit të dytë më 7 korrik jep një shumicë parlamentare për Tubimin Kombëtar, dhe parashikimet sugjerojnë se është e mundur, Franca do të jetë në ujëra të paeksploruara: Vendi do të qeveriset, të paktën pjesërisht, nga politikanë që simpatizojnë Vladimir Putin, teksa zotohen të shkatërrojnë Bashkimin Europian, të bëjnë luftë kundër emigracionit dhe të largohen nga NATO.
Edhe pse partia e Le Pen ka zbutur disa nga pozicionet e saj më të ashpra, ajo mbetet thellësisht skeptike ndaj pozicioneve politike kryesore perëndimore. Një fitore në këto zgjedhje do ti jepte një nxitje të fuqishme shansevetë Marine Le Pen për të fituar presidencën franceze në vitin 2027.
“Mund të themi me qartësi se detoksifikimi i Tubimit Komvëtar po arrin në fazat e tij përfundimtare,” tha Bruno Cautrès, një analist politik me institutet Sciences Po.
“Ata fituan zgjedhjet evropiane tre herë radhazi dhe Marine Le Pen dy herë kaloi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Tani, nëse ata fitojnë zgjedhjet e dyta më të rëndësishme të Francës [zgjedhjet parlamentare], ata janë bërë kryesorët,” shtoi ai.
Sipas analizave nga instituti i sondazheve Ipsos, rezultatet e parashikuara të partisë së Le Pen e vendosin atë në kufijtë e prekjes së pushtetit. Partia e saj mori 33.2 për qind të votave në raundin e parë, që do të thotë se e djathta ekstreme mund të marrë midis 230-280 vende në parlament, sipas institutit.
Me pragun për të komanduar një shumicë absolute në parlament që është 289 vende, e djathta ekstreme madje mund të jetë në gjendje të formojë një qeveri brenda një jave, me presidentin 28-vjeçar të Tubimit Kombëtar Jordan Bardella si kryeministër.
Pyetja tani është nëse ndonjë gjë, apo dikush, mund ta ndalojë atë.

Sa i afrohet Le Pen një mazhorance absolute varet nga mënyra sesi partitë e tjera dhe Macron reagojnë ndaj fitores së saj të fortë. A i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe a bashkohen për të mposhtur të djathtën ekstreme?
Zgjedhjet parlamentare janë një proces kompleks, me dy raunde, në të cilin dy kandidatët që marrin më shumë vota në raundin e parë kalojnë në një raund të dytë. Por në këto zgjedhje vendimtare pjesëmarrja ishte e lartë dhe kjo do të thoshte se në rreth 315 zona zgjedhore një kandidat i tretë, shpesh dikush nga koalicioni “Ansambli” i Macron, kualifikohej gjithashtu për në raundin e dytë.
Të dielën në mbrëmje, aleatët e Macron po përpiqeshin të gjenin se çfarë të bënin.
Protestat në Paris
Kandidatët e “Ansambli”-t të Macron janë eliminuar në gjysmën e 577 zonave elektorale të Francës. Grupi parlamentar centrist i Macron pritet të zvogëlohet nga 250 ligjvënës në më pak se 100 në Asamblenë Kombëtare. Tani aleatët e tij centristë përballen me presion të madh për t’u tërhequr nga gara në shumë zona dhe këshillojnë mbështetësit e tyre që të votojnë për aleancën e krahut të majtë, e cila përfshin radikalët e majtë, në një përpjekje për të mposhtur Le Pen.
Pasi u publikuan parashikimet fillestare, mijëra qytetarë francezë u mblodhën në Place de la Republique në Paris për të protestuar kundër të djathtës ekstreme. Skenat të kujtonin protestat kundër Jean-Marie Le Pen, babait të Marines, i cili u kualifikua në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në 2002 si kandidat për partinë e njohur në atë kohë si Fronti Kombëtar.
Në atë kohë, partitë dhe votuesit u bashkuan kundër të djathtës ekstreme, duke lënë mënjanë dallimet e tyre për të mundur kandidatin ekstrem nën një politikë të njohur si “kordon sanitar”. Por politika europiane ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë dy dekadave të fundit.
Partia e ekstremit të majtë ‘Franca e Papërkulur’ dhe lideri i saj Jean-Luc Mélenchon është shfaqur si një armik edhe më i madh për centristët e Macron se Le Pen, pas një viti të kaluar duke luftuar në Asamblenë Kombëtare (Parlamentin). Vetë Macron e ka shpenzuar pjesën më të madhe të kësaj fushate duke kritikuar politikat e aleancës së Frontit të Ri Popullor të krahut të majtë, e cila përfshin të majtën ekstreme, si “groteske” dhe shkatërruese për Francën.
Duke folur disa orë pas humbjes, kryeministri i Macron, Gabriel Attal e mbajti një farë qëndrimi. Bëri thirrje që “të mos votohet për të shkuar në Tubimin Kombëtar (të Le Pen)”, por ai la të kuptohet se kandidatët që i përkasin koalicionit të Macron duhet të tërhiqen nga gara vetëm në rastet kur një kandidat nga “forcat republikane” ishte në pozicionin më të mirë për të fituar, ndoshta duke përjashtuar kandidatët e ekstremit të majtë, Franca e Papërkulur e Mélenchon.

Shenja më e qartë e thyerjes së “kordonit sanitar” erdhi nga aleati i Macron dhe ish-kryeministri Edouard Philippe, i cili u bëri thirrje në mënyrë eksplicite votuesve që të kundërshtojnë ekstremin e djathtë Tubimin Kombëtar dhe ekstremin e majtë Franca e Papërkulur gjithashtu.
“Meqenëse e majta e ka bërë Macron kundërshtarin e saj të madh, dhe Mélenchon dhe Macron kanë kaluar muaj duke luftuar një betejë të madhe politike, është e vështirë të ringjallet ‘kordoni sanitar’”, tha Bruno Jeanbart, një anketues nga OpinionWay. “Ne gjithashtu nuk e dimë nëse do të bëjë ndryshim me votuesit”. Jeanbart shtoi se shpesh votuesit e qendrës abstenojnë kur u jepet zgjedhja midis ekstremit të majtë dhe të djathtës ekstreme.
Afati i së martës
Kandidatët që janë kualifikuar për në raundin e dytë të votimit kanë kohë deri të martën në mbrëmje për të vendosur nëse do të tërhiqen nga gara apo do të vazhdojnë të luftojnë. Të dielën mbrëma, u duk se në shumë zona zgjedhore kandidati i tretë më i mirë po tërhiqej për të ndihmuar një kundërshtar që të mposhtte Frontin Nacional të Le Pen.
Kjo do të thotë se parashikimet se sa ulëse në parlament mund të marrë e djathta ekstreme ishin “tashmë të vjetruara” pasi ato bazoheshin në garat e raundit të dytë përpara se kandidatët të fillonin të tërhiqeshin, sipas Brice Teinturier, drejtor i institutit të sondazheve Ipsos.
Fronti Nacional ka thënë se nuk do të përpiqet të formojë një qeveri nëse nuk fiton një shumicë absolute në parlament. Të dielën, Le Pen këmbënguli se Bardella do të bëhej kryeministër vetëm nëse Fronti Nacional do të kishte mbështetjen e parlamentit. Tradicionalisht, presidenti francez emëron një kryeministër nga grupi më i madh parlamentar në Asamblenë Kombëtare.
“Pa një shumicë të qartë, do të ketë gjithmonë feudalizma të vjetër, inerci të qëllimshme dhe manovra politike që do të shkatërrojnë alternativën e vërtetë që i nevojitet vendit,” tha Le Pen gjatë një aktiviteti të fushatës në qytetin lindor Hénin-Beaumont.
Për të arritur një shumicë absolute, Le Pen do të duhet të arrijë një marrëveshje me deputetët e partisë konservatore Les Républicains. Por aleanca parazgjedhore e Le Pen me liderin e Les Républicains Eric Ciotti shkaktoi një reagim të ashpër nga peshat e rënda të partisë.

Udhëheqësit e Les Républicains, partia historike e konservatorizmit francez, përjashtuan me votë presidentin e tyre, Éric Ciotti, i cili u përpoq të nënshkruante një marrëveshje me Tubimin Kombëtar për këto zgjedhje.
Kështu që nëse një koalicion i Tubimit Kombëtar me Les Républicains nuk arrihet, pra nëse zgjedhjet sjellin një parlament të ndarë, projekti politik i Macron mund të marrë pak më shumë kohë për të vdekur.
Burimi