Historike në Britani, Kancelarja e parë grua shpalos buxhetin mes kritikave: 40 miliardë paund rritje taksash!

Historike në Britani, Kancelarja e parë grua shpalos buxhetin mes kritikave: 40 miliardë paund rritje taksash!

Mbretëri e Bashkuar – Kancelarja e Thesarit, Rachel Reeves, është e para grua që e mban këtë post dhe sot ka shpalosur buxhetin në Parlamentin britanik.

Ky do të jetë buxheti i parë i laburistëve pas 14 vitesh në opozitë.

Ata thonë se vendime të vështira janë marrë, për shkak se kanë trashëguar një “gropë 22 miliardë paund” nga paraardhësit konservatorë.

Buxheti i prezantuar ditën e sotme (30 tetor) parashikon rritje taksash në 40 miliardë paund, për të mundësuar një fushatë investimesh, të cilat qeveria thotë se janë shumë të nevojshme.

Kancelarja këmbënguli se nuk do të ketë rritje taksash për “njerëzit e punës”, një premtim i fushatës së laburistëve. Kështu, buxheti nuk parashikon rritje të sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe as rritje të TVSH. Po kështu nuk do të ketë rritje të taksës së karburantit, e cila u ngri në shifrën aktuale edhe për vitin e ardhshëm.

Kancelarja njoftoi rritjen e pagës minimale, në 12.21 paund ora.

Megjithatë, një rritje do të kenë sigurimet shoqërore që paguhen nga punëdhënësit me 1.2%, çka pritet të mbledhë rreth 25 miliardë paund në vit. Kjo ka shkaktuar kritika, sepse pritet që indirekt të prekë edhe punëmarrësit dhe mund të ketë ndikim negativ te bizneset.

Kancelarja njoftoi një rritje të Tatimit mbi Fitimin Kapital dhe vendosjen e TVSH-së për tarifat e shkollave private nga janari 2025. Ajo tha se paratë e gjeneruara nga taksimi i shkollave private, do të përdoren për shkollat publike, ku janë të regjistruar 94% e nxënësve.

Sa i përket shpenzimeve, Reeves njofton një rritje prej 22.6 miliardë paund për sistemin shëndetësor, 5 miliardë paund investime për ndërtimin e shtëpive si edhe një numër investimesh në infrastrukturë dhe transport.

Reeves gjithashtu njoftoi krijimin e ndërmarrjes publike të energjisë, GB Energy, e cila do të jetë e bazuar në Aberdeen.

Konservatorët e kanë quajtur buxhetin një rritje historike taksash, të pajustifikuar nga shifrat.

Lideri i opozitës, Rishi Sunak, tha se shifrat janë manipuluar nga laburistët.

“Ata i manipuluan shifrat dhe rritën taksat në nivele rekord”. Sunak ishte mjaft i ashpër, duke e etiketuar buxhetin si një thyerje të madhe të premtimeve elektorale që laburistët kanë bërë për të fituar zgjedhjet. Ai tha se çmimi i mos mbajtjes së premtimeve “do të paguhet pikërisht nga njerëzit e punës”.
Burimi