Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut: Shtetet të sfidojnë Izraelin
Zyrtari kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Volker Turk u bëri thirrje sot shteteve të veprojnë ndaj asaj që e quajti “shpërfillje flagrante” e ligjit ndërkombëtar nga Izraeli në territoret palestineze. Ai tha se ndalimi i luftës në Gazë, ku numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 40,000 dhe shmangia e një lufte rajonale, është përparësi “absolute dhe urgjente”.
Në hapjen e seancës së 57-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejta të njeriut në Gjenevë, zyrtari i lartë OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk u bëri thirrje shteteve që të mos pranojnë sjelljen e Izraelit dhe siç tha ai mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar, rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga ky vend.
“Ndalimi i luftës dhe shmangia e një konflikti të gjerë rajonal është përparësi absolute dhe urgjente. Njëkohësisht, i duhet dhënë një përgjigje e gjithanshme edhe çështjes më të gjerë, paligjshmërisë në tërë territorin e pushtuar palestinez, pasojë e politikave dhe sjelljeve të Izraelit… Shtetet nuk mund dhe nuk duhet ta pranojnë shpërfilljen flagrante të ligjit ndërkombëtar … në këtë situatë apo në rrethana të tjera,” deklaroi ai.
Zoti Turk tha se nëse nuk zgjidhen shkaqet që çojnë në luftëra, luftërat do të përfshijnë edhe vende tjera dhe do të barten tek gjeneratat e ardhshme, duke shkaktuar, siç tha ai, “cikle të vazhdueshme urrejtjeje.” Sipas tij, lufta në Gazë është një shembull tipik.
“Çdo ditë, palestinezët mezi mbijetojnë. Afro 1.9 milionë banorë janë detyruar të zhvendosen disa herë përgjatë Rripit të Gazës. Pas 11 muajsh, 100 pengje izraelite ende po mbahen në Gazë. Dhe ndërkohë që numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, rreth 10,000 palestinezë po mbahen në burgjet izraelite, shumica e të cilëve në mënyrë arbitrare dhe mbi 50 prej tyre kanë humbur jetën për shkak të kushteve jonjerëzore dhe keqtrajtimit. Në Bregun Perëndimor, operacionet e përgjakshme, disa të një shkalle që nuk i kemi parë gjatë dy dekadave të fundit, po përkeqësojnë situatën katastrofike atje, e cila ishte e përkeqësuar për shkak të dhunës serioze të kolonëve,” deklaroi ai.
Në Izrael, janë shtuar masat e sigurisë pas sulmit të së dielës në kalimin kufitar ndërmjet Izraelit dhe Jordanisë, ku një person i armatosur sulmoi forcat izraelite të sigurisë, duke vrarë tre civilë, ndërkohë që Izraeli vazhdoi operacionet ushtarake në Gazë.
Sipas profesorit të shkencave politike, Ric Stoll nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi, vuajtjet në të dyja anët pritet të vazhdojnë.
“Njerëzit do të vazhdojnë të vriten. Pengjet nuk do të lirohen. Nuk po shoh se si Izraeli do ta eliminojë Hamasin. Është më mirë që të përqendrohen në arritjen e një lloj marrëveshjeje tani,” i tha ai Zërit të Amerikës.
Një qëndrim të ngjashëm e shprehën gjatë fundjavës në Tel Aviv edhe familjarët e pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit, gjatë të cilit militantët e grupit vranë 1,200 persona.
“Nëse duam të ndryshojmë gjendjen në Izrael, duhet të dalim dhe t’i kërkojmë qeverisë të ndalojë luftën dhe të arritjë një marrëveshjeje tani,” thotë Ifat Kalderon, e afërta e një pengu.
Profesori Stoll thotë se Shtetet e Bashkuara po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar paqe të qëndrueshme në rajon.
“Nuk mendoj se kemi ndikim të mjaftueshëm tek palët. Mendoj se po bëjnë çfarë atë që mendojnë se është më e mira për rajonin,” thotë ai.
Drejtuesi i CIA-s, William Burns, tha të shtunën se një propozim më i detajuar për armëpushim do t’iu prezantohet palëve gjatë ditëve në vijim./ VOA/
Burimi