India, Katari, Turqia? Kush mund të ndërmjetësojë në Ukrainë
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi në vizitën e tij të fundit në Kiev u pozicionua si ndërmjetësues. Po cilat janë vendet që një ditë mund të ndikojnë në përfundimin e luftës në Ukrainë.
Të krijosh shanse negociimi – ky përmendet gjithnjë si qëllim i mundshëm i Ukrainës, prandaj edhe ushtria ukrainase më 6 gusht depërtoi në territorin rus. Sipas të dhënave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski pas pushtimeve në rajonin Kursk qëndron objektivi i krijimit të një zone të ndërmjetme në territorin e agresorit. Ekspertët ushtarakë kanë dyshime, nëse Ukraina mund t’i mbajë për një kohë të gjatë këto territore. Por në Kiev duket të jetë e qartë – nëse një ditë fillojnë negociatat, Rusia nuk ka për t’u tërhequr nga Donbasi, Zaporishja apo Krimeja pa kërkuar një çmim për këtë. Negociatat janë ende larg, por për rastin, kur ato herët a vonë do të fillojnë, ka disa vende që vijnë në konsideratë si ndërmjetësues.
India
“India është e bindur, se asnjë problem nuk zgjidhet në fushën e betejës”, këtë ide e hodhi kryeministri Narendra Modi në Varshavë, para se të nisej me tren në Kiev, ku u takua javën që po mbaron me presidentin Zelenski. Sipas Modit ai po shikon për “perspektivat e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit aktual të Ukrainës”. India nuk e ka dënuar asnjëherë hapur invazionin rus dhe ruan një bashkëpunim të ngushtë ekonomik me Rusinë, duke blerë në mënyrë masive armë prej saj. Nga fillimi i luftës, India blen madje më shumë naftë nga Rusia duke ndihmuar kështu industrinë e luftës. Pamjet e përqafimit të Modit me presidentin rus në Moskë nuk e bëjnë më të lehtë synimin për ndërmjetësim të Indisë. Mbetet të shihet, se sa ndërmjetësues i përshtatshëm do të jetë Modi pas përqafimit edhe me presidentin Zelenski në Kiev. Vetë Modi tha se ai vetë personalisht është i gatshëm.
Kina
Edhe Kina prej kohësh nga ana ekonomike faktikisht është në anë të Rusisë, duke e përdorur si treg shitjeje por Rusia është edhe një furnizuese me lëndë të parë me rëndësi për Kinën. Pekini ka abstenuar gjithmonë në votimet në Këshillin e Sigurimit. Në vend të kritikojë Rusinë për luftën, presidenti Jinping e priti në maj Putinin me nderime ushtarake. Kina megjithatë e ka ofruar veten si ndërmjetësuese. Më 24 shkurt 2023, përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë, ky vend prezantoi një plan me 12 pika që paraqiste pozicionin kinez. Si pika kryesore ishin integriteti territorial, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtja e popullsisë civile, por edhe refuzimi i sanksioneve të njëanshme.
Kina dërgoi të dërguar të saj të posaçëm në disa nga vendet neutrale të jugut global. Ajo nuk mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes në Zvicër në qershor 2024 – Ukraina akuzoi Pekinin atëherë se po e hedh poshtë këtë format.
Brazili
Pas vizitës së të dërguarit kinez në Brazil, ky vend së bashku me Kinën paraqiti një plan gjashtë pikësh. Nga palët kërkohet që të mos e zgjerojnë më tej zonën e konfliktit dhe se Rusia e Ukraina duhet të hyjnë në dialog të drejtpërdrejtë. Kërkohet përjashtimi i mundësisë së përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, mbrojtja e civilëve dhe shkëmbimi i të burgosurve.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva nuk ka pasur ndonjë sukses si ndërmjetuses. Në vitin 2023 takimet si me Putinin dhe me Zelenskin dështuan dhe ai u shpreh, se asnjë nga palët nuk është e interesuar për paqen. Në konferencën e Zvicrës da Silva nuk e nënshkroi një dokument përfundimtar, duke thënë, se asnjë konflikt nuk mund të zgjidhet, nëse flitet vetëm me njërën palë. Por Brazili për të dy vendet është një partner i rëndësishëm në skenën diplomatike, kur të vijë koha që të ketë negociata. Këtu mendohet, se Lula mund të arrijë diçka.
Katari
Katari e ka ofruar veten si ndërmjetës jo vetëm në konfliktin e Lindjes së Mesme, por edhe në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Madje në Doha u zhvilluan deri në fillim të gushtit bisedime sekrete premtuese, raportoi disa ditë më parë Washington Post. Këto dështuan nga ofensiva ukrainase në Kursk. Vitet e fundit, Katari ka fituar një pozicion të rëndësishëm si vend ndërmjetësues në konflikte të shumta.
Shteti i vogël por i pasur i Gjirit duket të ketë mësuar nga konflikti diplomatik dhe bojkoti nga vendet e tjera arabe dhe afrikano-veriore në vitet 2017-2021 se është gjithashtu e dobishme për sigurinë e tij të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me shumë partnerë të ndryshëm.
Turqia
Në pranverën e vitit 2022, Rusia dhe Ukraina pothuajse ranë dakord për një armëpushim pas negociatave në tokën turke – por masakra e trupave ruse në Butsha, Ukrainë i shkatërroi shpresat për përfundimin e luftimeve. Për shkak të vendndodhjes së saj në të dy anët e Bosforit, Turqia kontrollon hyrjen në Detin e Zi dhe për këtë arsye mund të ushtrojë presion në të dyja anët.
Nga korriku 2022 deri në korrik 2023, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan përdori kapitalin e tij diplomatik dhe e arriti marrëveshjen me të dyja palët që lejuan transportin e sigurt të grurit ukrainas nga deti. Rusia nuk e deshi më zgjatjen e mekanizmit të transportit. Ajo që mbetet është dëshmia, se Turqia mund të ndërmjetësojë me sukses ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Afrika e Jugut, Senegali, Zambia, Unioni Afrikan
Ndoshta ndërmjetësuesit e nënvlerësuar në këtë konflikt vijnë nga Afrika – një kontinent që është i rëndësishëm për të dyja palët ndërluftuese: Rusia po zgjeron sistematikisht ndikimin e saj, veçanërisht në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore. Ukraina po vepron kundër kësaj në pika të caktuara dhe po kërkon aleatë të mundshëm – Ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba ishte në Zambia, Malavi dhe Mauritius në fillim të gushtit.
Presidenti i Zambias, Hakainde Hichilema ka vepruar tanimë personalisht si ndërmjetësues: në qershor 2023, ai udhëtoi së bashku me homologët e tij Cyril Ramaphosa nga Afrika e Jugut, Macky Sall nga Senegali dhe Azali Assoumani nga Komoret (vend kryesues i Unionit Afrikan në atë kohë) me përfaqësues nga shtete të tjera në Kiev dhe Shën Petersburg. Por udhëtimi nuk solli ndonjë rezultat të prekshëm. Megjithatë, disa shtete afrikane kanë vazhduar të angazhohen, si për shembull në Zvicër ose në raundin vijues të bisedimeve në Zhidah në fillim të gushtit. Mjaft vende në Afrikë kanë interes që të marrë fund lufta mes Rusisë dhe Ukrainës./DW/
Burimi