Grupi i Radoiçiçit synonte të shkëpuste veriun e Kosovës/ Si u thur plani

Grupi i Radoiçiçit synonte të shkëpuste veriun e Kosovës/ Si u thur plani

Aktakuza e Speciales tregon se të akuzuarit për sulmin në Banjskë kishin synim t’ia shkëpusnin Kosovës veriun dhe t’ia bashkonin Serbisë. Dokumenti tregon se grupi nisi të organizohej në tetor të 2021-s, në një takim në të cilin ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Sipas aktakuzës, Serbia, ndër të tjera, ia ka ofruar Radoiçiçit edhe infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve
KOHA
Aktakuza e Prokurorisë Speciale nuk e implikon drejtpërdrejt shtetin serb në organizimin e sulmit në Banjskë. Por në këtë dokument të siguruar nga KOHA theksohet se grupi i serbëve kishin synim t’ia shkëpusnin Kosovës veriun dhe t’ia bashkonin Serbisë.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të organizuar mirë paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza është ngritur ndaj 45 të pandehurve: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iiq dhe Vladan Iliq.
“Pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre, dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për t’i hequr kamionët dhe për ta liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda, me ç’rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku…”, thuhet në aktakuzë. “Sulmi ka vazhduar deri në orën 15:00, kur shumica dërrmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës”.
I akuzuari kryesor është Radoiçiq. Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale “lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” e sanksionuar me nenin 131 të Kodit Penal, lidhur me nenin 57 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. 
“Në periudhën kohore nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë – blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake – sigurimi i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike – sigurimi i pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit – financimi i pjesëmarrësve të grupit terrorist për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në aktakuzë.
Fuqizimi i Radoiçiqit edhe nga Kosova
Një pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria flet edhe për mënyrën e financimit të grupit që kreu sulmin. 
Sipas një skeme të paraqitur në aktakuzë, veprimtaria kriminale e Radoiçiqit është financuar nga dy burime kryesore, “duke i keqpërdorur tenderët e Kosovës dhe nga shteti i Serbisë”. 
“Forma e parë e financimit duke i keqpërdor tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta, ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës, projekti nuk zbatohej apo nuk implementohej fare. Kurse forma e dytë apo më kryesore për nga sasia në vlera marramendëse të parave ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi”.
Por në aktakuzë përgjegjëse kryesore për fuqizimin e Radoiçiqin është bërë Serbia. 
“Gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i të pandehurit Milan është bërë në forma të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë, ku kjo e fundit fillimisht i ka ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit serb”, thuhet në aktakuzë.
Serbia ofroi infrastrukturën ushtarake
Sipas aktakuzës, Serbia, ndër të tjera, i ka ofruar Radoiçiqit edhe infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve.
“Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës. Skema e fuqizimit ekonomik përmes grumbullimit të fondeve me qëllim të financimit të terrorizmit në Kosovë për të pandehurin Milan Radoiçiq është bërë përmes hapjes së bizneseve në mënyrë ligjore me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave apo maskimit të origjinës së parave, që në sytë e publikut dhe të autoriteteve zyrtare të duket gjithçka e ligjshme. I pandehuri Milan Radoiçiq ka qenë i përfshirë në mënyrë direkte në cilësi të pronarit në biznese dhe në mënyrë indirekte”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë. “Përveç fuqizimit dhe përkrahjes politike, më qëllim të ushtrimit të ndikimit te pjesa e popullatës civile serbe, të pandehurit Milan Radoiçiq i ishte ofruar edhe përkrahje duke e vendosur në pozita kyç me qëllim të krijimit të figurës kryesore në veri dhe përmes këtyre pozitave të kontrollohen qytetarët e kësaj pjese të Kosovës. Pozitat të cilat i kishte mbajtur i pandehuri Milan Radoiçiq ishin nënkryetar i partisë Lista Serbe, kryetar i së ashtuquajturës ‘Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë’ në sistemin paralel të Serbisë dhe kryetar i së ashtuquajturës ‘Klubi Trepça’ në sistemin paralel të Serbisë”.
Grupi në 2021-n dhe prania e Vuçiqit
Bazuar në aktakuzë, grupi nisi të organizohej në një takim të datës 13 tetor të 2021-s, të organizuar në Rashkë të Serbisë, në të cilin ishin të pranishëm edhe presidenti Aleksandar Vuçiq e edhe Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përsipër sulmin.
“Gjatë takimit kërkojnë armatosjen dhe fillimin e rezistencës së armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në katër komunat veriore, si Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin- Potok”, thuhet në aktakuzë.
Në dokument theksohet se prej dhjetorit të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023 janë intensifikuar sulmet me armë zjarri ndaj policisë dhe institucioneve të tjera, ndaj mediave dhe gazetarëve, janë vendosur barrikada dhe mjete eksplozive në to, e edhe janë kryer sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.Aktakuza iu referohet dëshmive të siguruara që tregojnë se ditën kur janë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Radoiçiq me serbë të tjerë të armatosur ndodheshin në Kosovë dhe të gatshëm për sulm të armatosur.
“Kjo gjendje e gatishmërisë së grupit ishte parapërgatitje për kryerjen e sulmit në protestën e paralajmëruar nga serbët më datë 29.5.2023, në të cilën ditë protestuesit e dhunshëm serbë kanë sulmuar KFOR-in tek objekti i Kuvendit Komunal në Zveçan me armë, mjete shpërthyese, koktej molotovi dhe mjete të forta, që si pasojë mbi 90 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar, duke përfshirë disa me lëndime të rënda trupore”, thuhet në dokument.
Aktakuza përmban dëshmi për të gjitha lëvizjet që grupi i bëri ditën kritike të sulmit në Banjskë.Fillimi i realizimit të planit për sulm ka nisur në ora 2 e 9 minuta, kur dy kamionë hyjnë në fshatin Banjskë, të cilët grupi i ka përdorur si barrikada para fillimit të sulmit. Ndërkaq, shpërndarja ka ndodhur rreth 13 orë më vonë.
Por jo të gjithë të përfshirët në sulm kanë ikur malit afër.
Në aktakuzë janë analizuar pamjet e videoincizimeve të lëvizjeve të një automjeti “Mercedes”, të cilat kanë vërtetuar se me të janë sjellë persona të armatosur dhe me uniforma të grupit. 
E, në bazë të regjistrimit në bazën e të dhënave dhe pamjeve të CCTV në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, shihet në po këtë veturë i pandehuri Nikola Iliq duke u larguar nga Kosova në drejtim të Serbisë, në ora 17:32 më datë 25 shtator të 2023, një ditë pas sulmit.
Por tre nga pjesëmarrësit në sulm janë arrestuar në Kosovë. 
Nga ta, Vladimir Toliq ka vendosur të mbrohet në liri dhe nuk ka pranuar të flasë para prokurorit.
E, dy të tjerët kanë folur. Blagoje Spasojeviq në Stacionin policor të Mitrovicës ka thënë se një ditë para sulmit ka shkuar në Rashkë, ku është takuar me dy të akuzuar të tjerë dhe të organizuar me 3 apo 4 vetura kanë ardhur në fshatin Banjskë. 
“Tutje, ka shtuar se i gjithë udhëtimi ka zgjatur përafërsisht 3 orë, nga ora 23:00 dhe në Banjskë kanë arritur në ora 02:30 të mëngjesit, në sheshin ku është ujëvara, ku aty i kanë hequr rrobat civile dhe miku i tij Momqilo Vuçkoviq i ka thënë ta marrë uniformën, duke filluar nga këpucët, pantallonat, fanellat, jaknen, maskën, dorëzat dhe më pas ia ka dhënë 5 karikatorë të armës AK47, të cilët kanë qenë të mbushur me municion, ku 1 karikator i ka pasur 20 predha. Po ashtu, Momqilo i ka treguar se ku duhet të qëndrojë”, thuhet në aktakuzë.
Në dokument theksohet se i pandehuri ka deklaruar se gjatë udhëtimit është biseduar se do të bëhet një barrikadë me kamionë dhe një protestë për të cilën “ka menduar se është paqësore, por pasi ka pranuar uniformën ushtarake-taktike dhe armatimin, aty e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull, por që është detyruar t’iu bindet urdhrave të Momqilos”.
E, pjesëmarrjen në grup e ka mohuar i pandehuri tjetër, Dushan Maksimoviq. Ai ka thënë se natën kur ka ndodhur sulmi ka qenë me shtatë persona të tjerë në një vikend-shtëpizë në Suhodoll, e cila ka qenë e shokut të tij. Por Prokuroria e ka ballafaquar me shumë xhirime e fotografi që i janë marrë nga telefoni i tij, të cilat e kanë demantuar.
“Në pyetjen e prokurorit special se a i kujtohen komunikimet e bëra përmes aplikacioneve signal dhe viber me personin me emrin Kurto me nr. tel. +381655****75, për armë, uniforma dhe organizim, i njëjti ka deklaruar nuk i kujtohet”, thuhet në aktakuzë. “Në pyetjen e prokurorit special se çfarë keni nënkuptuar në komunikimin e dt.24.9.2023, kur keni thënë se në ora 12:30 duhet të bllokohen të gjitha rrugët, i njëjti ka deklaruar se nuk e ka thënë këtë. Prokurori special e ka ballafaquar të pandehurin me mesazhet e komunikimit që i kishte bërë më dt.24.9.2023, ku vlen të theksohet se ky komunikim është bërë në ora 02:16:36, pak para se të ndodhte sulmi, por i njëjti ka deklaruar se ky komunikim është zhvilluar natën kur kanë qëndruar në atë vikend- shtëpizën dhe janë konsultuar me mesazhe si po zhvillohet dhe çka po ndodh”.
Sipas Prokurorisë, të gjitha provat në të cilat mbështet aktakuza janë mbledhur në pajtim të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë i vërtetojnë elementet e veprave penale për të cilat ngarkohen të pandehurit. Prej tyre, prokurori special do t’i paraqesë vetëm disa prej dëshmive që i ka vlerësuar si “më të fuqishme”, e të cilat vënë në pah fillet e organizimit, përgatitjet paraprake, sulmin në ditën kritike dhe pasojat.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente